Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Ushqejmë njëri-tjetrin me banane

 

 

Gjatë vitit 2013, temë e ditës në Shqipëri ka qënë tritoli. Një fushatë qeveritare përmes një institucioni të quajtuar INUK, ose Inspektoriati i Ndërtimit Urbanistik Kombëtar. Një institucion që po të pyesje dikë, të ta përshkruante, me siguri do të vizatonte një figurine midis elefantit dhe Warysnikit, në fund të fundit të dy gjymtyrë kryesore feçkën kanë. Pra 2013-ta nuk ishte asgjë tjetër, por tritol dhe feçka e INUK-ut. Një ekstazë sociale, sidomos e të majtëve të bashkuar, pas marrëveshjes së madhe në Shkoder, midis Ramës dhe Ilir Metës. Kaq të dehur nga era e tritolit, sa edhe sot e kësaj dite besojnë se pasurinë kombëtare e kanë zhvatur vetëm demokratët. Shefat e tyre janë të kulluar, madje i quajnë si gjë normale edhe këto format e kanabizimit të vendit, ku tek-tuk fal prokurorisë italiane dhe asa greke bie në rrjetë ndonjë çun Blloku apo ish minister që ka protestuar fort, madje është ndeshur me uniformat si ‘luan i vërtetë’. Apo tenderime të tjera të mëdha me preteksin se po ndreqin firot e qeverisë parardhëse, në sheshet publike sot me një statut special të rilindjes kineze. Si gjithmonë ne entuziastët merremi me të drejtat e shefave, një turmë që mërmërit ca, ia bëri mire qenit, ca të tjerë, na të gëzoj tani… Në fakt është e gjitha kështu, një histoi gati vulgare e jona fillo të qeverisësh duke prishur. Pra me prish, ndërto, prish, ndërto…, një motor që përtyp vetveten. Mjafton tu kujtojmë mbikalimin tek Zogu i zi, apo sheshin e legenave në Tiranë. Pa harruar ritin kancer që tender e asfalto sot dhe nesër çaje rrugën fillim e fund vetëm për të shtruar një kabëll. Të gjitha i kemi bërë me qejf, të eksituar pa e kuptuar asnjëherë se, si Berisha, si Basha, si Meta, si Rama. Dhe shpura e tyre në tërësi, nuk humbasin asgjë. Përkundrazi mbarsen, hapin fronte pune për arkat e tyre. Ne jemi vetëm ca gagarelë që bëjmë tifozëllëk majmunësh. Mbajmë në dorë nga një banane, ushqejmë njëri-tjetrin dhe gajasemi, kurse ata kanë plantacionet. Kanë edhe stallat mbushur plot me kokat tona. E njejta gjë po ndodh edhe tani këtë 13 milionshin e eurove dëmshpërblim nga gjykata e Strasburgut, për vjehrrin e Lulzim Bashës. Ca ta shpifin kur shkruajnë dhe pyesin naivisht se ku i gjeti vjehrri i Bashës aq para e token që të ndërtonte tek uji i ftohtë. Ndonjëri, ndofta shikon nga vjehrri i tij dhe habitet pse nuk ka edhe ai ndonjë truall diku, bash ku deti flladit gurët, e hapet tutje, një fushë plot të ardhura. I hakërrohen prokurorisë… ca të tjerë, fërkojnë duart se dështoi Rama. Me këto politikat ”e forta” të rilindjes shqiptare. Pika që nuk na bie…, kemi dështuar ne. Janë paratë tona. Dhe po të llogarisësh se sa prishje, ndërtime, e prishje janë bërë përgjatë këtyre viteve, jemi taposur me banana para e mbrapa, lart dhe poshtë. Janë para publike që fare mire mund t’i kishin shkuar investimeve publike. Vetëm në raste të veçanta dhe marrëveshje të mëdha prishen objekte të përmasave të tilla. Qofshin edhe kur janë produkt i tregtisë së zezë. E kam thënë edhe atëhere me një artikull të vogël, Tritol. Pronat e dyshimta mund të shtetëzohen, aq më më tepër që një vend si i yni ka sot kaq shumë nevojë për spitale, shkolla, a shtëpi të moshës së tretë. Dhe nëse tjetri do e fitonte rikthimin me gjyq, siç ndodhi me rastin e vjehrrit të Bashës, i kthehej godina, dhe aq. Kurse sot përfundimi i ftohtë, është, dëmshpërblim i pronarit, plus ato që morën ata banorë që jetonin aty, një thellim i vrimës së zezë, asaj ku firojnë paratë publike, taksat e shqiptarëve. Pse? Për shkak të ekstazës dhe revolucionit të rilindjes. Një çmenduri të cilën e kurorëzojmë edhe me fronin e qeverisjes.

Që sot ka emrin Edi Rama.

Ne, ushqejmë njëri-tjetrin me babane, ata me qeverisje, tenderime, para të thata. Kaq e gjitha.

Please follow and like us: