“The Sun”, jo më modele lakuriq në faqen e tretë
Tabloidi më i shitur në Britani, “The Sun” me shumë mundësi ka vendosur të heqë dorë nga tradita 45-vjeçare e të publikuarit në faqen 3 të gazetës, foto të modeleve topless.
Pavarësisht mohimit nga “The Sun”, femrat që duhej të dilnin të zhveshura në faqen e tretë të numrit të kësaj jave tashmë janë mbuluar. Bëhet fjalë për modelen Rosie Huntington-Whiteley, e cila ka pozuar me të brendshme në numrin e së hënës, ndërsa në publikimin e së martës janë shfaqur dy yje të operas të veshura me të brendshme plazhi.
Kjo përmbysje e traditës për faqen më të famshme në vend mund të shihet si fundi i një epoke dhe një fitore e kritikëve, të cilët e kishin konsideruar faqen 3 të “The Sun” si anakronizëm seksist në një shoqëri që është zhvilluar jashtëzakonisht shumë që prej 1970-s, vit kur Rupert Murdoch e nisi këtë traditë vetëm pak pasi e kishte blerë gazetën.
Stephanie Rahn, një supermodele 20-vjeçare gjermane, ka qenë e para që doli e zhveshur në faqen e këtij tabloidi në nëntorin e vitit 1970. Që prej atëherë, termi “Page 3” (Faqja e tretë) u bë një institucion ndërsa togfjalëshi “Page 3 girl” (Vajzat e faqes së tretë) u bënë pjesë e pandashme e jetës së përditshme të britanikëve.