Albspirit

Media/News/Publishing

   Sejdo Harka: Kulti i atdhetarizmit dhe familjes në një libër me poezi

              

 

Image result for sejdo harka

(Shënime për vëllimin poetik “Thashë, të bëhem edhe unë  poet” të Viron Konës)

 

Shkrimtari Viron Kona, ka vite që bën emër me krijimtarinë e tij të gjerë e të larmishme. Ai ka botuar rreth 40 libra me tregime, novela e romane për fëmijë e të rritur. Është fitues i 7 çmimeve të  ndryshme në gjininë e prozës. Me romanin “Eh, more Bubulino!” është nderuar me çmimin  UNICEF-AMC, si libri më i mirë për fëmijë, 2006. Ky libër, për vlerat e tij shumëplanëshe , është përkthyer  edhe në gjuhë të huaja, si në suedisht. Kohët e fundit Viron Kona shfaqet para lexuesve me sprovën poetike ”Thashë, të bëhem edhe unë poet”.

Vetë titulli i këtij libri është  tepër  provokues e me dy nënkuptime. Nënkuptimi i parë shpreh modestinë e autorit, nëpërmjet të cilit, duket sikur kërkon t’u thotë lexuesve: ”Kjo është sprova ime e parë në fushën e poezisë. Jini ju ata, që me pëlqimin tuaj do të vulosni “vizën” time për të hyrë në portën  e bukur të “Mbretërisë së poezisë”. Përmes nënkuptimit të  dytë, autori kërkon të ironizojë ata pseudopoetë, të cilët e konsiderojnë veten poet të rrallë, që, me bejtet e para. Fatkeqësia e tyre qëndron tek fakti se ata vazhdojnë ta quajnë  veten të tillë, edhe kur shohin se librat e tyre  kthehen në ambalazh për kaushë.

Poezia, për Viron Konën është një “Hyjneshë”. Por, që ajo ta mbajë lart këtë emër, duhet të burojë nga shpirti i poetit, ashtu siç buron uji nga malet kur shkrin dëbora, dhe era nga grykat e thella të maleve. Vargjet, po s’buruan nga thellësia e zemrës, nuk mund të quhen vargje. Tematika e këtij libri me poezi  është sa e gjerë aq edhe e larmishme. Objekt frymëzimi  për autorin janë bërë liria dhe njeriu, dashuria dhe lajkaxhiu, heroi dhe antiheroi, si dhe njerëz të shquar të kulturës dhe letërsisë, të shkencës dhe filozofisë shqiptare dhe botërore si N. Frashëri, N. Gjetja e S. Z. Daja, O. Khajami, S. Shirazi, Xh. Bruno…

Por në këto shënime të shkurtra, do të ndalemi tek disa nga poezitë më të bukura që i thurin himn Atdheut, vendlindjes, familjes dhe njerëzve të saj më të afërt. Viron Kona ndalet në këto dy dukuri të kohës , për të sfiduar zbehjen e atdhetarizmit dhe tendencën negative të degradimit dhe kriminalizimit të familjes, për shkak të tranzicionit të ashpër, që po kalon shoqëria jonë e sotme. Merita e veçantë e autorit, qëndron në faktin se edhe pse ai hedh hapat e para në fushën e poezisë, ka ditur të zbulojë ndikimin reciprok që kanë këto dy dukuri shoqërore tek njëra-tjetra. Përmes këtyre poezive, ai përçon mesazhin se një familje e fortë, sjell dhe një shoqëri të fortë dhe anasjelltas.

Të duash atdheun dhe vendlindjen, do të thotë të duash dhe gjënë më të shtrenjtë ,familjen e shoqërinë. Prandaj Viron Kona u drejtohet lexuesve me vargje  të tillë, sa të drejtpërdrejtë, aq edhe metaforikë: ”Sikur të më ofronin të zgjidhja tjetër atdhe,/ mijëra herë Shqipërinë do të zgjidhja/më të bukur mbi dhe!.” Në poezinë “Shqipëria” , V. Kona argumenton poetikisht, se ç’është për të Shqipëria dhe pse s’e ndërron atë kurrë. Te Shqipëria ai gjen “përkëdhelinë e nënës” , “afshin e tokës” dhe “muzën e dashurisë” më njerëzore. Ai nuk e ndërron kurrë atdheun, sepse “Këtu zgjohet nga këngët e zogjve,/këtu ndihet  i lirë si shqiponja/këtu ndihet i fortë si Anteu”.(fq.62) Një poezi tjetër e bukur, me të cilën autori përçon ndjenja të forta atdhetarie, është ajo me titullin tepër kuptimplotë ”Pisha Flamur”. Përmes simbolikës personifikuese, autori kërkon të përçojë mesazhin filozofik, se këtë truall të stërmunduar, nuk ka mundur ta gjunjëzojë e shfarosë as varfëria, as pushtimi, as rrufeja metaforike e as dhunimi.

Këtë rezistencë të pashembullt shekullore, autori e shpalos plotësisht përmes paralelizmit figurative midis Shqipërisë dhe Pishës flamur. Kjo simbolikë metaforike përçohet tek lexuesit përmes vargjeve antonimikë: “Vetëtimat djegin pyje/copëtojnë shkëmbinj e gurë/godasin maja malesh,/por jo Pishën Flamur.” Trungu i saj shpon lartësitë,/rrënjët nënë shkëmbinj e gurë,/është Anteu i rilindur,/Kohërave u prin me flamur.”(fq.45) Në vazhdimësinë e kësaj simbolike, që thellon dashurinë për Atdheun dhe vendlindjen, është dhe poezia “Rrapi i Ujit të Ftohtë.” Ky vend, për Viron Konën është jo vetëm një perlë e rrallë, por dhe një shembull malli dhe krenarie për vendlindjen dhe njerëzit e këtyre anëve, të cilët i bashkon jo vetëm hija e rrapit madhështor dhe uji i ftohtë si kristali, por dhe kënga e bukur labe.

Autori i këtij vëllimi poetik, për ta bërë sa më të prekshme dashurinë për vendlindjen dhe pasuritë e saj të rralla shkruan: ”Rrapi u rrëzua qetësisht një natë vere,/rënia e tij “magjike”, u komentua gjatë,/ditë e natë burimi i lëshoi “lotët” çurgë,/deti nga thellësia dërgoi valë dhe dallgë”(fq.12) Përmes këtyre vargjeve, sa të thjeshtë, aq dhe metaforikë, Viron Kona lëshon alarmin për ruajtjen e këtyre monumenteve të natyrës, si gjënë më të shtrenjtë. Një vend të dukshëm në këtë vëllim poetik zënë poezitë që i kushtohen familjes dhe njerëzve më të afërm të saj. Kjo është një sfidë e bukur që autori kërkon t’u bëjë dukurive negative të shoqërisë sonë të sotme, të cilat kohët e fundit tentojnë të zbehin harmoninë familjare.

Familja e sotme kërcënohet nga divorcet, grindjet dhe krimi brenda saj. Prandaj me poezitë e tij autori kërkon të ndikojë sadopak në forcimin e familjes si bërthama bazë e shoqërisë së ardhshme. Respektin dhe dashurinë për prindërit, fëmijët, mbesën dhe bashkëshorten, poeti V. Kona  e koncepton poetikisht të lidhura ngushtë me dashurinë universale për Atdheun dhe vendlindjen, për kulturën, traditat e vazhdimësinë. Prandaj dhe poezitë e tij me tematikë familjare tingëllojnë si himne për dashurinë njerëzore dhe vazhdimësinë e gjakut dhe të shoqërisë. Një nga poezitë më te bukura për nënën është ajo me titullin domethënës ”Qypi i Finjës”.Brenda konceptimit metaforik të kësaj poezie lexuesi gjen dhimbje e varfëri, përkushtim e përgjegjësi, trishtim e dashuri, që burojnë nga shpirti i një nëne, që lufton për të rritur fëmijë të mirë e të shëndetshëm. Kjo nënë ”…s’pushon asnjëherë, rroba duke larë”. Ndërsa më poshtë autori shkruan: ”Vinin miq dhe fqinjë,/buzagaz i priste,/ me gliko e kafe /nëna i gostiste”. ”Lodhej e këputej gjithë ditën”, prandaj “vitet iknin tutje,/ ajo tkurrej, zvogëlohej.”(fq.20) Edhe pse autori shkruan për nënën e vetë, përmes simbolikës poetike, figura e saj merr vlera përgjithësuese.

Karakteristika të tilla përgjithësuese, shfaqen më të dukshme  sidomos në poezinë “Baulja e nënës sime.” Kjo poezi i këndon, jo vetëm dashurisë së pakufishme të nënës për fëmijën, por dhe kujdesit për ruajtjen e çdo gjëje të mirë. Nëna i dorëzon të birit çdo gjë me vlerë, që ka ruajtur me fanatizëm ndër vite. Si konvencion simbolik,  ai ka gjetur ”baulen”, ku nëna ka ruajtur flamurin e dasmës, sixhadenë e bardhë prej mëndafshi, degëzat e trëndelinës, unazën e florinjtë , që t`ja  dhuronte nuses së re të shtëpisë, një kupë prej balte, një kuti prej sermi, ku është gdhendur një shqiponjë…etj.

Kuptimin e plotë  kësaj poezie ia japin vargjet e thjeshtë..”Siç e sheh, o bir, baulja nuk ka flori/as argjend dhe kartëmonedha me vlera/veç këto vogëlima, që më ngjallin dashuri/trashëgim nga koha jonë, për kohët e reja”, me të cilët autori, përmes unit poetik kërkon të përçojë dashurinë për trashëgiminë kulturore. Në vazhdën e kësaj tematike është dhe poezia “Rrobaqepësi”, kushtuar babait të tij Toli Kona, të cilin vlonjatët  e viteve 70 e thërrisnin me emrin e bukur “Usta Toli.” Tek babai i tij, Viron Kona gjen jo vetëm shembullin e njeriut më të dashur, që nuk kurseu asgjë për familjen, por dhe atë të mjeshtrit të punës.

Ai s`ka për të harruar porosi e mësime  të tilla, që i ati i jepte shpesh: “Veshja e njeriut është art/Rrobaqepësi i vërtetë nuk qep, por pikturon.” Një nga poezitë më të bukura të këtij vëllimi është ajo me titull “Një çift mështeknash të bardha”, poshtë së cilës autori shkruan:”Ja kushtoj bashkëshortes sime Liljanës…” Siç thekson dhe në krye të librit, bashkëshortja, për të  është  jo vetëm bashkudhëtare e një rruge të vështirë, por dhe një  ndihmëse e frymëzuese, për të ecur përpara edhe në fushën e krijimtarisë artistike. Kjo poezi tingëllon si një himn bashkëshortor. Siç thekson dhe vetë autori, ata vërtet s`shkëmbyen xhevahire për dashurinë, por u betuan sinqerisht për besnikërinë. Mendimet dhe dëshirat i kanë lexuar në sytë e njëri-tjetrit. Është kjo arsyeja, që ai  deklaron poetikisht me krenari: ”Pemën e jetës e kemi mbajtur përherë të gjelbër”dhe”Zjarrin e vatrës kurrë s’e kemi shuar”.

Përmes këtyre vargjeve, sa të drejtpërdrejtë aq edhe metaforikë, Viron Kona, promovon shembullin e intelektualit të emancipuar, që bashkëshorten e sheh jo thjeshtë si nënën e fëmijëve, por si themelin e familjes. Së fundi, mund të themi, se Viron Kona , me këtë vëllim poetik, shkel i sigurt në fushën e blertë të poezisë, duke e kapërcyer me sukses sfidën e parë, jo vetëm  për tematikën e larmishme, por dhe për konceptimin poetik të dukurive, gjuhën, ndjenjën, figuracionin e gjallë dhe sistemin e vjershërimit  të larmishëm që përdor.

 

 

 

Please follow and like us: