Albspirit

Media/News/Publishing

Viron Kona: Një rrugëtim magjeps në Veriun e Largët me Sokol Demakun

Related image

 

Zakonisht, për një vend mësohet në gjeografi dhe histori, por, që kur Selma Lagerlëf, mori “detyrën”, që nëpërmjet një libri artistik, t`u mësonte fëmijëve historinë e Suedisë, nisën dhe botime të tjera të këtij lloji që, krahas përmbajtjeve artistike, u jepnin lexuesve edhe njohuri të shumta gjeografike dhe historike. Në  vazhdim, në letërsinë suedeze këtë mënyrë të bëri letërsi dhe gjeografi, e gjejmë edhe te libri i Lars Wastman “Djali dhe Tigri” të përkthyer në gjuhën shqipe nga Sokol Demaku, i cili, ashtu si aventurat e Nils Holgerssonit, edhe ky libër rrëmbeu menjëherë zemrat e lexuesve të vegjël. Natyrisht, njohuri për Suedinë, mbaj mend që ne në Shqipëri, kemi marrë nga lëndët e gjeografisë, historisë dhe lëndë të tjera në shkollën, atëherë, 7-8-9-vjeçare apo të mesme, por edhe kur kemi studiuar jetën e personaliteteve të mëdhenj të këtyre vendeve. Për shembull, kur mësuesja e botanikës na shpjegonte për botanistin e madh Karl Vonn Linne, ne nxiteshim të gjenim në hartë ku binte Suedia, vendlindja e tij. Po kështu, kur dëgjuam për herë të parë për termometrin dhe gradacionin “celsius”, përsëri na u ngjallë dëshira ta njihnim Suedinë, vendlindjen e astronomit Anders Celsius. Kështu mund të vazhdoj me radhë me emra të mëdhenj të shkencës, të letërsisë, të kulturës, të politikës, të pikturës e skulpturës, të muzikës, të sportit e me radhë. Për sa më përket mua, kam mësuar për Suedinë edhe nga vizitat që kam bërë atje, i ftuar disa herë nga Qendra Kulturore Shqiptare “Migjeni” e, veçanërisht nga miku im i mirë dhe i ditur Sokol Demaku, poet, atdhetar, gazetar dhe përkthyes i njohur, si dhe kryeredaktor i revistës “Dituria” të qytetit suedez të Borasit. Krahas një serie të tërë librash, me poezi, përshkrime, përshtypje, tradita, veprimtari, intervista etj., vitet e fundit, Sokol Demaku, i ka dhënë lexuesit një tjetër libër interesant dhe njohës për Suedinë, e konkretisht librin “Një rrugëtim magjeps në veriun e largët.”

 

Që në kopertinë, autori ka vendosur një pamje të hartës gjeografike të Suedisë, ku lexuesi dallon formën dhe pozicionin e saj gjeografik në Veri të Europës, ose shprehur ndryshe, në Veriun e Largët, deri në Arktik. E lexova me dëshirë të madhe këtë libër, për të mësuar akoma më shumë për Suedinë dhe, jo vetëm që mësova vërtet shumë prej tij, por dhe u impresionova nga përshkrimet, të veçantat dhe ngjarjet historike e pikante të këtij vendi, të rrëfyera thjesht nga Sokol Demaku. Në të vërtetë, kur e shpjegon një libër, sikur ia zbeh vlerat. Më e mira është ta lexosh vet, por, nganjëherë, mbase edhe komentet, që mund të bëhen, kanë edhe ato vlerën e tyre nxitëse për lexim.Gjithsesi: z. Demaku, që në hyrje, na përgatit se nga ky libër do të përjetojmë “Një rrugëtim magjeps në veriun e largët”. Përshkrimi nis me pamjen e Suedisë nga lart, nga avioni, nga ku vizitori sheh dukshëm dhjetëra dhe qindra liqene, të krijuara prej akullnajave; sikurse, sheh, natyrën e ngjyer me të gjelbër, thuajse në të gjithë hapësirën e  këtij vendi, ndërkohë që, vështrimi të mbetet në malet, kodrat piktoreske me bukuri të rrallë dhe në pamjet e bregdetit me thyerje natyrore të magjishme. Sigurisht që befasohemi kur mësojmë se në këtë vend janë regjistruar mbi 95.700 liqene, teksa autori i librit na grish: “Suedia është e bukur dhe, ta vizitosh atë në çdo centimetër të saj, do të thotë të marrësh kënaqësi të papërshkrueshme, të ndjesh atë çka në të vërtetë njeriut i mungon, ajo çka njeriun e  bën të ndjehet mirë në çdo kohë. Kjo është një mrekulli, që nuk e gjen në asnjë kënd tjetër të rruzullit tokësor…” Më tej, ai argumenton se  “është ambienti njerëzor, i cili është krijuar nga pasardhësit e vikingëve të lashtë, të cilët janë njerëz mikpritës, zemërgjerë, me ambicie pozitive për jetën dhe njerëzit, që, kur ti do t`i takosh, do mendosh se tek këta nuk ekziston fjala “jo“ dhe se çdo herë dhe në çdo kohë, mendojnë për veten dhe të ardhmen e tyre”. Në vazhdim, si për të na nxitur edhe më tej, Demaku shkruan: “dikur ishin ata, të cilët mërguan, iknin nga veriu, iknin nga trojet e tyre, sepse nuk kishin mundësi ta siguronin ekzistencën…”.

Demaku, nis rrëfimin nga krahina Smaland, e cila ndodhet në Jug-Lindje të Suedisë. Dikur, nga viti 500 përpara Krishtit, kjo krahinë ka qenë kënetë e më pas liqen, një krahinë mjaft e pasur me mineralin e hekurit, kurse nga mesi  viteve 1800, aty nisi dhe u zhvillua industria  e përpunimit të drurit dhe xhamit, uzinat metalurgjike, gjë që çoi edhe në ndryshimet pozitive të jetës së njerëzve të grumbulluar në këtë zonë. Ndërkaq, si rezultat i varfërisë dhe rritjes së popullsisë, shumë të rinj emigruan në Amerikë, një periudhë e vështirë kjo për suedezët, e pasqyruar edhe nga shumë poet dhe shkrimtarë…

                   

Me nëntitullin “Religjion i pasur me liqene”, z. Demaku na tregon se në krahinën Smaland, një ndër qytetet më të njohura, është qyteti i Kalmarit, një qytet mbretëror, me kalanë e tij të famshme. Radhitej ndër qytetet më të mëdhenj të Mesjetës, ku tregtarët gjermanë vinin dhe bënin eksportin e  hekurit. Peizazhi i Kalmarit, si dikur, edhe sot, ka një pamje fantastike, ai është  shumë i pasur me liqene, që mbeten të fiksuar fort në vështrimin e  vizitorëve të shumtë.

 

                                       

Por,  Kalmari është edhe “mbretëria  e qelqit”, prodhimi i të cilit ka marrë rrugë që në vitin 1742, ndaj, vizitorët nuk largohen nga Kalmari pa marrë me vete edhe disa suvenire të mrekullueshme qelqi. Ndërkaq, shëtitjet turistike, orientohen në fushat e gjera të krahinës, në male jo të larta, në pyje ku gjen llojshmëri drurësh, ndërkohë që vizitori mbetet pa fjalë nga mjediset dhe  shpatet e veshura me gjelbërim, nga thyerjet që krijon natyra dhe bukuritë që krijohen… Nëntitulli në vazhdim “Ujdhesa e re”, na përgatit të mësojmë se, jo larg nga Kalmari, ndodhet ujdhesa Öland, ku shkohet nëpërmjet urës së famshme mbi Baltik: Kalmar – Öland ( 6,072 m.) E quajtur ndryshe “Ujdhesa e diellit dhe  e erës”, Ölandi tërheq vizitorë të pafund, si për pamjen e saj të mrekullueshme gjeografike, për historinë dhe arkeologjinë, por edhe për plazhet tërheqëse me bukuri mahnitëse. Mjafton të themi se, ndërsa gjatë sezonit të dimrit ujdhesa banohet nga rreth 25 mijë banorë, gjatë muajve të verës, popullata shkon deri në 2 milionë. Autori kujdeset që në librin e  tij të na përshkruaj vende dhe mjedise tërheqëse, siç tregon se, në të dy skajet e ishullit ka nga një fener: Në Veri “feneri i Erikut të gjatë”, ndërsa në Jug “feneri i Janit të gjatë”.  Shpendët janë të shumtë në numër dhe në llojshmëri, veçanërisht në mjedisin përreth “fenerit të Janit të Gjatë”. Shpendët pushojnë këtu përpara se të marrin rrugën për në vendet e ngrohta në Jug. E njëjta gjë, ndodh edhe kur ato kthehen në pranverë. “Valët e detit, – thotë autori, – këtu hedhin shumë peshq, me të cilët do të ushqehen shpendët shtegtarë, përpara se të marrin udhëtimin e  gjatë vjeshtor. Era këtu është një motor që vë në lëvizje shumëçka dhe syri i njeriut has në çdo vend mulli ere”. Dikur, këta janë përdorur për të bluar drithëra, kurse sot në këtë fushë të gjerë, njerëzit ndërtojnë centrale elektrike me fuqi ere, dhe, këta janë të shumtë…” Duke na e përshkruar këtë Ujdhesë, autori me të drejtë thotë se “Ölandi është parajsa e Suedisë dhe  e suedezëve. “Këtë ishull, – thotë ai, – e bën të njohur ura mbi detin Baltik, flora dhe fauna e pasur, mullinjtë e erës, qytetet dhe vendbanimet e saj të lashta me arkitekturë interesante, si Borgholm dhe Ferjestaden, gurët gëlqeror, që quhen ndryshe “Gurët e Ölandit” me të cilët bëhen ndërtime karakteristike në të gjithë Suedinë. Ölandi është i njohur për prodhimin e luleshtrydheve, aty gjen lulet e famshme Arkaide,  por aty mund të vizitosh edhe  Vilën Mbretërore, të ngritur në vitin 1906, e ku kalon pushimet verore familja Mbretërore Suedeze. Dikur, në vitet 1569-1801, i gjithë ishulli Öland, i ngritur si një kopsht mbretëror, u bë edhe parku i gjuetisë së familjes Mbretërore. Autori në vazhdim të përshkrimit të tij, nënvizon se “Me siguri, edhe dielli ka zgjedhur ujdhesën Öland…Këtu ditët janë të ngrohta. Këtu rëra është e bardhë. Deti ka ngjyrë blu dhe i jep një gjallëri jetës dhe natyrës…”

Libri vijon me nëntitullin “Bota e Astrid Lindgren në Vimmerby”. Që në fillim, ai shkruan se, regjioni Smaland është i ngritur mbi relievin e vendit dhe quhet ndryshe dhe “Vendi i lartësisë suedeze”. Ngaqë toka është gurore, por me shumë pyje, njerëzit merren më shumë me punimin e drurit. Nga ky rajon ka lindur dhe gjiganti i njohur në tërë botën për përpunimin e drurit dhe mobilieve  IKEA…

 

Autori, ka jetuar në këtë qytet dhe ka punuar në fillim kur ka ardhur në Suedi, pas vitit 1999. Ai ka kujtime mbresëlënëse dhe ndihet i emocionuar kur tregon për qytetin Vimmerby, i cili daton nga  viti 1350. Ky qytet është edhe vendlindja  e shkrimtares së famshme suedeze Astrid Lindgren (1907-2002), autores së librit të njohur në të gjithë botën “Pipi Çorapegjata”. Aty vijnë, jo vetëm nga gjithë Suedia, por edhe turistë dhe vizitorë nga e gjithë bota…Dhe, duke na treguar me emocion për shkrimtaren e madhe suedeze, për librat dhe personazhet e saj, autori Demaku thotë me krenari se  “këtu bëra shkronjat e para në gazetari në Suedi, në redaksinë e Vimmerby Tidning, botova poezinë e parë në suedisht, çka jam krenar për këtë..”

Kapitull interesant në libër është dhe ai që titullohet “Tradita dhe mirësjellja në jetë”, e ku autori rrëfen se “Suedia është një vend nordik me 9.5 milionë banorë, është i treti për nga sipërfaqja në shtetet e Bashkimit Europian. Ajo është e ndarë në tri pjesë, apo më mirë le të themi në tre regjione të mëdha”. E, në vazhdim, mësojmë se Gotland, përfshin pjesën jugore të vendit, Svealand, Suedia e mesme dhe Norrland, atë veriore. E gjithë Suedia është e ndarë në 28 krahina apo rajone, në të cilat jetojnë popullata suedeze me tradita dhe zakone të ndryshme. Secili nga këta rajone, në kohën e vikingëve, paraqiste një vend më vete me ligje e rregulla vetjake të jetesës. Gjuha ishte e njëjtë, suedishtja, por me dialekte të ndryshme, që komunikonin me vështirësi mes tyre. Në Mesjetë, Suedia fillon të jetë një shtet unik, krijoi mbretërinë e saj në të gjithë territorin.  Aso kohe, popullata në pjesën më të madhe jetonte në fshatra dhe merrej me bujqësi, por, siç ndodhi në të gjithë Europën, koha  zbulimeve shkencore dhe, sidomos ai i makinës me avull, në vitet 1800, çoi në ndryshime të mëdha, lindën fabrikat e para dhe njerëzit nisën të shpërngulen nga fshati në qytetet e reja, që po krijoheshin. Suedezët tregojnë se në vitin 1866, pati një pranverë shumë të ftohtë, prodhimet bujqësore u dëmtuan shumë e sidomos patatja që ishte ushqimi kryesor. Kjo krizë detyroi gati 1 milionë suedezë  të hidhnin sytë për në vendet e ngrohta dhe nisën të shpërngulen në masë drejt Amerikës. Kurse nga mesi  viteve 1900, Suedia arriti një zhvillim të hovshëm, vendi nuk u përfshi as në Luftën e Parë dhe as në Luftën e Dytë Botërore, kështu që, shumë njerëz nga vende të ndryshme, iu drejtuan për mbijetesë dhe punë Suedisë. Këto ishin vitet e lulëzimit të industrisë suedeze…

                                                                                                                                                                        

“Në Suedi, – thotë autori i librit, – ekzistojnë qytete me madhësi të ndryshme. Të gjithë kanë një stil ndërtimi: në mes të qytetit është një shesh, pastaj qendra e qytetit me dyqane, posta, banka, shkolla, restorante, kinema, teatër..Sheshet përbëjnë pjesën më të vjetër të qytetit, ndërkaq, banorët preferojnë për jetesë dhe banim jo qendrat e qyteteve, por ata zgjedhin periferinë. Qytetet më të mëdhenj të Suedisë janë: Stokholm, Goteborg dhe Malme. Në Stokholm jetojnë njerëz nga 70 vende të botës dhe, si rrjedhojë, në shumicën e shkollave në Suedi fliten mbi 30 gjuhë të ndryshme nga nxënësit. Autori i librit të befason kur thotë se “edhe shpezët dhe shtazët, si ato të egra dhe shtëpiake, kanë të drejtat e tyre…” Në këtë vend njihen me hollësi dhe janë futur në libra emrat e të gjithë llojeve të zogjve, emrat e luleve, të kafshëve, por edhe emrat e drurëve që rriten në pyjet suedeze”.

S. Demaku ndalet në rajonin perëndimor Gota. “Thuhet, – shkruan ai, – se kur akullnajat kanë filluar të shkrihen, në këtë pjesë të Suedisë janë krijuar dy liqene të mëdhenj, të cilët edhe sot krijojnë pamje të mrekullueshme. Janë liqenet Vanern dhe Vattern. Toka mes këtyre dy liqeneve është shumë pjellore, aty mbillen drithëra të ndryshme, kurse lopët janë shumë qumështore…Në këtë regjion ndodhet dhe Goteborgu. Aty kalon lumi Gota, që buron nga liqeni Vanern dhe derdhet në det… Gjatë leximit të librit mësojmë se Goteborgu është qyteti i dytë më i madh i Suedisë, me mbi 1 milionë banorë. I vendosur në bregun perëndimor të lumit Gota, i themeluar me iniciativën e mbretit Adolf Gustav II, në vitin 1621. Është një qytet ku veprojnë shumë grupe të mëdha industrial e ku  punohet me teknologji të lartë; është porti më i madh  dhe një vend jashtëzakonisht i bukur dhe tërheqës. Janë të njohur: Muzeu Detar, Parku Zbavitës Liseberg, Muzeu i Natyrës,Teatri i Operës, ndërkaq Goteborgu është qytet i sa e sa monumenteve skulpturore, qyteti ku shumë njerëz preferojnë të lëvizin me biçikleta, ndërkohë që plazhet dhe mjediset e tyre tërheqin shumë vizitorë…Karakteristikë është se, shumë prej institucioneve kulturore, muze, spitale, universiteti, janë krijuar në sajë të donacioneve nga tregtarët e pasur dhe industrialistët e mëdhenj.

 

Interesante janë në këtë libër edhe ato pjesë ku autori shpjegon historinë  e qyteteve, të krahinave, por edhe të fshatrave apo të qendrave të banuara në lashtësi. E, konkretisht ai na tregon me hollësi për një fshat parahistorik, të ndërtuar njëlloj siç ka qenë në kohët e lashta. Fshati quhet Ekehagen, është ndërtuar në vitin 1981-82, është si të thuash një muze në natyrë, shumë afër origjinales së lashtë afër 12 mijë vjet më parë, ai vizitohet nga një numër shumë i madh turistësh, konsiderohet pasuri e madhe kulturore dhe një mundësi më shumë për zhvillimin e turizmit. Aty, vizitori, njihet gati si në ato kohë, me epokën e gurit, të bronzit, të hekurit. “Ky fshat magjik, – shkruan autori Demaku, – na “dërgon” në një kohë tjetër, ku do të përjetojmë përvoja jetësore, pothuajse si në parahistorinë e vërtetë”. Por, aty, nxënësit e shkollave mësojnë si në asnjë vend tjetër historinë dhe kulturën e brezave në shekuj e mijëvjeçarë…

Zë një vend të rëndësishëm në këtë libër, veçanërisht përshkrimi i qytetit të Boråsit, dhe ku lexuesi ndjen një kënaqësi të veçantë jo thjeshtë se çfarë përfaqëson ky qytet dhe shkallët e zhvillimit të tij, por nga mënyra e të treguarit, përjeton në mënyrë thuajse reale jetën e qyteti dhe të banorëve të tij…Aty mësojmë se, ishte  Gustav Adolfi i II, i cili më 29 qershor 1621 themeloi qytetin e Boråsit…Më tej autori flet me pasion për vlerat dhe bukuritë e mahnitshme të qytetit, jetën ekonomike, shkencore, shkollore dhe kulturore e artistike, për zona të veçanta, institucione, objekte, për peizazhe dhe zona turistike tërheqëse, për njerëzit punëtorë dhe mikpritës… Ai shpjegon se si nisi dhe lulëzoi tregtia në qytetin Borås, i cili mbahet si qendra e tregtisë dhe e tekstilit për të gjithë Suedinë. Quhet ndryshe edhe “Qyteti i tekstilit”. Duke qenë se ky qytet është vendbanimi i z. Demaku, ai e përshkruan atë me hollësi, duke nënvizuar se aty takon njerëz të dashur dhe mikpritës, të mirë, të urtë dhe shumë punëtorë…Ndërkaq, ai shkruan me hollësi dhe për vendin që  kanë shqiptarët në Borås, kohën e ardhjes këtu, numrin familjeve, gjurmët kulturore dhe dokumentare, e, më pas, ai ndalet veçanërisht në krijimin e Qendrës Kulturore Shqiptare me emrin e  poetit të madh “Migjeni”, e cila u themelua në 10 mars të vitit 2007…

Përbënë një kapitull të veçantë dhe shumë tërheqës pjesa  librit kur flitet për kryeqytetin e Suedisë, Stokholm, themeluar në vitin 1250, qytet me mbi 700 mijë banorë në qendër, kurse, i gjithë qyteti me mbi 2.3 milionë banorë, të cilët jetojnë në katërmbëdhjetë ishuj, që lidhen ndërmjet tyre me mbi 40 ura…Stokholmi është qendër e madhe financiare, por edhe tregtare dhe industriale. Duke qenë se mungon industria  e rëndë, klasifikohet ndër kryeqytetet më të pastër të botës, me hapësira me shumë gjelbërim, me ujë të pastër dhe të shëndetshëm….Autori nis shpjegimin me hollësi që nga etimologjia e emrit Stokholm, stock(trung-cung) dhe holm(ishull) e, më tej, me ndërtimet e banesave, shtëpitë, rrugët, sheshet, qendra e mëdha ekonomike, politike, aeroportet, qendrat kulturore, muzetë, shkollat, bibliotekat, qendrën e Nobelit, transportin detar dhe me trena, autobusë e mjete të tjera; ai rrëfen për  parqet zoologjike, për mjediset çlodhëse dhe argëtuese për të gjitha moshat. Stokholm është një  bukuri e pasosur dhe plot variacion, që krijon vizione dhe emocione të pa rrëfyera në shpirtin dhe përfytyrimin e  çdo njeriu që viziton këtë qytet të mahnitshëm…Temperatura më e lartë e regjistruar në Stokholm është 36 0 C kurse më  e ultë -32 0 C…

Po kaq interesantë dhe tërheqës është kapitulli   “Santa Luçia”, një shenjtore dhe një ngjarje, që është kthyer në festë tradicionale, me një histori tërheqëse e që bën kureshtar këdo që e dëgjon, ndërsa spektakli i saj është një tjetër mrekulli e mendjes dhe e botës krijuese dhe emocionale.

 Ditët e festës së “Santa Luçias”, që zhvillohet në muajin dhjetor, “treni i Luçias” gjithë dritë, rrugëton nëpër të gjithë Suedinë, për të shpërndarë kudo në çdo shtëpi suedeze dritë dhe lumturi…

Ndërkaq bukuritë e Suedisë nuk kanë fund dhe është e pamundur që në një libër të përshkruash gjithçka, por z. Demaku, me sa duket nuk mund të mos na tregonte dhe për përshtypjet që i krijohen vizitorit gjatë një vizite në “qytetin e akullit”, dhe konkretisht për hotelin e akullit, i cili është ndër të parët e këtij lloji në botë, një atraksion i madh turistik në Veri të Europës. Ai ndodhet diku 20 km larg qytetit më verior të Suedisë, Kiruna. Në këtë hotel akulli dhe bore,(ndërtuar me blloqe akulli të marrë nga lumi Torne) me një sipërfaqe 5500 metra katror, në kohën e sezonit nuk gjen vende të lira, pasi vendet e fjetjes dhe qëndrimit janë të porositura. Hoteli ndërtohet çdo vit nga fillimi. Çdo muaj mars merren akuj nga lumi Torne, si dhe grumbullohet borë për të lidhur blloqet e akullit mes tyre…Vizitorët vijnë që në muajin dhjetor, por kapacitetin e plot hoteli e ka në muajin janar. Hoteli është i pajisur me një bar, një kishë dhe një seri dhomash për 100 mysafirë. Funksionon deri në muajin prill të çdo viti, kur edhe zhduket, shkrihet, teksa më pas nisin përgatitjet për hotelin e ri. Në ndërtimin e  tij marrin pjesë arkitekt dhe artistë nga më të mirët në botë.

Në vazhdim, autori na rrëfen për “Ditën e Shën Gjinit“, një traditë e vjetër suedeze, që festohet mes datave 19 dhe 25 qershor për çdo vit. Kjo ditë është ndër më të gjatat e vitit, kurse nata nga më të shkurtrat e vitit, ku nuk ka natë fare, por vetëm dritë, një dukuri që ndodh vetëm në Polin e Veriut. Kjo është koha e fillimit të pushimeve verore.

Po aq interesante janë shpjegimet dhe rrëfimet e  Sokol Demakut për krahinën Lapland, një ndër krahinat më të mëdha të Suedisë, por me një numër të vogël qytetesh. Në këtë krahinë jetojnë Samtë, dikur ata quheshin lappar dhe, për këtë arsye edhe krahina është quajtur qysh atëherë Lapland. “Secila krahinë në Suedi, – shpjegon autori i librit, – ka lulen e saj, por edhe shtazën e saj karakteristike”. Lapland ka lule Tacen e bjeshkës, ndërsa nga shtazët, karakteristike është dhelpra e bjeshkës, e cila gjatë verës merr ngjyrë të përhimët, kurse gjatë dimrit ngjyrë të bardhë. Më tej autori na tregon për “Diellin e mesnatës”, ku shpjegon pse vera është e shkurtër, me dritë gjatë gjithë kohës, edhe ditën, edhe natën, dielli është në horizont, edhe në mes të natës, një fenomen i rrallë që shihet vetëm në këto zona të rruzullit tokësor. Ndërsa, gjatë stinës së dimrit, ndodh  e kundërta, gjatë ditës koha është e errët, për shembull në kohët e kërshëndellave, drita ka vetëm një moment gjatë ditës, kurse e gjithë koha tjetër, edhe dita, është sikur të jetë natë.

Në krahinë gjenden bjeshkët më të larta të Suedisë dhe vendet më të njohura për sportet dimërore, Kebnekase është maja më e lartë (2111 metra). Z. Demaku na rrëfen se në këtë zonë gjenden manaferra me shumicë dhe shumë familje të Lapland merren me mbledhjen e tyre për t`i përpunuar më pas. Nga Laplandi, ku  njerëzit bëjnë ski, kanë dalë dhe skiatorët më të famshëm të botës, ndër të cilët është dhe  Ingenmar Stenmark, lindur dhe rritur në këtë zonë. Kur ai ndodhet në garë, të gjithë suedezët, janë përpara televizorëve duke ndjekur me emocion kampionin e tyre botëror. Z. Demaku na rrëfen dhe për “Stacionin e gjithësisë” Esrange, pranë qytet të Kirunës, prej nga ku lëshohen balona dhe raketa për qëllime shkencore. Aty studiohen edhe aurorat polare, me bukuritë marramendëse të dritave…

Në Kiruna, ndodhet dhe miniera më e madhe e vendit, ku nxirren xehe hekuri, është miniera më e madhe nëntokësore në botë, brenda galerive dhe tuneleve të saj punëtorët shkojnë me autobusë. Për të siguruar jetën e banorëve të qyteti, meqenëse nën të janë bërë shumë gërmime për shkak të nxjerrjes së mineralit, ka filluar puna për  shpërnguljen e qytetit të Kirunës disa kilometra më larg vendit ku ndodhet sot. Nga kafshët që rriten dhe shfrytëzohen nga njeriu në Lapland janë drerët, që mbarështohen nga samtë, të cilët jetojnë në këtë krahinë përpara  më shumë se 1000 vjetëve. Ata janë pronarë të tufave të drerëve, nga të cilët marrin lëkurët dhe mishin, por, drerët, tërheqin edhe slita. Më parë,samtë  jetonin në kasolle, pasi lëviznin shpesh, kurse në kohët sotme jetojnë në kushte moderne, me shtëpi normale…

Në vazhdim, pasi tregon përshtypjet e mësueses suedeze Sonja Persson për fëmijët shqiptarë të shkollës “Fjardingskolan” të Boråsit, z. Demaku e mbyll librin e tij tërheqës, me kapitullin “E drejta e çdokujt për të qëndruar në natyrë”, ku flitet për liritë e njeriut për të shfrytëzuar  natyrën gjithnjë me parullën “Mos shqetëso!” “Mos dëmto!”

Natyrisht që ky artikull është më shumë një përshkrim i shpejt i librit të mrekullueshëm që na ka paraqitur  Sokol Demaku. Nga leximi i librit, gjithkush, jo vetëm do të mësoj shumë gjëra të reja dhe mbresëlënëse, që ndodhin në Veri të Europës, por them se edhe do të marrë përvoja që mund t`i vlejnë në jetën personale, familjare dhe sociale, madje kjo në të gjithë drejtimet, si në atë ekonomike, ku Suedia është nga vendet më të zhvilluara në botë, ashtu dhe në atë sociale e demokratike, ku të drejtat dhe liritë e njeriut e, veçanërisht të grave, respektohen dhe zbatohen me përpikëri si askund tjetër.

***

Suedia është një vend i  ftohtë për shkak të pozicionit gjeografik, por  aty jetojnë njerëz me zemra të ngrohta, të dashur dhe mikpritës të rrallë, me botë të madhe humane, me cilësi të shkëlqyera, nga ku bota ka shumë për të mësuar. Duket, që njerëzit më të zhvilluar të planetit,  janë edhe më të drejtë; njerëzit që kanë vuajtur më shumë, janë edhe më të drejtë dhe më kurajoz për të mbrojtur të drejtën dhe të vërtetën. Historikisht, Suedia i ka qëndruar përkrah Shqipërisë dhe popullit tonë. Përfaqësues të saj, nga më të mirët, kanë qenë gjithnjë kundër rrymave shoviniste, pushtuese dhe ekstremiteteve, ata kanë dëshmuar gjithnjë të drejtën e popujve dhe të vërtetën, duke përbuzur interesat komerciale, egoiste dhe meskine. Ishte shkencëtari  dhe studiuesi suedez Johann Thunmann, i cili iu përkushtua Shqipërisë dhe shqiptarëve, studioi me themel lashtësinë dhe historinë e saj dhe, duke arritur në konkluzione shkencore dhe bindëse, në një prej librave të tij, ai mbështeti fort origjinën ilire të shqiptarëve. Ndërkaq, është albanologu, studiuesi dhe përkthyesi i njohur suedez Ullmar Qvick (Kvik), i cili, pa asnjë lloj interesi, e ka lidhur jetën dhe përkushtimin e  tij me kombin shqiptar, duke ngritur zërin dhe duke denoncuar padrejtësitë e bëra këtij populli në librin e  tij brilant: “Më shumë heroizma sesa grurë”. Është bërë proverbiale shprehja e tij e famshme: “Unë, nëse do të jetoja edhe një herë, do të punoja me shqiptarët dhe për shqiptarët”. Shqiptarët e Suedisë dhe të tjerë me qindra dhe  mijëra, i kanë dhënë atij titullin e lartë “Miku i madh i Shqiptarëve”. Ndërsa, ish Ministrja e Jashtme  e Suedisë Anna Lindh, u vra barbarisht nga një ekstremist serb, vetëm e vetëm se u doli në mbrojtje të drejtave dhe lirive të shqiptarëve  të Kosovës…

Veç sa thamë më sipër, ishte përkrah shqiptarëve  veprimi i madh  i Qeverisë  Suedeze, e cila pranoi afro 60 mijë shqiptarë  në trojet suedeze, që në demonstratat e vitit 1981 dhe gjatë luftës së Kosovës, i strehoi dhe i ndihmoi ata të integroheshin, dhe, sot, ata janë qytetarë të denjë të Mbretërisë Suedeze. Këto, dhe të tjera qëndrime dhe fakte, tregojnë si drita e diellit se suedezët janë popull me vizione të shkëlqyera, mbrojtës të lirisë, pavarësisë dhe demokracisë. Është një fakt tjetër, gjithashtu, që mërgata shqiptare  e Suedisë, është dukshëm në avangardë të mërgatave të tjera shqiptare, edhe sepse liritë dhe të drejtat që i jep asaj  Mbretëria Suedeze, janë të atilla, që çlirojnë tek ajo energji të pashtershme; bashkëkombësve tanë u krijohet mundësia e pasurimit të jetës duke  përçuar traditat më të mira shqiptare në vendin mikpritës suedez dhe duke u prezantuar me ato tradita. Kam qenë edhe vet dëshmitarë, kur autoritete të larta suedeze, me ndjenjën e respektit dhe të modestisë, kanë qenë të pranishëm në veprimtaritë që kryejnë shoqatat dhe qendrat kulturore dhe arsimore shqiptare në Suedi. Kam takuar kryetarin e bashkisë së qyteti të Boråsit PerOlof Höög, së bashku me bashkëshorten, në veprimtari kulturore, festive, tradicionale, ashtu dhe në përurime librash të autorëve shqiptarë. Kanë qenë të pranishme në këto veprimtari, zyrtarë të arsimit dhe të kulturës, siç ishte rasti në një përurim libri të një autori shqiptar, i Drejtores së Arsimit të qytetit të Boråsit znj. Gulsen Ozdenkos. Kurse, të gjithë shqiptarët e qyteti Borås, e dinë se rektori  i shkollës “Fjardingskolan” Per Kettisen, mban në tavolinën e zyrës së tij, dukshëm, një bust skulpturor të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, teksa, sa herë është me shqiptarë, ai nuk harron të veshë një fanellë me shqiponjën e flamurit tonë kombëtar. Sikurse, isha dëshmitar, kur në Festivalin e Fjalës Poetike, të organizuar në vitin 2017 nga Qendra Kulturore Shqiptare “Migjeni” në Borås dhe Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptarë të Suedisë “Papa Klementi XI Albani”, atje, merrnin pjesë një grup i madh artistësh dhe shkrimtarësh suedezë, mes tyre dhe kryetarja e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Rajonit Perëndimor të Suedisë znj. Kristin Bjarnadottir. Por, aty, ishin të pranishëm, edhe autoritete të qytetit, mes tyre edhe funksionarja e  lartë e Bashkisë së Boråsit, Ida Lidemark, e veshur me kostumin kombëtar shqiptar. Këto qëndrime, janë inkurajuese për të gjithë ne, pasi na japin mësime të çmuara për veprimet dhe qëndrimet, që duhet të mbajmë ndaj kulturës, traditave, artit, letërsisë dhe respektimit të vlerave kulturore. Sa herë që dëgjoj për Suedinë dhe njerëzit e saj të mençur dhe punëtorë, ndjej të më vërshojnë brenda vetes falënderime të mëdha dhe mirënjohje për jetë, për mbështetjen dhe inkurajimin, që ata na japin në rrugën e  lirisë, pavarësisë dhe demokracisë. “Miku i vërtet duket në ditë të vështira” dhe, suedezët, e kanë treguar shpesh herë vërtetësinë  e kësaj fjale të urtë.

***

Përfundim: I shpreh falënderime z. Sokol Demaku, që ka marrë këtë nismë të shkëlqyer, duke botuar librin “Një rrugëtim magjeps në Veriun e Largët”. Duke na rrëfyer gjëra që kemi shumë nevojë t`i dimë, na ndihmon që të përmirësojmë  më tej dhe më shumë jetën, ta zhvillojmë atë në drejtimin duhur, për veten tonë, por, më së shumti, për fëmijët tanë dhe brezat që do të vijnë…

 

 

Please follow and like us: