Profil: E kaluara kriminale e politikanit të moderuar Ivanoviq
Oliver Ivanoviq është vrarë me armë zjarri sot në Mitrovicë.
I njohur si drejtuesi i serbëve në Kosovë, politikani Oliver Ivanoviq, u vra të martën në mëngjes duke ngjallur reagime të mëdha. Nga Prishtina në Beograd e në BE, vrasja e Ivanoviq është dënuar dhe cilësuar si një akt i tmerrshëm që cenon stabilitetin në Kosovë, edhe për shkakun se në këtë ditë pritej të nisej një rund i ri i dialogut Kosovë-Serbi.
Ivanoviq po cilësohet si një politikan i moderuar serb në Kosovë, duke shfaqur gatishmërinë që të bashkëpunojë me të gjitha institucionet e Kosovës dhe për shkak të kritikave të tij, për politikën tradicionale të Serbisë karshi Kosovës.
Por para se të bëhej politikan i tillë, profili i Ivanoviq, lidhet me krimin. Ai ishte akuzuar e dënuar nga shkalla e parë e Gjykatës Themelore në Veri të Mitrovicës me 9 vjet burg. Dënimi ishte marrë në janar të vitit 2016, ndërsa në shkurt të vitit 2017 Gjykata e Apelit, e ktheu të gjithë rastin në rigjykim.
Por për cka saktësisht akuzohej Oliver Ivanoviqi. Insajderi ju sjellë detajet e akuzës që rëndonte mbi Oliver Ivanoviq.
Ivanoviq si ish-paramilitar serb dyshohej për krime lufte kundër popullatës civile shqiptare, gjatë prillit të vitit 1999, kur ishin vrarë dhjetëra shqiptarë. Ivanoviq dyshohej për pjesëmarrje në vrasjen e dhjetë shqiptarëve, përfshirë një fëmije 13 vjeç.
Oliver Ivanoviq ishte paraqitur vullnetarisht në Stacionin Policor në Mitrovicën e Veriut, me marrëveshje paraprake në mes të një prokurori ndërkombëtar nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) dhe përfaqësuesit të tij ligjor.
Ivanoviq ishte pjesë e forcave rezervë të Serbisë gjatë luftës dhe njëri prej themeluesve të organizatës paraushtarake, “Rojat e urës”, pas luftës.
Ai dyshohej për masakrën e 14 prillit 1999, në Bair të Mitrovicës, kur qenë vrarë 31 shqiptarë. Dyshohet po ashtu për vrasje të shqiptarëve një vit më vonë, në veri të Mitrovicës, gjatë fushatës për dëbimin e shqiptarëve nga pronat e tyre. Gjatë kësaj fushate ishin vrarë në shtëpitë dhe banesat e tyre: Nderim Ajeti (13), Nerimane Xhaka (42), Remzije Canhasi (56), Selime Berisha (60), Nezir Voca (61), Shqipe Voca (54), Bashkim Rrukeci (38), Nimon Sejdiu (52), Sebiha Abrashi (50) dhe Muharrem Sokoli (51). 25 persona të tjerë ishin plagosur.
Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Mitrovicë, i kryesuar nga Halit Berani, kishte bërë kallëzim penal kundër Ivanoviqit pikërisht për këto krime. Ata akuzonin Ivanoviqin se ishte pjesëmarrës i masakrës më të madhe në Mitrovicë, më 14 prill 1999, kur janë vrarë 31 shqiptarë në Mitrovicë.
Si pjesëmarrës në këto krime Ivanoviqi përmendej edhe në dosjet e KFOR-it dhe të UNMIK-ut. Në dokumente të KFOR-it Ivanoviqi portretizohet si kriminel dhe lider i moderuar. Ai pas luftës ishte përkrahës i ish-kryeministrit serb të vrarë, Zoran Gjingjiq.
Sipas dokumenteve të KFOR-it, Oliver Ivanoviq gjatë luftës në Kosovë ishte anëtar i Partisë së Slobodan Milosheviqit. Atë kohë ishte aktiv për largimin e shqiptarëve nga puna në veri të Mitrovicës.
“Për një kohë të shkurtër Ivanoviqi kishte spastruar Mitrovicën nga shqiptarët me përgjegjësi në organizatat punuese dhe në ato sportive, në fillim të viteve ‘90”, thuhet në dosje të NATO-s.
Me fillimin e luftës ai ishte bërë pjesë e një grupi paramilitar serb dhe kishte qenë aktiv në rajonin e Mitrovicës. Dokumentet thonë se në palestrën e sporteve ai u kishte shpërndarë armë serbëve civilë.
“Së bashku me vëllanë e tij, ai kishte hartuar një listë për likuidimin e intelektualëve dhe civilëve të tjerë shqiptarë në veri të Kosovës”. KFOR-i e bënte përgjegjës direkt për vrasjen e 26 shqiptarëve gjatë kohës së luftës.
KFOR-i shkruante se ai kishte konkurrencë me Milan Ivanoviqin në Këshillin Nacional Serb të Veriut. Gjatë vitit 2001, ai së bashku me Rada Trajkoviqin ishin bërë pjesë e institucioneve të përkohshme të Kosovës duke marrë pjesë në zgjedhjet e 17 nëntorit 2001, duke u zgjedhur deputetë, me kuotën e rezervuar për pakicat.
Në dokumentet e KFOR-it thuhet se Ivanoviqi angazhohej për bashkëpunim me forcat ndërkombëtare në Kosovë për kthimin e serbëve të zhvendosur. Në dokument thuhej se ai ishte i gatshëm të garonte për një vend në Kuvendin Komunal të Mitrovicës, vetëm për t’u bërë hero i serbëve të atjeshëm.
“Pas luftës Oliver Ivanoviqi jetonte mirë ekonomikisht. Banesën e tij prej 100 metrash katrorë ua kishte dhënë me qira ushtarëve të KFOR-it në Mitrovicë, për çka paguhej 12 mijë marka gjermane në muaj”, shkruante në dokumente.
KMDLNJ-ja në Mitrovicë e kishte bërë përgjegjës penalisht Oliver Ivanoviqin shumë herë. Në një kallëzim të kësaj organizate thuhet se natën ndërmjet 3-4 prillit 1999, Oliver Ivanoviqi dhe Dragan Delibashiqi kanë udhëhequr fushatën e vrasjes së dhjetë shqiptarëve, plagosjen rëndë të 25 të tjerëve, keqtrajtimin 93 personave dhe dëbimin e mbi 100 familjeve.
“Ekipit për dëbimin e shqiptarëve i kanë prirë: Oliver Ivanoviq, Dragan Delibashiq, Zharko Kosovac, Miodrag Raliq, Dushko Shiligoviq, Ivan Mandiq, Rade Spasojeviq etj. Për këtë dëshmojnë: Shpend Hasani, Kemajl Gucati, Rexhep Hyseni, Shaban Azemi, Jashar Jashari etj. Këta dëshmitarë dhe të tjerët tregojnë se masakra e asaj nate është bërë para syve të ushtarëve francezë dhe policëve të UNMIK-ut, të cilët nuk ndërmorën asgjë për mbrojtjen e viktimave nga terrori i kriminelëve”, thuhej në një kallëzim penal.