Rita Ora në Prishtinë për 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behxhet Pacolli, i ka ofruar aeroplanin e tij privat këngëtares së njohur shqiptare
Këngëtarja e njohur shqiptare me famë botërore, Rita Ora do të performojë në Prishtinë për Festën e 10 vjetorit të Pavarësisë. Lajmin e ka bërë të ditur për emisionin “Express” të KTV-së, Adil Behramaj, pjesë e Këshillit Organizativ për Festën e Pavarësisë, përcjell albinfo.ch. “Po, tashmë e kemi konfirmimin që Rita Ora vjen dhe jemi duke u koordinuar me ekipin e saj për koncertin që do ta mbajë në mbrëmjen e 17 shkurtit”. ka deklaruar Behramaj për “Express” në KTV. Vendi i koncertit ende nuk është bërë i ditur. Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behxhet Pacolli, i ka ofruar aeroplanin e tij privat, derisa ende nuk është bërë e ditur nëse Rita e ka pranuar ofertën e tij. Gjithashtu është bërë e ditur se ambasadori i Kosovës në Britani të Madhe, Lirim Graiçevci është në kontakt të vazhdueshëm me familjen Ora.