Unë dua të protestoj…por mbi të gjitha duhet të reflektoj!
Irena Beqiraj
Në raportin e fundit të Bankës Botërore, thuhet që Vendet e Ballkanit Perëndimor, përsa i përket proçesit të reformave janë aty ku kanë qënë vende si Kroacia, Slovenia, Bullgaria në 1996. Është trishtues ky fakt sepse e kemi filluar proçesin e tranzicionit në të njëjtën kohë.
Unë dua të Protestoj për këtë! Ku të protestoj që reforma në drejtësi nuk u ndërmorr në 1996 por në vend të saj mendohej si një parti të fitonte zgjedhjet me 96%? Ku të protestoj që kjo reformë bazë e funksionimit të shoqërisë demokratike fillojë të artikulohet vetem në 2015?
Ishte padyshim një hap përpara dekriminalizimi. Por Parlamenti Shqiptar këtë vit u mbush me ‘Levantinë’ siç i quante dikur Konica. Unë dua të protestoj për ketë! Ku?
Çdo ditë e më shumë të rinjve shqiptarë po u ushqehet ideja që nuk është e nevojshme të strapacohesh në shkollë e në universitete, nuk ka nevojë po ashtu të punosh asnjë ditë, se mjafton të futesh në parti edhe kap majat më të larta të politikës, bëhesh deputet edhe pse nuk ke asnjë cilësi përveç asaj që mund të përdoresh si kamikazë. Dua të protestoj për ketë! Ku?
Dua që opozita të lexojë rezultatin e zgjedhjeve edhe të mos fshihet pas gishtit. Nëse populli demokrat nuk doli në zgjedhje ishte protestë karshi mungesës së alternativës. E mbase ishte edhe protestë kundër vendosjes në lista fituese të levantinit Klevis Balliu dhe lënies jashtë të intelektuales Nevila Xhindi. Dua të protestoj për këtë, sepse mendoj që cilësia e të bërit opozitë është e pazëvendësueshme në një shoqëri demokratike. Ku?
Dua të protestoj kundër të ashtuquajturës ‘Ndërhyrje të Ambasadorëve’ në punën e brendëshme. Por nuk di se ku dhe se si? Nuk kemi qenë asnjëhërë në gjendje të zgjidhim një konflikt sado të vogël midis njëri – tjetrit. Shahemi e grindemi si qeni me derr e kuptohet vijnë Ambasadorët e bëjnë arbitirin. Oh sa na pelqen kur na mbajnë anën, dalim në konferenca shtypi e themi çfarë ka kërkuar aleati ynë Amerikan! Por kur Ambasadori flet hapur që të duhet ikte Prokurori na zgjohet papritur ndjesia e pavarësisë e themi që Ambasadori hyri në punët tona të brendëshme.
Dua të protestoj edhe më tej për zgjedhjet e drejtimit në Universitete, ku kolegët e mi të Universitetit Shtetëror ndihen thuajse të pa fuqishëm, për të hequr një klikë drejtuese që në 20 vjet thjesht ndyshojnë vendet midis tyre. Këto drejtues e kanë kthyer Universitetin në sulltanat dhe prodhojnë vetëm përulje karshi fatit, apati, dekurajim dhe cilësi të dobët në mësimdhënije edhe aspak kërkim dhe zhvillim. Më keq ndihem për Kolegët e Universiteteve Private të cilët në pamundësi për të marrë edhe rrogën lëvizin nga universiteti në universitet me shpresën që të paktën do paguhen. Dua të protestoj për keto, ku?
Ndjej dhimbje për të gjithë gjithollogët që komentuan Librin “Fire and Furry‘’ 3 ditë pasi kishte dalë pa e lexuar. Dua të protestoj kundër disinformimit që është më i keq se mungesa e informacionit, pasi duhet të fshihet njëherë informacioni i gabuar, para se të ngrihet njohuria e re. Dua të protestoj! Ku?
Dua të protestoj që akoma në 2018 nuk ka ujë 24 orë, dua të protesoj kundër tregjeve të parregulluara, kundër korrupsionit. Dua të protestoj kundër sistemit bankar që është bërë shumë selektiv e mendje mbyllur në ndërmjetësim.
Po a zgjidhen gjithë këto me protestë? JO!
E ndërsa thellohem kuptoj që historia më përqesh , se këto cështje nuk zgjidhen me protestë aq më tëpër që kem parë, e jetuar shumë prej tyre që kanë përfunduar si telenovelë. Si mund të mendojmë që duhet të protestojmë kur në këtë sistem social –politik që kemi ngritur nuk pranojmë protestën e mendimit ndryshe brenda llojit, pasi në çdo ngrehinë të shoqërisë shqiptare njerëzit pasionantë, të përkushtuar e puntorë nuk kanë vend, sepse janë ulur këmbëkryq, pragmatistët, paketuesit dhe propagandistët.
Jo nuk mendoj se duhet vetëm të Protesoj! Mendoj që duhet të reflektoj, mendoj që duhet të gjithë bashkë të reflektojmë, dhe të kërkojmë të ndryshojmë së pari mënyrën sesi secili të bëhet pjesë e zgjidhjes. Duke sharë, nuk zgjdhim gjë. Nuk kemi zgjidhur kurrë.
Edhe në këtë reflektim, mendoj se më shumë se të protestoja më duhet që qeveria të vazhdojë reformat e deregullimit ujit të tokës, ti implementojë ato me efektivitet. Më shumë se të protesoj më duhet që të dëgjoj, analizoj, kontribuoj me ide, kritika, por edhe zgjidhje nëse mundem. Më shumë se të protestoj, duhet të filloj të jem pjesë e debatit konstruktiv, mbi Integrimin Rajonal dhe Europian. Më duhet të mendoj se cili është mekanizimi që minimizon sulltanatet në këtë vend. Në vend që të protestoj dhe ta vendos qeverinë në vend të zotit duke pritur vetëm prej saj, duhet të luftoj çdo ditë në ambjentin ku punoj, ku aderoj, që të dëgjohem, të konsiderohem dhe të përfshihem në gjetjen e zgjidhjeve. Në vend që të protestoj më duhet që të investoj tek të rinjtë duke i edukuar se rruga e vetme për tu zhvilluar është integriteti dhe jo pragmatizimi që të çon në skllavëri. Edhe nëse të gjithë bashkë ndryshojmë qasje, qeveria apo qeveritë do të na ndjekin nuk ka zgjidhje tjetër. Katër vjet ikin shpejt dhe dita e gjykimit vjen sa hap e mbyll sytë.
Shkurt, duhet të punojmë çdo ditë, çdo orë, çdo minutë të gjithë bashkë, të transformojmë shoqërinë tonë duke lejuar të triumfojë mendja, njohuria , dituria dhe jo të vazhdojmë të jemi mbreslënës në këmbënguljen tonë për të qënë të paditur.