Albspirit

Media/News/Publishing

Bedri Islami: Si u bë LIBRA, fletorkë?


LIBRA duhet të jetë forca më e re politike në vend, krijuar në 1 nëntor 2016, nga dy ish deputetë të Partisë Socialiste, Blushi dhe Mimoza Hafizi, të cilët, edhe pse u larguan nga partia që i kishte deleguar në Kuvend, mandatin nuk e dhanë, por vazhduan të ishin pjesë e një parlamenti, deri ditën e fundit të tij.

Ishte në dukjen fillestare, një projekt ambicioz, por fletët kanë nisur t’i grisen marramendshëm shpejt.

E mbetur jashtë Parlamentit, ku priti të afishohej, të paktën kryetari i saj, LIBRA heshti javë të tëra, sikur të mos donte të pranonte një humbje, e cila, në vitet e mëpasme, do i duket një luks i madh, duke parë si po zbehet përditë imazhi i saj i parë.

FLETËT E “LIBRA” DHE LIDERI

Libra synonte të ishte një libër i hapur për të gjithë. Secili mund të shkruante aty idenë e tij.

Por Libra do të fillonte shndërrimin në “fletorkë”, pikërisht në atë pikë ku kishte sulmuar më fort të tjerët: në rolin e liderit. Qesharake që ndodhi me një si Ben Blushi që dikur trashte zërin kundër mbivendosjes së liderit mbi strukturat.

Bashkëjetesa mes dy “bashkëkryetarëve”, Blushi dhe Hafizi, u bë aq shpejt e pamundur, sa nuk ka ndodhur në asnjë parti tjetër, as tek ajo që drejton Nard Ndoka. U ndanë marramendshëm shpejt duke iu sulur njëri tjetrit: njëri duke gjetur fjalën e harruar, “hileqare”; tjetra duke nxjerrë nga fjalori i vjetër, “ i paburrë”.

Si duket, asnjëri e as tjetri nuk e kishin patur seriozisht kur kishin folur për liderin që është njëri mes të barabartëve. Të dy e kishin dashur partizën si njësi matëse për vete.

Dhe si ndodh zakonisht në Shqipëri, burrat janë më të fortë. Beni ia mbylli portën bashkëthemelueses.

PENSION TË MBARË… HILEQARË

Nëntitulli i sipërm nuk është yni. Është nga një mesazh i Blushit dërguar Hafizit, kur, në pragun e ndarjes i shkruante pa asnjë dhimbje, ndoshta i lehtësuar: “pension të mbarë, Moza… Unë nuk ndaj asgjë me hileqarët”.

Kush ia kishte patur “me hile” LIBRA-s dhe përgjithssisht politikës shqiptare? Njëri, apo të dy?

Të dy kanë pasur lëkundjet e tyre në forcën që i delegonte lehtësisht në parlament. Në vitin 2009 Blushi do të ishte prijës i një rryme që mori emrin Lëvizja e Mendimit Ndryshe dhe, në drejtimin e një vrulli politik për largimin e Ramës nga drejtimi i partisë.

Megjithëse dihej haptas se votimet e vitit 2009 ishin më shumë se të vjedhura, se kutitë ishin mbushur si u kishte dashur qejfi militantëve pëdëistë, përmes të fortëve pranë politikës, disa nga të cilët i thitthi më pas PS-ja, përsëri Blushi e gjente të keqen jo tek vjedhësi i votës, por tek i vjedhuri.

Në fakt, Lëvizja e Blushi, nuk zgjati shumë. Si të gjitha punët, edhe këtë e la përgjysmë.

Ndonjëri i LMN shkoi të dilte i pavarur, një tjetër shkoi tek ata që kishte dashur 15 vite më parë t’u çante kokat, njëri mbeti pas liste dhe vetëm Blushi u rifut në listë, për më tepër në vendin e parë, absolutisht të sigurt në fitore.

Pastaj erdhi cikli tjetër. Kush luan njëherë, kërkon të luajë gjithnjë. Rinisi sherret “në emër të parimeve”.

Blushi e dinte, më mirë se të gjithë se, nëse do të kishte ndodhur një përplasje mes tij dhe Ramës për karriken e shefit socialist, ai do të ishte humbësi i madh.

Por ai tani duket qartë sa larg Ramës është, qoftë në fjalë, qoftë në vepra. Kur nuk ishte në gjendje të mbante në këmbë një partizë, merreni me mend çfarë do t’i bënte një partie të madhe si PS.

GJËRAT E PËRDORURA HIDHEN NË KOSH

Edhe nëntitulli i sipërm nuk është yni. Është një pjesë nga mesazhi që Blushi i dërgonte në postën elektronike bashkëthemelueses, Hafizi.

A është LIBRA një gjë e përdorur? Nëse gjysma krijuese e saj duhet hedhur në kosh, çfarë pritet të bëhet me gjysmën tjetër? E vështirë të parashikohet.

Në kohën kur LIBRA ishte ende një ide, ndoshta as emri nuk i ishte gjetur, vizioni që parahidhej në diskurset e pafund të Blushit që u bë deputet i pavarur, (i pavarur nga kush?) ishte aq i zhurmshëm. Muajt që erdhën sollën edhe një herë të vërtetën e hidhur se idetë e hedhura në letër nuk janë gjithnjë të njëjta me atë që vjen më pas.

Sepse koha e provës është më e vështira.

Në pak më shumë se 14 muaj “pavarësi” të LIBRA-s, nuk kemi të bëjmë më me vizion, por me premisat e një mashtrimi politik. Gjërat e përdorura hidhen në kosh, shkruan Blushi. Jemi plotësisht në një mendje me të.

SHIHEMI NË SHTATOR

Edhe kjo është njëra ndër thirrjet më të njohura të LIBRA-s. Shtatori do të ishte kthimi i Blushit në parlament e ndoshta edhe i Hafizit.

Nuk ndodhi kështu. Votat nuk ishin të mjaftueshme. Blushi nuk është më në ëndrrën e tij: në parlament.

Që nga qershori i vitit të shkuar e deri në 1 vjetorin e LIBRA-s, askush nuk e dinte se ku ishte ai.

Nga “lideri i përmbysjes së një klase despotike e oligarkie të fuqishme” kanë mbetur ca selfie nga lokalet e Tiranës.

Please follow and like us: