“The Washington Post” për librin e Kadaresë: Një kryevepër e zjarrtë!
E përditshmja “The Washington Post” i ka dedikuar një shkrim librit të fundit të Ismail Kadare, “E penguara, Requiem për Linda B.”
“Kafkaesk” është klisheja që i është ngjitur vazhdimisht letërsisë së despotizmit burokratik ose të çdo mbrëmjeje të vjetër të errët të mendimit, por për novelën e Ismail Kadaresë “E penguara, Requiem për Linda B.”, kjo klishe nuk do të shkonte.
Kjo kryevepër ngacmuese e novelistit më të famshëm të Shqipërisë është trajtuar në formën e tmerrit aktual, diktatura Staliniste e Shqipërisë, që ka dhunuar qytetarët nga viti 1945 deri në 1991. Ëndrra e ethshme dhe melodioze e Kadaresë është një portret çmendurie, çmenduria e shtetit Stalinis dhe çmenduria e burrave dhe grave nën darrën e makinacioneve të shtetit. Në pasqyrimin e tij të ferrit totalitar dhe të nënshtrimit të tmerrshëm, Kadare nuk është pasardhësi i Kafkës, por i Victor Serge dhe Eugene Ionesco, dy dëshmitarë, që influencat absurde dhe sfiduese të tyre shpërthejnë në këtë libër.
Subjekti shpaloset mjaftueshëm thjesht. Në fund të shekullit të kaluar, dramaturgu Rudian Stefa thërritet nga Komiteti i Partisë. Një grua e re, të cilën ai nuk e njeh, Linda B., është gjendur e vetëvrarë, ndërkohë që mbante në dorë një kopje të librit më të ri të Rudianit me autografin e tij. Për shkak se Linda dhe familja e saj ishin pjesëtar të ish-borgjezisë, vdekja e saj duhet të hetohej. Karakteristika të byrosë politike janë paranoja e shfrenuar dhe dyshimi i fortë për komplot. Madje konsideron edhe vetë-shkatërrimin e një vajze, dukshëm një plagë shpirtërore përballë një ankthi të vazhdueshëm, një kërcënim për Liderin. E dashura e Rudianit, Migena, e njihte Lindën shumë mirë dhe kështu Rudiani lodhet për të kuptuar sesi dhe pse ai dhe vepra e tij mund të kenë kontribuar në vdekjen e saj.
Vazhdimisht, në kontekste të shumëfishta, personazhet e Kadaresë shqiptojnë fjalët “pa asnjë arsye”, sikur të nënvizojnë absurditetet e liga të jetesës nën mbikqyrjen dhe frikën e pandërprerë të të akuzuarit për krime që ata nuk janë në dijeni se i kanë kryer. Të denoncohesh nga një bashkëqytetar, pa prova të keqbërjes dhe pa ditur akuzat, është të arrish fundin pothuajse menjëherë. “Kurthe, tradhti kudo”, thotë narratori. Në një shtet të tillë, edhe pirja e kafes në një lokal mund të interpretohet si kryengritje nga komisarët spiunë dhe Kadareja na jep një skenë drithëruese në kafene mes Rudianit dhe një hetuesi, një skenë në të cilën çdo filxhan kafeje mund të jetë i fundit për Rudianin.
Në një moment, hetuesi thotë, “Sinqerisht, që unë nuk të kuptoj”, ndërsa Rudian i përgjigjet, “As unë nuk të kuptoj ty”. Fjalët janë kthyer në absurde. Stalinizmit, si fillim iu desh të ushtronte dhunë ndaj gjuhës përpara se të torturonte individët. Kur drejtuesit e shtetit e bëjnë gjuhën të pakuptimtë, ata mund të bëjnë të pakuptimtë edhe moralin dhe çdo gjë tjetër. Diktatura staliniste shtrembëronte mungesën postmoderne të kuptimit në një burokraci të stuhishme, duke shpërndarë kudo të pashpjegueshmen, enigmën. Në të vërtetë, emri Migena është një anagramë për “enigmën”. Personazhet e Kadaresë mund të jenë edhe në shtëpi brenda botës së purgatorit, “Duke pritur Godonë”.
Rudian jeton në një atmosferë mbytëse konfuzioni duke u përpjekur të kuptojë fatin e Lindës, ai dhe Migena nuk e kuptojnë njeri-tjetrin dhe shtyhen drejt një logjike të pakapshme. Rudiani mendon, “Çdo gjë ishte kaq e paqartë dhe si mund të ishte ndryshe? Gjithçka Ishte shumë e ndërlikuar”, është përfundimi i paracaktuar i personazheve të Kadaresë. Regjimi funksionon me një papërshkueshmëri të tillë saqë edhe vrasësit e tij nuk i kuptojnë plotësisht kurrë urdhrat e tyre.
Me saktësi të larmishme, Kadare tregon sesi komunizmi funksionon me mentalitetin e turmës, zhvlerësimin e plotë të individit, mohimin e shpirtit, vullnetit dhe mendjes që i shtohet barrës së punës në shërbim të shtetit. Në një nga dramat e Rudianit, personazheve nuk u lejohet të thonë as “mirëmëngjes”, vetëm “lavdi punës”.
Në një kohë kur vende të ndryshme të botës kanë filluar të tregojnë nostalgji për komunizmin, romani i Kadaresë ballafaqon pamundësinë acaruese të artit në një sistem kundër individit, autokratik. Dorëshkrimet e dramave të Rudianit mbeten në duart e filistinëve të Komitetit të Partisë, duke pritur miratimin apo refuzimin pasi u janë bërë autopsitë për çdo sugjerim për kryengritje apo përmbysje.
Kadare gjithmonë ka qenë një stilist i lirë i forcës së pastër dhe John Hodgson e ka përkthyer këtë roman siç ka bërë me tre të tjerët, me një besnikëri impresionuese ndaj ritmeve errësuese të prozës dhe subjektit. Faqet e fundit janë në mënyrë të paharrueshme emocionuese, një shprehje e ndjenjës së fuqishme dhe surprizës. Rudiani ishte i rrethuar nga një zbrazëti dhe në këtë zbrazëti, para syve të tij, diçka po ndodhte në të cilën ai nuk mund të ndërhynte. Por kjo diçka, kjo zbrazëti, ndërhyn tek ai, ashtu siç ndërhyn tek çdo shqiptar, nga kryeqyteti në fshat, të dënuar në tmerr dhe frikë./ata/