Berisha: Kush e vrau Oliver Ivanoviçin në Mitrovicë?
Akt të rëndë dhe të dënueshëm me prapavijë politike e ka cilësuar Sali Berisha vrasjen e Oliver Ivanoviç, mëngjesin e sotëm në Mitrovicë.
Berisha shkruan se pas këtij akti të shëmtuar kriminal qëndrojnë organizata terroriste ultranacionaliste serbe të llojit Dora e Zezë, që janë organizuar këto vitet e fundit dhe kanë kryer akte të rënda kriminale.
Berisha shkruan se nuk është rastësi që Ivanoviç u ekzekutua pikërisht ditën e hapjes së dialogut Prishtinë-Beograd në Bruksel.
“Vrasja e Oliver Ivanoviç, një akt i rëndë dhe i dënueshëm me prapavijë politike!
Sot në mëngjes fallangat e krimit ekzekutuan para selisë së partisë së tij, njërin prej udhëheqësve më në zë të serbëve të Kosovës në këto dy dekada, ish-sekretar shteti në një nga qeveritë e Beogradit, Oliver Ivanoviç.
Duke dënuar ashpërsisht këtë akt kriminal dhe shprehur ngushëllimet autoriteteve të Kosovës dhe familjarëve të të ndjerit Oliver Ivanoviç, theksoj se ekzekutimi i tij para derës së selisë së partisë së tij dhe pikërisht ditën e hapjes së dialogut Prishtinë-Beograd në Bruksel, të le të kuptohet se pas këtij akti të shëmtuar kriminal qëndrojnë organizata terroriste ultranacionaliste serbe të llojit Dora e Zezë, që janë organizuar këto vitet e fundit dhe kanë kryer akte të rënda kriminale.
Urojmë që autoritetet e Kosovës të vendosin sa më parë para ligjit sponsorizuesit, organizatorët dhe ekzekutorët e këtij akti të shëmtuar!”, shkruan Berisha në Facebook.