Albspirit

Media/News/Publishing

Bislim AHMETAJ: Kushtrimit të Lulzim Bashës i mungon kollona zanore(!?)

 

 

Një hyrje që e dimë të gjithë! Që para vitit të ri Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha paralajmëroj që janari do të nis me protesta të cilat nuk do të ndalen deri në rrëzimin e Edi Ramës. Objektivi i këtyre protestave do të jetë ndërtimi i një qeverie anti-mafia e cila do të ketë dy prioritete themelore: Luftë pa kompromis krimit të organizuar nga ai shtetëror deri tek krimi i rrugës. Prioriteti tjetër po kaq i rëndësishëm do të jetë organizimi i zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe të pakontestuara nga asnjë faktor qoftë ai i brendshem apo ndërkombëtar.

Edhe pse në Shqipëri realiteti ekonomik, social dhe politik është eksplodues dhe i ndryshëm nga shumw vende ku demokracia dhe shteti ligjor janë të konsoliduara, ky është objektivi i çdo opozite kudo në botë. Këtë objektiv ka edhe Partia Demokratike e Amerikës qysh ditën që zgjedhjet presidenciale i fitoi Presidenti Tramp dhe partia e tij, këtë objektiv ka Partia Socialdemokrate Gjermane e Martin Schulz-it që i humbi zgjedhjet për herë të katërt me CDU-në e Merkelit. Edhe Marinë Le Pen me partine e saj të Frontit Nacional ka shpallur objektiv prioritar të vetin fitoren e zgjedhjeve të ardhshmë presidenciale, që ditën kur u zgjodh President i Francës Emanuel Macron. Berlusconi me Forza Italia-n bashkë me forcat e tjera opozitare janë bërë gati ta rrëzojnë Matteo Renzin.

Detyra dhe misioni kushtetues i opozitës është të korrigjojë çdo politike të keqe të mazhorancës dhe kur nuk e arrin këtë me rrugë parlamentare atëherë ajo duhet ta udhëheqë popullin në protesta dhe ta detyrojë shumicën të tërhiqet. Kjo është teori politike që tek ne e njohin edhe fëmijët e kopshteve. Kjo është detyra e çdo opozite në të gjitha vendet ku ajo ekziston dhe është reale.

A duhet rrëzuar kjo mazhorancë? Kësaj pyetje është i gatshëm t’i përgjigjet me një “po” të fortë edhe vet kryetari i saj , pasi ai është i zhytur me bindje në llumin e drogës dhe parave të pista që ja vunë “tepsinë” që kerkoj para turinjëve. Tepsi e cila ia ka mbyllur sytë, lidhur duart, kapur këmbët dhe kyçur gojën e topitur trurin. Tepsi e cila nuk po e lejon ta çojë kokën prej saj dhe të shohë që Shqipëria po lëngon, shqiptarët po i ikin vendit të tyre si ‘shejtani prej temjanit’.

Mazhoranca e tepsisë që doli prej zgjedhjeve të qershorit të kaluar edhe me “lejen” e Bashës nuk po ia del të bind askënd në këtë vend se është e aftë të punojë për rritjen e mireqënjes dhe prosperitetit të qytetareve të saj. Të vetmet investime të huaja janë paratë e drogës që ja dalin të injektohen në bizneset e klienteles. Të vetmet vende pune që hapen vine nga PPP-të që janë paratë e taksave të qytetareve por që ekonomisë i rikthehen me një kosto disa herë më të lartë seç mund ti vinin në mënyrë të drejtëpërdrejtë. Fjala reformë në drejtësi ju ka ngecur në fyt si gozhdë e ndryshkur. Ministri më i suksesshëm që sigurojë tepsinë është kontigjent burgu, drejtori i tij i përgjithsëhm, krenaria e tepsisë u lirua nga detyra për “merita të veçanta”. Ambasadorët janë rrudhur e strukur sikur ju ka zanë kolera. Shqipëria është vendi që mban vendet e para në toplistat e trafiqeve të stokut të drogës së kultivuar në mandatin e parë qeverisës, shqiptarët janë të parët në toplistat e azil kërkuesve në vendet perendimore duke lënë pas Guinenë, Sirinë, Avganistanin dhe Congon. Shqipëria si vend origjine “i sigurtë” këtë standartë e plotëson vetëm për mundësinë e trafikimit të qënjeve njerëzore, drogës, armëve dhe sendeve të tjera të ndaluara. E vetmja gjë që funksionon në këtë kazan -qeveri është propaganda. Propagandë që do t’ia kishte lakmi edhe Gebelsi, ministri për zemër i Hitlerit.

Pa fund ka argumenta që kjo “tepsi” duhet të derdhet, duhet t’i kthehet për sitje qytetarëve të lirë dhe të pa shtërnguar. Qytetarëve duhet t’ju jepet e drejta të reflektojnë me votë për drejtimin e ri që duhet të marrë Shqipëria. Në këtë pikë jam dakort dhe ndaj të njëjtin mendim me Lulzim Bashën edhe në qoftë se ai nuk e ka seriozisht…

Por unë druaj se Lulzim Bashës i mungon kolona zanore në kushtrimit që ka lëshuar për protesta? Unë druaj që Basha është i paragjykuar në këtë sipërmarrje, pasi ai s’ka pasë guximin të thërrasë pikë së pari Këshillin Kombëtarë të Partisë Demokratike, si organin legjitim për vendime madhore. I cili ka dalë nga Kuvendi me më shumë delegatë në historinë e Kuvendeve të Partisë Demokratike në këto 27 vite. (Për kujtesë të lexuesit në Kuvendin e PDSH-së të mbajtur në datat 27 dhe 28 shtator 2014 kanë marrë pjesë 7500 delegatë, të cilët zgjodhëm 150 anëtarë të Këshillit Kombëtar që janë mbledhur vetëm një here në këto katër vite e katër muaj. Dhe kjo herë e vetme sherbeu për të zgjedhur ekipin e ngushtë të Bashës, ekip që shërbeu për të prodhuar rezultatin zgjedhor më të zymtë që ka shënuar PD-ja në këto 27 vite të ekzistences së saj si forcë politike).

Kjo frikë nga institucionet legjitime të partisë së tij me të drejtë nga kundërshtarët dhe skeptikët e tij përkthehet në mosbesim tek produktet që do të mund të prodhojë protesta. Unë druaj se kushtrimit të Bashës i mungon kollona zanore sepse nuk ka thirrur dhe nuk është konsultuar për këtë aksion politik me peshë kombëtare Jozefina Topallin, Astrit Patozin, Ridvan Boden, Majlinda Bregun, Besnik Mustafën e qindra zëra potencialë mediatikë dhe të heshtur të Partisë Demokratike ndër vite.

Druaj se Basha nuk ka thirrur dhe nuk është konsultuar me Nebil Çikën, Besim Ndergjonin, Reshat Kripën, Adem Allçin e dhjetra eksponentë që përfaqësojnë shtresën e të përndjekurve politikë, këtij grupi interesi që ka qënë dhe mbetet “hambari” i votave për Partinë Demokratike në këto 27 vite.

Druaj se Basha nuk ka thirrur dhe nuk është konsultuar me zerat më të spiktatur të protestës qytetare në këto vite si Aulon Kalaja, Altin Goxhaj, Erion Kristo, Arian Galdini e shumë emra te spikatur aktivistësh të shoqërisë civile që kanë organizuar qindra protesta me karakter kombëtar, politik, ekonomik dhe mjedisor në këto vite dhe që janë palca e shoqërisë civile të pakorruptuar.

Druaj se Basha nuk ka thirrur dhe nuk është konsultuar me intelektualë dhe figura publike që janë “çjerrur” duke mbrojtur kauzat e qytetareve si Flutura Açka, Edison Ypi, Ilir Kaduku, Fatos Lubonja, Ilir Kadia, Omer Stringa, Edmond Tupja dhe emra të tjerë që përditë publikojnë shkrime, qëndrime me zë dhe figurë kundër veprimeve arbitrare të mazhorancës së sotme.

Druaj se Basha nuk ka thirrur dhe nuk është konsultuar me producentë të mediave vizive, gazetave dhe rrjeteve sociale qartazi të përcaktuara si opozitare si “Shijak TV”, “Zjarr TV”, “Standart”, “Tirana Observer”, “Panorama”, “Koha Jonë” , “Syri net”, CityNews” “Sprint.al”, “Droni”, “Alb-Spirit” ,”Albeu” “Jeta-osh-qef” e shumë e shumë të tjera që e mbajnë gjallë opinionin publik me shpresën se kanë ku të shkruajnë dhe kanë ku t’i shprehin mendimet e tyre opozitare.

Druaj se Basha nuk ka thirrur dhe nuk është konsultuar me përfaqësues të shoqatave që i kanë pri, themeluar dhe e kanë mbajtur gjallë pluralizmin politik në Shqiperi siç është Grupimi “Dhjetor ‘90”, Shoqata “2 Prilli”, Shoqata “13 Dhjetori” e Shkodrës, Shoqata “14 Dhjetori” e Elbasanit, Shoqata Antikomuniste e Kavajës, sindikata dhe organizata pronarësh të vërtetë që kanë këtu e 27 vite që kontribojnë për konsolidimin e vlerave të demokracisë dhe lirisë në Shqipëri pavarësisht minimit që i ka afruar politika e ditës.

Në kodin zakonor shqiptarë ka qënë dhe vazhdon të jetë e skalitur që punët e rëndësishme të shpisë në krye të herës “pleqnohen” me robtë e shpisë, pastaj dalin në “tellall”. Në qoftë se ata këshilltarët tuaj “mizerabël” nuk e dinë këtë kod ti na pyet ne more burri i dheut. Ti ndoshta mendon se ne të gjithë sa unë permenda më sipër ta kemi me hile ty, po të jesh i sigurtë që Partisë Demokratike ia duam vetëm të mirën, sepse ajo është shtëpia jonë dhe deri sa e të kemi “ba” ty zot shpie ka qënë shpi me emër dhe derë e hapur për çdo shqiptar dhe mik të mirë i çfarëdo kombësie të ketë qënë.

Tiranë, 13 Janar 2018.

Please follow and like us: