Mendime “Për qytetarët që duhet të dëgjohen”
Ina Kosturi
Titulli i shkrimit të Afrim Krasniqit “Për qytetarët që duhet të dëgjohen” më duket frazë e saktë për qytetarët e sotëm shqiptarë që, me gjithë plagët e tranzicionit dhe problemet e shumta, jetojnë në një shoqëri demokratike dhe republikë parlamentare. Në shoqërinë kapitaliste edhe një i vetëm individ ka të drejtë të dëgjohet, ka të drejtë të japë opinione. Për këto të drejta të fjalës së lirë, të drejtës së prononcimit, të reagimit e publikimit ka luftuar shoqëria shqiptare, media, dhe kjo liri e individit është një nga parimet bazë për të cilat kanë financuar e bashkëpunuar institucionet ndërkombëtare, ambasadat e huaja, institucione të rëndësishme të cilat synojnë nëpërmjet investimeve përparimin dhe nxitjen e progresit, zbatimin e parimeve e demokrasicë.
Kjo përpjekje e realizuar nëpërmjet shoqërisë civile, organizatave, fondacioneve është një pjesë shtesë që i bashkëngjitet në miniaturë poceseve të reformave të shtetit, ku institucioni më i lartë është parlamenti, ku korrupsioni e fenomene të tjera luftohen me vetting, me deklarime pasurish e shumë mekanizma të tjerë të rëndësishëm, me votën qyteteare në zgjedhje dhe kërkesë llogarie.
Një shtet dhe kur funksionon keq, një qeverisje e mirë ose e keqe funksionon mbi bazën e këtyre parimeve dhe institucioneve, në bazë të ligjeve e rregullave. Të formuluara mirë e të zbatuara ndoshta keq, ato janë ligje të një shteti , të lira ose jo, të ndershme, ose jo të drejta zgjedhjet parlamentare janë esenca, baza, mënyra e vetme e funksionimit. Kushtetuta dhe ligjet, parlamenti, ministrat e qeveria mbeten organet drejtuese të shoqërisë shqiptare.
Në gjithë këto vite demokraci, investimet e institucioneve të huaja kanë ardhur në rritje duke inkurajuar dhe mekanizmat shtesë, duke krijuar një impakt më të madh se ato institucione që funksionuan në Shqipëri pas viteve 90. Sot diskutojmë për impakt tjetër, shpejtësi veprimi dhe artikulli tregon për potencialin e madh të këtyre strukturave që me anë të projekteve, thirrjeve, aplikimeve financojnë nga donacionet e institucioneve të huaja e qeverive , individë e grupe shoqërore në Shqipëri siç citohet në artikull” duke u dhënë shanse të ndryshojnë dhe vendimet e politikës dhe institucioneve, me kurajë të madhe për krijimin e një shoqërie të përhershme dhe të pushtetshme”.
Pra, kemi nisma të shpejta, të fuqishme dhe të pushtetshme . Duke e marrë të rëndësishëm investimin që bëhet nga institucionet jashtë vendit e organizmat ndërkombëtarë në një vend si Shqipëria, ku diskutohen probleme e fenomene të rënda, nga korrupsioni te përdorimi i pushtetit për interesa personalë, lind pyetja se cilat janë burimet njerëzore që realizojnë këtë aksion të fuqishëm, që shtrihet në gjithë vendin e bashkëpunon me gjithë institucionet ? Bashkë me donacionet, institucionet ndërkombëtare nuk sjellin dhe një produkt njerëzor tërësisht të pastër, me moral, parime, integritet që kryen në mënyrë perfekte këtë aktivitet. E gjejnë midis shoqërisë shqiptare,në një shoqëri ku probleme kanë qeveritë dhe vetë ministrat. E përtej problemeve ministrat i nënshtrohen zgjedhjes me votë, bëhen pjesë e debateve, janë çdo ditë në shënjestrën e publikut, medias, zëri i të cilëve i zhagarravit herë me të drejëtë e herë jo, shpesh deri në fyerje. Ministrat e çdo qeverie, të aftë ose jo përballen me qytetarin çdo ditë, çdo çast, sepse monitorohen për të qenë modele të funksionimit në detyrë e jashtë saj. Cilët janë njerëzit që realizojnë këto procese të shpejta, të fuqishme, që nxisin qytetarët të reagojnë, duke synuar deri ndryshimin e vendimeve të instutucioneve? Të panjohur, emra të panjohur për qytetarët e gjerë që japin votën për t’u qeverisur. Duke dashur të ushtrojmë kontroll mbi qeverisjet me forcën e financimit të fondeve që vijnë nga jashtë, mos po fuqizojmë një grup tjetër politikëbërësish që shtrijnë kudo aktivitetin, ndërkohë janë të padukshëm nën pushtetin e fondeve, më të fuqishëm se vetë ata që sovrani ka zgjedhur për ta qeverisur?