550 vjet nga vdekja e Skënderbeut
Msc. Fatjon Balliu, studiues i Historisë
Cilat qenë shkaqet e vdekjes së Heroit? Si e përjetuan ato ditë shqiptarët dhimbjen e madhe që i pushtoi. Jehona në vendet evropiane
Në historiografinë skënderbegiane tashmë është pranuar se Skënderbeu vdiq në Lezhë më 17 janar 1468. Data 17 janar 1468 është sipas kalendarit Gregorian, i cili u miratua si kalendar universal në vitin 1582. Dita, muaji dhe viti i vdekjes janë caktuar duke ballafaquar njoftime të ndryshme që përmbajnë kronikat dhe aktet e kohës kur Heroi vdiq.
Kronisti bizantin i shekullit XV G. Sfrantzes thotë se Skënderbeu vdiq në janar të vitit 6976. Viti është sipas kalendarit bizantin, i cili ndryshon nga kalendari Gregorian me 5508 vjet. Pra, sipas G. Sfrantzes Skënderbeu vdiq në janar 1468. Dita 17 janar është e pranueshme, mbasi fill pas kësaj date bashkëshortes së Skënderbeut Donikës i erdhën ngushëllime nga miqtë e jashtëm. Tashmë askush nuk e vë datën e vdekjes (17 janar1468) në diskutim.
Dy biografët e hershëm të Skënderbeut, Marin Barleti dhe Dhimitër Frangu, pranojnë se Heroi vdiq në Lezhë, por ndryshojnë midis tyre në lidhje me datën e vdekjes.
Barleti shkruan se Skënderbeu vdiq në Lezhë, më 17 janar të vitit 1466, në moshën 63-vjeçare dhe u varros në kishën më të madhe të Shënkollit. Dh. Frangu, nga ana e tij, shkruan në variantin e vitit 1539, se Skënderbeu vdiq në Lezhë në vitin 1467 (por nuk jep as ditën, as muajin), në moshën 63-vjeçare dhe u varros në Kishën Katedrale të Shënkollit në Lezhë. Po këtë vit (1467), sërish pa ditë e pa muaj, përmban edhe shkurtorja e vitit 1584. Kjo mospërputhje e vitit ka rrjedhur nga përdorimi prej tyre i kalendarëve të ndryshëm.
Dh. Frangu shënon, sikurse u tha, vetëm vitin e vdekjes së Heroit 1467. Por, viti i vdekjes që jep Dh. Frangu 1467 i takon kalendarit Julian, i cili në kishën perëndimore ishte në fuqi deri në vitin 1562. Dihet se kalendari Julian fillonte më 1 mars. Pra, viti 1467 mbaronte më 1 mars 1468. Si rrjedhim, janari i vitit 1467 të kalendarit Julian i takon të jetë janari i vitit Gregorian 1468.
Barleti, nga ana e tij, është i saktë në ditën dhe muajin 17 janar, por viti 1466 që ai jep, në pamje të parë duket se nuk pajtohet me vitin e saktë të vdekjes 1468. Në përgjithësi, historianët përfshirë dhe Fan Nolin, mendojnë se M. Barleti ka gabuar me vitin. Në të vërtetë, M. Barleti nuk ka gabuar. Humanisti shkodran e jep vitin, sikurse e ka vënë në dukje Prof. Dr. Kristo Frashëri, sipas kalendarit popullor venedikas (more veneto), i cili ishte një vit prapa kalendarit Julian, pra dy vite mbrapa kalendarit Gregorian. Kështu, muaji janar i kalendarit venedikas 1466 i takon sipas kalendarit Julian janarit të vitit 1467, kurse sipas kalendarit Gregorian janarit të vitit 1468.
Për këtë arsye M. Barleti datën e vdekjes – ditën, muajin dhe vitin – e ka të saktë. Po ashtu dhe Dh. Frangu, i cili edhe pse nuk na jep ditën dhe muajin, të paktën vitin e vdekjes e ka të saktë. Pra, edhe pse në lidhje me vdekjen e Heroit kanë përdorur kalendarë të ndryshëm, dy biografët e hershëm pajtohen midis tyre. Madje, fakti që Dh. Frangu e shënon ndryshe nga M. Barleti vitin e vdekjes së Heroit dhe nuk shënon as muajin, as ditën, ndoshta tregon se prifti drishtjan nuk e kishte lexuar veprën e priftit shkodran. Shkurt, përderisa pajtohen në një datë të saktë që vërtetohet dhe nga burime të tjera, nuk ka përse dy biografër të kenë kopjuar njëri nga tjetri.
Ata pajtohen gjithashtu edhe me vendin ku u varros Skënderbeu. Të dy biografët pohojnë se Heroi u varros në kishën katedrale të Shënkollit të Lezhës. Sipas mendimit tonë kur M. Barleti kishën katedrale e cilëson si “kishën më të madhe të Shënkollit në Lezhë” lë të kuptohet se në Lezhë kishte dhe një kishë tjetër të Shënkollit, e cila duhet të ketë qenë më e vogël se faltorja ku u varros Skënderbeu. Si rrjedhim, Kr. Frashëri ka të drejtë kur mendon se “Kisha katedrale e Shënkollit”, duhet të ketë qenë brenda mureve të kalasë, kurse kisha më e vogël e Shënkollit ishte jashtë mureve të saj, në Tregun e qytetit, pranë lumit Drin, e cila edhe pse në shekullin XVI u shndërrua në xhami, nga vizitatorët katolikë quhej deri vonë “Kisha e Shënkollit të Pazarit” apo shkurt “Kisha e Pazarit”.
Si rrjedhim, memoriali i vendvarrimit të Skënderbeut, i ngritur me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së tij mbi gërmadhat e kishës së Shënkollit të Pazarit, e shndërruar në xhami të sulltan Selimiut, nuk është ndërtuar saktësisht mbi varrin e Heroit. Kjo është arsyeja përse memoriali i ngritur në qendër të Lezhës, një vend i përshtatshëm për homazhe, u quajt “Memoriali i vendvarrimit” që është Lezha dhe jo i varrit që është Kisha.
Të dy biografët e hershëm të Skënderbeut pohojnë se Heroi vdiq në Lezhë, ku kishte thirrur për të marrë pjesë në një mbledhje krerët e vendit. Por, ata nuk e shpjegojnë njësoj arsyen përse Kryekapedani shqiptar zgjodhi Lezhën dhe përse mbledhja do të bëhej në mes të dimrit në qytetin, i cili në atë kohë ndodhej nën zotërimin venedikas.
Sipas M. Barletit, Skënderbeu në janar të vitit 1468 ndërsa po kalonte krahinë më krahinë për të rekrutuar ushtrinë e domosdoshme për të shtënë në dorë kalanë e Valmit (Elbasanit – F. B.) që kishte rindërtuar sulltan Mehmeti II në verën e vitit 1466, kur arriti në Lezhë, ku kishte ftuar të vinin atje në mbledhje krerët e vendit, e kapën një palë ethe të rënda (in gravem incidit febrem). Duke parandjerë vdekjen e afërt, Skënderbeu, vazhdon M. Barleti, ftoi pranë shtratit të vet të vinin krerët shqiptarë dhe autoritetet e Venedikut. Humanisti shkodran na jep me këtë rast një fjalim të gjatë që Skënderbeu mbajti para tyre, një fjalim si zakonisht plot retorikë të sajuar nga vetë pena e humanistit shkodran. Kur Skënderbeu mbaroi fjalimin, vazhdon M. Barleti, Lezha u trondit nga lajmi se ushtri turke, pasi kishin shkretuar zonën e Shkodrës, i qenë afruar Lezhës. Lezha u trondit ngase turqit, ndonëse qenë në luftë me Venedikun, nuk e kishin zakon të ndërmerrnin fushata gjatë dimrit. Heroi, edhe pse i sëmurë, u ngrit e desh të nisej për të luftuar si zakonisht në krye të ushtarëve të vet. Por, sëmundja e rëndë ia kishte këputur fuqitë. Kështu, pas një çerek shekulli ushtria shqiptare shkoi në luftë pa Kryekapedanin e vet. Ushtritë turke, shkruan M. Barleti, kur panë afrimin e ushtrive shqiptare, duke kujtuar se në krye të tyre ishte vetë Skënderbeu “lanë pjesën më të madhe të plaçkës dhe në një rrëmujë të pafund e drithmë që i hyri gjithë kampit morën gjatë natës arratinë.” Ndërsa rrugës ushtarët turq pësuan dëme të tjera nga pritat e malësorëve shqiptarë, Skënderbeu në Lezhë ndërroi jetë në moshën 63-vjeçare.
Dh. Frangu nuk zgjatet shumë mbi ditët e fundit të Skënderbeut. Thotë se Heroi vajti në Lezhë për punë të shtetit të tij dhe të Venedikut, sidomos për të shkatërruar kalanë e Valmit. Në Lezhë u detyrua të ndalej për një kohë të gjatë, sepse e zunë ethe të forta (si infermo di febre grandissima). Ai dyshoi se nuk kishte shpëtim, prandaj thirri pranë kapedanët e tij me të cilët bisedoi gjerë e gjatë. Thirri pranë Gjonin dhe Donikën si dhe të tjerë dhe u tha se ishte i sëmurë dhe se ishte përmbushur koha e qëndrimit të tij në këtë jetë. Meqë Gjoni ishte i ri dhe nuk e mbronte dot vendin, Skënderbeu e linte shtetin nën mbrojtjen e Sinjorisë së Venedikut, ashtu sikurse e kishte bindur kryepeshkopi Pal Engjëlli, të cilin Skënderbeu do ta linte mëkëmbës të vetin. Heroi e porosiste të birin që të mos i ndahej Pal Engjëllit dhe këshillave të tij, mbasi kështu nuk do të gabonte kurrë. Dh. Frangu shkruan tekstualisht: “Kur ti (Gjon – F. B.) të kesh mbyllur sytë e mi, do të shkosh menjëherë në Pulje te kështjellat tona, ku do të qëndrosh derisa të arrish moshën e duhur.
Më pas të shkosh në Venedik dhe do të bësh atë çka do të të urdhërojë Senati, i cili do të të ketë nën kujdes me shumë kënaqësi dhe do të ta rikthejë me besnikëri shtetin tënd.” Më tej, Dh. Frangu shkruan se kur kishte ardhur lajmi se Ahmet beu kishte arritur në Illugj (Illugi), Skënderbeu i egërsuar pa masë kishte mbledhur fuqitë dhe ishte veshur, armatosur dhe kishte urdhëruar ushtarët të niseshin, por dhimbja i ishte rënduar sa e kishte detyruar t’i porosiste luftëtarët të shkonin në Shkodër nën urdhrat e proveditorit venedikas dhe se ai do të bashkohej me ta të nesërmen. Ushtarët arritën pranë lumit Kir. Turqit sapo njohën ushtarët e Skënderbeut i pyetën se ku ishte ai. Kur turqit morën vesh se Skënderbeu do të vinte të nesërmen, ia mbathën dhe u larguan në panik. Në këto rrethana vdiq Skënderbeu.
Pavarësisht nga hollësirat dhe nga përshkrimet letrare, të dy biografët e Heroit pajtohen në përgjithësi mbi rrethanat e vdekjes së Skënderbeut. Të dy lënë të kuptohet se përsa kohë i biri i tij Gjon Kastrioti do ishte ende fëmijë, Skënderbeu kishte besim se Venediku do të ishte aleati më i ngushtë dhe më i sinqertë, se do ta mbronte shtetin e tij nga invazorët osmanë dhe se kur të rritej e të bëhej burrë Gjoni, Republika e Shën Markut do t’ia kthente shtetin e tij, mjafton që Gjoni të respektonte mirësinë dhe virtytin.
Ky besim i jashtëzakonshëm buronte nga fakti se Republika e Venedikut do të vazhdonte të ishte në luftë me Perandorinë Osmane, ndoshta edhe nga fakti se ajo do të kufizohej si zakonisht vetëm në qytetet bregdetare dhe nuk do të synonte të shtrihej në brendësi të territoreve shqiptare, pra nuk do t’i ngacmonte viset e brendshme të Shqipërisë.
Megjithatë, dy biografët ndryshojnë në një pikë të rëndësishme. Ndryshe nga M. Barleti, sipas të cilit Skënderbeu nuk e zë fare në gojë emrin e kryepeshkopit Pal Engjëlli, – Dh. Frangu i jep kryepeshkopit të Durrësit një vend të dorës së parë në këshillat që Heroi i dha të birit. Sipas priftit drishtjan, Skënderbeu ia linte në dorëzim shtetin e tij Sinjorisë së Venedikut, sipas porosisë që kryepeshkopi Pal Engjëlli i kishte dhënë Heroit. Madje, thotë se për këtë arsye Skënderbeu e linte kryepeshkopin mëkëmbës të vet. Më tutje e porosiste të birin që të mos i ndahej kryepeshkopit Pal Engjëlli dhe këshillave të tij, mbasi kështu nuk do të gabonte kurrë.
Në lidhje me rrethanat e vdekjes së Skënderbeut, Dh. Frangu duhet të jetë më i besueshëm se M. Barleti. Kjo për arsye se Dh. Frangu, sikurse është thënë, ka qenë në oborrin e Skënderbeut gjatë dy viteve të fundit të jetës së Heroit, mbase dhe në Lezhë. Sidoqoftë është dëshmitar i drejtpërdrejtë, kurse M. Barleti ka shkruar sipas tregimeve që ka dëgjuar më vonë.
Por, roli kaq i madh që Dh. Frangu i vesh Pal Engjëllit, për të cilin hesht M. Barleti, na kthen përsëri te dyshimi që kemi shprehur më parë se ndoshta kemi të bëjmë me një ndërhyrje të nipit të Pal Engjëllit, Pal Pjetër Engjëlli, në shkurtoren e Dh. Frangut.
Në lidhje me shkakun e vdekjes së Skënderbeut kemi njoftime në disa akte të kohës disa nga të cilat ndryshojnë nga pohimet e dy biografëve të hershëm të Heroit.
Do të ishte me interes të veçantë po të gjendej relacioni i autoriteteve venedikase të Lezhës drejtuar Senatit të Venedikut mbi vdekjen e Skënderbeut, mbasi ata kanë qenë pa dyshim dëshmitarët më të afërt. Në mungesë të tyre ne kemi ambasadorin e dukës së Milanit në Venedik, Gerardo de Collis, i cili më 12 shkurt 1468 njoftonte eprorin e vet se Skënderbeu ndërroi jetë, kishte ethe dhe meqenëse disa turq po vërshonin në atë vend, donte t’i hipte kalit dhe vdiq brenda tre ditëve, “Scanderbeg è passato da questa vita; haveva la febre, et esssendo corsi certi Turchi nel paese, volsi montar a cavallo, e morì in tre giorni”.
Një ditë më vonë nga data e letrës së ambasadorit milanez, pra, më 13 shkurt 1468, arriti në Venedik letra e nënrektorit të Durrësit me të cilën ai njoftonte vdekjen e Skënderbeut, pa dhënë as ai datë. Nënrektori i Durrësit shtonte se vdekja e Skënderbeut kishte shkaktuar në atë vend një pështjellim dhe një tronditje të madhe. Por, shkakun e vdekjes së Heroit nuk na e thotë. Heshtja nënkupton se vdekja duhet të ketë qenë natyrale. Po atë ditë, pra më 13 shkurt 1468, Senati i Venedikut e njoftonte nënrektorin e Durrësit se: “kemi vendosur që të niset sa më parë prej këtej dhe të kthehet në atë krahinë i nderuari zot kryepeshkop i Durrësit (Pal Engjëlli – F. B.), i cili ka qëndruar shumë kohë pranë nesh si përfaqësues i të ndjerit zot Skënderbe të lartpërmendur, është burrë shumë i urtë besnik dhe i bindur ndaj nesh dhe shtetit tonë” (Propterea vadit pars, quod cum omni possibili celeritate expediatur hinc, et in provinciam illam redeat reverendus dominus archiepiscopus Dyrachii, qui apud nos diu stetit orator nomine prefati quondam domini Scandarbegi, et est persona multum prudens et nobis statuique nostro fidelis et devota.) Sikurse shihet, vdekja e Skënderbeut ngjau për Senatin e Republikës së Venedikut në befasi dhe se kryepeshkopi i Durrësit, Pal Engjëlli, ndodhej në Venedik dhe jo në Lezhë.
Kemi dhe një burim të tretë, i cili na jep një njoftim të jashtëzakonshëm. Është bashkëkohëtari i Skënderbeut, humanisti italian Rafaele Volaterranus, i cili në Komentarët e tij, botuar më 1506, sidoqoftë para veprës së M. Barletit, shkruan se Skënderbeu, pak kohë pasi ishte kthyer nga Roma, vdiq, thuhet, nga helmimi (ubi parvo post tempore veneno absumptus dicitur).
Kemi më në fund dhe një njoftim të mëvonshëm, duket të pavarur prej atyre që u përmendën, i cili na jep një lajm që nuk e kanë të tjerët. Në veprën e tij “Kujtime historike mbi monarkët osmanë”, botuar në Venedik më 1679, G. Sagredo, shkruan tekstualisht se “vdekja e tij (Skënderbeut – F. B.) u shkaktua nga pakujdesia e mjekut”.
Nga sa u tha, njoftimi i dy biografëve të hershëm se Skënderbeu vdiq nga ethet nuk bie në kundërshtim me njoftimet se ai vdiq brenda tre ditëve dhe se shkaku i vdekjes ishte paaftësia e mjekut. Puna ndryshon me njoftimin që jep R. Volaterranus, se Skënderbeu vdiq i helmuar.
Gjatë Mesjetës, helmimi i personaliteteve nuk ka qenë fenomen i panjohur. Nëse ky lajm duhet marrë në konsideratë, lind pyetja: kush mund ta ketë helmuar Skënderbeun? Prej kohësh është shfaqur dyshimi se helmimi i Skënderbeut mund të ketë qenë vepër e Republikës së Venedikut. Por, dyshimi nuk ka fituar kredi, ngase në vitin 1468 Republika e Shën Markut ishte në luftë me Perandorinë Osmane. Madje, Perandoria Osmane po marshonte në zotërimet venedikase të Shqipërisë veriore. Në këto rrethana, Republika e Venedikut nuk kishte interes ta eleminonte Skënderbeun në një kohë kur kishte nevojë të ngutshme për të. Nëse helmimi ka qenë vepër e ndonjë faktori tjetër, për shembull, vepër e agjentëve osmanë apo të rivalëve të tij shqiptarë, dy biografët e hershëm nuk kishin pse të heshtnin. Si përfundim, njoftimi i humanistit R. Volaterranus nuk ka arsye përse të merret në konsideratë. Shtojmë me këtë rast se vdekja nga ethet në Lezhën mesjetare është e kuptueshme, mbasi qyteti në atë kohë ishte një vend malarik dhe se ethet malarike shkaktonin zakonisht deri vonë vdekje të shpejtë të njerëzve që nuk ishin ambjentuar me klimën e saj.
Po e mbyllim me gjëmën që shkaktoi vdekja e Skënderbeut.
Barleti thotë se kur Lekë Dukagjini mori vesh lajmin e vdekjes së Heroit, doli në tregun e qytetit dhe atje e vajtoi Kapedanin me këto fjalë: “Ejani, ejani të gjithë me vrap, o princër e sundimtarë arbërorë. Sot u bënë copë dyert e Epirit dhe të Maqedonisë, sot u rrëzuan muret dhe fortesat tona. Sot fluturoi tërë forca dhe fuqia jonë. Sot u përmbysën fronet dhe pushtetet tona. Sot së bashku me këtë burrë u shua krejt çdo shpresë e jona.”
Me përjashtim të vajtimit të Lekë Dukagjinit, M. Barleti e përshkruan në mënyrë tepër të varfër atmosferën e zisë që pushtoi shqiptarët për këtë humbje të madhe. Humanisti shkodran kufizohet vetëm me disa rreshta ku përshkruhet legjenda e kalit të Heroit, sipas së cilës, ai u bë shumë i egër, i tërbuar dhe i pafrenueshëm, saqë nuk donte të mbante më asnjeri mbi shpinë e pas pak ngordhi. Gjithashtu dhe ceremonisë së varrimit të Kryekapedanit i kushton vetëm dy-tre rreshta, pa na dhënë detajet prekëse me të cilat duhet të ketë qenë e mbushur ajo situatë dramatike. M. Barleti shkruan se ceremonia e varrimit u bë sipas zakonit të të parëve, me një madhështi të paparë deri atëherë. Trupi i Heroit u përcuall me vajtime dhe pikëllim nga të gjithë ushtarët, princat e kapedanët.
Dh. Frangu, nga ana e tij, e trajton më me hollësi gjëmën që shkaktoi te shqiptarët dhe jo vetëm te ata, vdekja e Skënderbeut. Dh. Frangu thotë se për Skënderbeun vajtuan me hidhërim njerëzit e të gjitha krahinave, por sidomos princat arbër. Dh. Frangu na i jep ndryshe nga M. Barleti fjalët me të cilat princat e vajtuan Heroin: “O Skënderbe, mbreti ynë i mirë, i shenjtë, Ati ynë inkurajues, o vëllai ynë, mbrojtësi ynë, si na le kështu jetimë, si delet pa bari. Si mundemi ne t’i shpëtojmë tani duarve të egra të turqve, armiqve tanë më të fuqishëm? Mjerë popujt tanë! Mjerë të mëdhenj e të vegjël! Mjerë Arbëria dhe gjithë krahinat e tjera!”
Më tej, Dh. Frangu na thotë se vdekjen e Skënderbeut e vajtuan edhe princat e nënshtetasit e kombeve të tjera. Kjo për arsye, shkruan ai, se Skënderbeu, ishte syri dhe zemra e gjithë besimtarëve të krishterë, të cilët atë e donin me gjithë zemër, sado që thekson Dh. Frangu, e kishin urryer dishepujt e rremë, të paudhë, shpirtligj të Judë Iskariotit, tradhtar i Krishtit.
Dh. Frangu, ashtu si dhe M. Barleti, flet dhe për kalin e Skënderbeut. Veçse, tregimi i Dh. Frangut, është më i pasur me hollësi sesa ai që tregon M. Barleti. Tregimin Dh. Frangu duket se e beson dhe vetë, pasi ai i drejtohet Perëndisë që të japë një shpjegim për këtë ngjarje prekëse.
Pika të forta takimi duken në fragmentin kur flitet për hapjen e varrit të Skënderbeut nga turqit kur pushtuan Lezhën. Në këtë pikë, dy biografët e Heroit takohen shumë afër me njëri-tjetrin.
Barleti shkruan se turqit pasi pushtuan qytetin e Lezhës, nxorrën nga varri eshtrat e Skënderbeut, të cilit sa ishte gjallë ia kishin fort frikën dhe merrnin arratinë vetëm me t’i dëgjuar emrin, ndërsa tani që e shihnin të vdekur e të tretur sikur donin ta nderonin dhe ta adhuronin. Te varri i Heroit, vazhdon M. Barleti, u mblodhën që të gjithë ushtarët turq, të cilët e konsideronin veten me fat nëse do të siguronin për vete ndonjë copëzë të eshtrave të Kryekapedanit, të cilën pasi e zbukuronin me ar dhe me argjend e varnin në qafë si gjë hyjnore, të shenjtë dhe vendimtare për fatin e tyre. Ata kujtonin se po t’i mbanin ato copëza do të kishin në jetë “po atë fat e mbarësi që pati nga perënditë e pavdekshme dhe gëzoi sa qe gjallë vetë Skënderbeu, i vetmi ndër gjithë njerëzit me sa mbahet mend”.
Dh. Frangu, nga ana e tij, shkruan se pas Shkodrës turqit pushtuan Lezhën, ku kërkuan me ngulm trupin e Skënderbeut, prej të cilit pavarësisht se kur ishte i gjallë u hynin të dridhurat vetëm kur dëgjonin emrin e tij, tani që kishte vdekur filluan ta nderonin. Madje, filluan ta adhuronin, aq sa i lumtur ishte ai që mund të merrte ndonjë copë prej eshtrave të tij, të vlerësuara si relike të shenjta, të cilat i lidhnin me ar ose argjend dhe si gjë hyjnore i varnin në qafë, gjë që thekson Dh. Frangu, nuk ishte gjë tjetër, veçse një supersticion pagan.
Ngjashmëria si fakt, mund të shpjegohet nga tradita popullore, por puna ndryshon me mënyrën e tregimit. Tregimi i të dy biografëve ngjan aq shumë me njëri-tjetrin, saqë të bën të dyshosh se njëri mund të ketë kopjuar nga tjetri. Mendja këtu na shkon përsëri te kushëriri i Dh. Frangut, Pal Pjetër Engjëlli, i cili sikurse është thënë disa herë, përktheu shkurtoren, madje u kujdes për botimin e saj, pas botimit të veprës së M. Barletit.
Shënojmë më në fund se varianti i shkurtores botuar më 1584 përmban disa njoftime, edhe pse të pakta, të cilat nuk i ndeshim as te vepra e M. Barletit, as te shkurtorja e vitit 1539. Në variantin e vitit 1584 theksohet dhimbja e madhe që pati Donika Kastrioti nga vdekja e të shoqit, gjë e kuptueshme. Por, aty thuhet se për qetësimin e saj u desh ndërhyrja e kryepeshkopit Pal Engjëlli. Kjo është me siguri një shtesë e pasaktë, mbasi sikurse u pa, kur vdiq Skënderbeu, kryepeshkopi Pal Engjëlli ndodhej në Venedik dhe se ai arriti në Durrës më tepër se një muaj më vonë.
Gjithashtu në shkurtoren e vitit 1584 thuhet se kur mbreti Ferdinand i Napolit dhe i Sicilisë mori vesh lajmin e hidhur të vdekjes së Skënderbeut, ai shpalli ditë zie në gjithë mbretërinë e tij. Nga sa ne kemi dijeni, nga dy letrat e veta të mbretit Ferdinand shkruar më 24 shkurt 1468, pra atë ditë që mori vesh vdekjen e Heroit, sovrani napolitan flet për pikëllimin e madh që ndjeu për vdekjen e Skënderbeut, të cilin, thotë ai, e nderonte sikur të ishte i ati i tij. Por, ai nuk flet fare se për të nderuar kujtimin e Kryekapedanit shqiptar shpalli ndonjë ditë zie. Si rrjedhim, edhe këtu ndoshta kemi të bëjmë me ndonjë ndërhyrje të kushëririt të Dh. Frangut. Duhet patur parasysh se kur turqit pushtuan Lezhën dhe hapën varrin e Heroit, si M. Barleti dhe Dh. Frangu nuk ndodheshin në Shqipëri. Të dy kishin mërguar. Pra, asnjëri nuk ishte dëshmitar okular.