Agron Tufa: In memoriam për Basri Çapriqin dhe një cikël poetik
Do të na duhet të mësohemi me “veprën e pandreqshme të vdekjes”, të flasim me folje të kohës së shkuar për një nga poetët më të mirë të poezisë shqipe, për profesorin, mikun, prindin, bashkëshortin, njeriun e qetë, të heshtur e të thellë, Basri Çapriqin… Ai la pas një vepër solide letrare, ishte pikë referenciale për poezinë bashkëkohore shqiptare, me një zë e intonacion të vetin, origjinal, të pangatërrueshëm me askënd tjetër. Na la në një moshë relativisht të re, në kulm të energjive krijuese. Le të ngushëllohemi me atë art të pshkatërrueshëm nga koha që Basriu la pas vetes, një “Dritare të hapur”, siç thotë titulli i një prej poezive të tij, për të parë detin (metaforik) ashtu si heroi i “Milosaos” së De Radës. Le ta kujtojmë largimin e tij, siç besoj unë, në Përjetësi, me një cikl poezish nga pena e tij… Lamtuirë mik e mjeshtër!
GUACKA
Hapu se
Të pi ujë drejt nga qielli
Dua të dal
Hiqu yjeve
Pi ujë nga goja ime
Mbyllim farën tonë
Në fund të detit
Sa kohë u bë që jemi mbyllur
Humbur brenda o zot
E s’dëgjojmë zërat e ujit
PASQYRA
unë tash jam këtu lart
kaq lart
edhe ju jeni lart
dhe ata të asaj ane
dhe ata të anës tjetër
sa lart që jemi
papritmas sa
papritmas
përpara na del ai det i hapur
dhe pasqyra e thellë vënë në mes
se si çvendosemi të gjithë në fund
në fund të fundit
çuditërisht në fund
o ti me teh të ndryshkur
mos thyej pasqyrën ku shohim fytyrën
se
mund të mbetemi përgjithnjë
atje në fund
në fund të fundit
të ftohtë e të errët
JASTËKU
Mora një jastëk me pupla t’buta . E vura nën kokë,
të bëj gjumë thash, ashtu butë e n’ paqë. Ashtu të butë
e të bardhë e shtërngoja në gji . Lëmoja për të fytyrën
dhe përhapja frymën e ngrohtë. Gjithë ata zogj të butë,
thosha, nën gushën time bëjnë paqën e përhershme.Posa
nisa të mësohem të mos mundem pa të, ashtu ngrohtë e
butë se kah dolën ato pupla një e nga një dhe mbushën
njëherë tërë dhomën pastaj, tërë shtëpinë pastaj, tërë lagjen.
Unë që isha mësuar tashmë, ashtu butë e ngrohtë, me do
ëndrra të largëta mora sinjalin se më zunë si ethe të ftohta.
E s’u durova, si s’plasa, zogj të egër u thash, me këto pupla
të bardha që na morët frymën. Dhe u ftoh aty, vërtet u bë
ftoftë. Ai jastëk i lënë zbrazët nga puplat që kishin ndërruar
stinë më futi pas aq kohësh në do shtëllunga leshi.
FUNERALI
Kaq shumë janë këta e
Ai i vetëm mbi supet e tyre
Hap TV-në e shtrihem
Ai gjithnjë i vetëm e Këta
Në këmbë Hanë me nxitim hot
Dog a dicka të ngjajshme
Nderroj kanal Qe
Funerali nga fillimi
Mbyll TV-në them
Ështe koha të jesh vetëm
BARI NË DRITARE
Më kalben pemët në tryezë
nis t’i këpus mollët të tharta
ta zhduk afatin e vdekjes së frutit
dikush që më do fshehurazi
ma gjuan faqen e saj të papjekur
që të heq dorë nga mollët e panjohura
shqelmoji pemët në mbrëmje
më thotë një zë i largët
të dalë filizi nga balta në mëngjes
përtej kopshtit hidhe farën
kur ndërrohen stinët dhe kur gjethet bien
ta ruash shtëpinë pa të mbuluar gjethet fytyrën
po të hyri bari në dritare
mos thuaj të është rritur kopshti në tryezë
triumf i vdekjes mbi hark të gjelbër
EC NË HAPËSIRËN E GJALLË QË S’DRIDHET
Kështu të vdekshëm njerëzit
mund të ecin gjatë
dhe mos të takojnë gjë të gjallë
që dridhet në hapësirë
mund t’i lagë shi i rëndë si plumbi
kah kthehen tek janë nisur
për plaçkat e lëna si dëshmi
se s’janë frikësuar nga ylberët
e qiejve të murmë
kështu të vdekshëm njerëzit besojnë
më shumë se kurrë se s’ka gjë
të pavdekshme s’ka gjë se s’arrijnë
ta bindin as veten e kapërcyer
s’ka gjë se s’u nënshtrohen më
kryqëzimit të ngjyrave të thekshme
dhe s’shkrepin gjë së rëni plot gaz
kështu të vdekshëm njerëzit lëvizin
si lumi dhe lahen diku në një pikë
dhe s’vdesin hiç po t’u mbushet mendja
po t’i kujtohet gjë
nga koha që gjendet para tyre e gjelbër
se njerëzit janë të vdekshëm
si rrugët që na humbin në njerëzit
e renditur në të dy anët e
magjistrales si plepat e tharë
vitin e kaluar kështu të vdekshëm njerëzit
mund të ecin gjatë të nxehtë
të përvëluar
gjithnjë dhe s’ftohen po t’u mbushet mendja
së vdekuri
si rëndomë
pa u bindur se mund t’u rriten bimët
me një frymë
kështu të vdekshëm njerëzit
mund të ecin tehut të rrugës
së prerë përgjysmë
me duar në xhepa duke pështyrë
në atë humnerë të mbuluar me gjethet e thara
rënë vjeshtës që shkoi
DHOMA IME NË LONDËR
Dritarja tradicionale angleze dhe pasqyrat rreth
që më rrisin iluzionin për hapësirën Ti më sheh nga
rruga nga aparatamentet përreth gjë s’mund të mbyll
me çelësin që më lidh me ty të gjitha i merr Temza
i hedh në të dy anët e trupit tim të lakuriqtë rrethuar
me pasqyrat që më rrisin zbrazëtinë e hapësirës pa
fund në dhomën time të gjumit s’e mbyll dot
këtë botë kubike me çelësin që më ndan me ty
m’i merr Temza gjërat e vogla e s’i gjej dot ndër hijet që më
marrin frymën tek parakalojnë në
pasqyrat që më zgjasin dhomën time të gjumit
dritarja tradicionale angleze dhe çelësi i ngatërruar
në derën e mbetur hapur thyhet drita me pamjet
e shumëfishuara gjymtyrëve të mi në pasqyrat e montuara
që rrënojnë botën time të fshehur nga
sheshi e nga turma
DRITAREN LËRE HAPUR
Dritaren lëre hapur dritaren lëre
të hyjë ajri nga rruga
flaka t’i dalë
Dritaren lëre hapur dritaren lëre
ta përpish frymën
të dalë erë e keqe e trupit
Dritaren lëre hapur dritaren lëre
të thyhet vizioni në sy ta spastrosh shpirtin
nga hapësirë e mbyllur
Dritaren lëre hapur dritaren lëre
ushton zë epik i poetëve nxitojnë fëmijët të ikin
nga terri nga tingujt e mprehur
Dritaren lëre hapur dritaren lëre
zbresin bishat nga malet
shkelin mollët në gratë e vdekura
Dritaren lëre hapur dritaren lëre
shi bie pak ujë sidomos pak ujë
në buzë të plasur vëre
Dritaren lëre hapur dritaren lëre
çlirohu nga epshet nga faji
përfalu me të vdekurit tuaj sidomos
Dritaren lëre hapur dritaren lëre
me qentë ta bësh gjumin me insektet
me shpirtrat e territ me zërat e largët
Dritaren lëre hapur dritaren lëre
kufomat janë bashkudhëtarët tuaj të sinqertë shih
ata s’të vrasin s’të zënë kalimin frymën
Dritaren lëre hapur dritaren lëre
para se të niseni në atë udhëtim të fundit
me nga një ombrellë të çeliktë shi i kuq pikë
Dritaren lëre hapur dritaren lëre
thyeje pasqyrën katrore me fytyrën tënde në kënd të dhomës
e nisu
Dritaren lëre hapur dritaren lëre
se ti je i vdekur në ushtrinë që marshon nga qielli
mbylle derën mbylle
mos të dalin bishat dhe njerëzit
L I R I A
asgjë e re s’ndodh dhe do të shkojmë në fund
në fund të fundit
liria është një mut i madh dhe s’e vlen as jetën
ta japësh për të, as atë çikrrimë lirie si s’i lodh
ata hanë hekur me dhëmbë, liria është faj i
rëndë që bartim lidhur në qafë e shpiejmë diku larg
ku s’dinë as ata që hedhin hapa mamutësh liria
është një mut i madh të lodhin heronjtë dhe kurvat
të mbesin në qafë ata hanë hekur me dhëmbë ato hanë
hekur me dhëmbë dhe të shtrydhin me fjalime të gjata
për paqen dhe pastertinë e racës ata i lodh paqja
ma sjellin lirinë në pjatë dhe thikën në tryezë
ma marrin frymën kur u pëlcet lëvozhga nga qetësia
Prishtinë, 1996