Albspirit

Media/News/Publishing

Paralajmërimi i SHBA për trazira, dy ditë para se të vritej Ivanoviq

Mëngjesi i sotëm trazoi Veriun e Kosovës. Ndodhi pikërisht ajo për të cilën u paralajmërua nga SHBA.
Veç dy ditë pasi DASH-i alarmoi mbi gjendjen e sigurisë në Veri të Kosovës, ndodhi vrasja e Oliver Ivanoviqit. Amerika lajmëroi qytetarët e saj që të kenë kujdes të shtuar në Kosovë, posaçërisht në Veri, për shkak të terrorizmit. Në një raport të Departamentit Amerikan të shtetit, që mban datën 10 janar, përmenden komunat veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, si zona me shkallë të shtuar të rrezikut. Në paralajmërim thuhet se “grupet terroriste vazhdojnë të planifikojnë sulme të mundshme në rajonin e Ballkanit, duke përfshirë Kosovën. DASH-i thekson se “tensionet brenda dhe ndërmjet komuniteteve vazhdojnë të nxisin dhunë, demonstrata dhe trazira të tjera në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan. Ndonëse trazirat e fundme të motivuara politikisht, nuk kanë përfshirë turistët apo pjesëtarët e komunitetit ndërkombëtar, kalimtarët mund të preken nëse ndodhin incidente të dhunshme”. Nuk ka pasur ndonjë shpjegim për kohën dhe arsyet e këtij paralajmërimi që është lëshuar në një periudhë kur Kosova përballet me tensione politike në prag të shënimit të dhjetëvjetorit të pavarësisë së saj që vazhdon të kundërshtohet nga Beogradi dhe aleatja e saj Rusia. Veriu i Kosovës vazhdon të jetë zonë e kundërshtimit më të madh të pavarësisë së Kosovës dhe shtrirja e sovranitetit të Prishtinës është pjesë e një procesi të gjatë bisedimesh me Serbinë./Ekspress/

Please follow and like us: