Sistem i ri i furnizimit me ujë bashkëfinancuar nga Zvicra, Gjermania dhe Bashkimi Evropian
Lezha është tashmë qyteti tjetër me 24 orë furnizim me ujë të pijshëm për 45,000 qytetarë
Pas një investimi prej 13.2 milion eurosh përmes KfW – Banka Gjermane për Zhvillim – qyteti i Lezhës ka përfunduar rehabilitimin e rrjetit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve. Përurimi u krye në praninë e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, Ministrit të Infrastukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, Kryetarit të Bashkisë Lezhë Fran Frrokaj, Ambasadorit Zviceran Christoph Graf, dhe Zv. Ambasadores Gjermane Anke Holstein.
“Kjo ishte një qasje e bazuar mbi performancën (e ndërmarrjes së ujësjellësit) dhe pastaj u krye investimi. Mendoj që kjo është gjithashtu edhe qasja që po zbatohet në reformën e ujit dhe ku Zvicra së bashku me Gjermaninë do të vazhdojnë me projekte të tjera në qytetet në qendër dhe jug të Shqipërisë”, tha Ambasadori zviceran Christoph Graf gjatë përurimit.
“Rreth 13.4 milion Euro janë investuar në këtë projekt. Banorët e Lezhës dhe ata në zonat përreth tani kanë furnizim me ujë 24 orë në ditë dhe me presion të përshtatshëm. Masat e tanishme për t’i dhënë fund informalitetit janë të nevojshme po aq sa edhe reformat në kuadrin ligjor, institucional dhe financiar”, tha Zv. Ambasadorja gjermane Anke Holstein.
Kryeministri Rama vlerësoi ndërmarrjen e ujësjellësit në Lezhë si një shembull të mirë ku politika është e ndarë nga shërbimi për qytetarët. “Dua të siguroj të gjithë banorët e Lezhës se ne do të vazhdojmë këtë punë por njëkohësisht dua të ri-nënvizoj domosdoshmërinë që ne të gjithë së bashku – qeveria, bashkia dhe ndërmarrja – të çojmë përpara reformën. Sepse nëse ky investim është bërë sot por nuk mbështetet financiarisht në kuptimin e një bilanci të shëndetshëm, të përvitshëm, duke paguar të gjithë atë që konsumojmë atëherë jo vetëm që nuk shkojmë dot më tutje për ta përfshirë të gjithë hartën e bashkisë së re në furnizimin 24 orë por përkundrazi do të humbasim hap pas hapi edhe vetë këtë investim kaq të çmuar që është bërë”, tha Kryeministri.
Punimet ndërtuese dhe rehabilituese u bashkëfinancuan nga qeveria zvicerane me një grant prej 10 milion euro dhe qeveria gjermane përmes KfW me 3 milion euro. Ndërsa Bashkimi Evropian kontribuoi me 250,000 euro të cilat shkuan për rritjen e kapaciteteve të ndërmarrjes së ujësjellës-kanalizimeve të Lezhës. Rreth 128 km tubacione të rrjetit të furnizimit me ujë u shtrinë gjatë punimeve si edhe u ndërtuan nga fillimi 3 rezervuarë uji. Si rezultat furnizimi me ujë i qytetarëve të Lezhës arriti në 95% nga 80% që ishte në 2014.
Me përfundimin e investimit Lezha i bashkohet Korçës dhe Pogradecit si një nga qytetet shqiptare me furnizim me ujë 24 orë në 7 ditë të javës. Si kusht për t’u kualifikuar për investimin zvicerano-gjerman ndërmarrjes së ujit iu kërkua të përgatiste një plan tarifor dhe plan për mbulimin e kostove si dhe të rriste kapacitetet e saj për menaxhim. Një raport i fundit theksoi se grumbullimi i pagesave në Lezhë arriti 84% që përbën një rritje të madhe krahasuar me vitet e mëparshme, dhe se qytetarët shprehen shumë më të kënaqur në lidhje me shërbimin e furnizimit.
Investimi ishte pjesë e ‘Programit të Infrastrukturës Bashkiake I’ i cili aktualisht është në fazën III dhe IV dhe vazhdon të përmirësojë infrastrukturën e ujësjellësëve dhe kanalizimeve në 7 bashki në qendër dhe jug të vendit. Edhe 400,000 qytetarë pritet të gëzojnë furnizim me ujë të besueshëm, higjienik dhe të përballueshëm, si dhe shërbime më të mira në fund të programit.
Sektori i ujit është një fushë prioritare për Bashkëpunimin Financiar Gjerman me Shqipërinë për të cilin qeveria gjermane ka përkushtuar mbi 335 milion euro që nga 1989.