Albspirit

Media/News/Publishing

Ish-e fejuara e piktorit tregon 3 emrat e spiunëve: Ja kush informonte te Sigurimi për Edison Gjergon

 

Pas hapjes së Muzeut të Gjetheve, arkitektja Shpresa Leka, ish-e fejuara e piktorit Edison Gjergo, përveç gjithë shqetësimeve të urbanistikës, nuk mund ta lërë asnjëherë mënjanë shqetësimin e saj të vazhdueshëm, që u prek sërish pasi pa të ekspozuar në muze, skemën e përndjekjes që i bëhej të fejuarit.

Miqtë e artistit, kohë pas kohe, kanë folur më shumë rreth historisë së tij sesa Shpresa që, ndonëse ka qenë më afër, ka zgjedhur të qëndrojë e tërhequr. Megjithatë, muaj më parë, ajo rezistoi pa lënë një shënim në muzeun që ka treguar historinë e të riut përpara arrestimit. “Përjetova momente tejet emocionuese nga vizita, për faktin se jam viktimë e këtyre përgjimeve të tmerrshme, që më shkatërruan çastin më të bukur të jetës. Isha e fejuar me Edison Gjergon, në maj 1974 deri në momentin kur u arrestua në janar 1975. Edisoni ishte një piktor i talentuar, modern, që përjetoi ferrin komunist me burgosjen në Spaç për 8 vjet, për të vetmen arsye se ishte i talentuar dhe njeri me mendime të lira. Ai i fali Shqipërisë jetën e tij nëpërmjet veprës së mrekullueshme dhe vuajtjes si askush tjetër. Edisoni mbetet në altarin e artit kurativ shqiptar.

 

I paharruar në zemrën time. Shpresa Leka”, ka shkruar Leka në librin e përshtypjeve. Vetë Gjergo, lidhur me vajzën që dashuronte, i pati thënë dikur një shokut të tij, pa e ditur që ky ishte spiun: “E vërteta është se unë dashuroj një vajzë që punon në bibliotekë, në Pallatin e Pionierëve. Ajo më shfaqi simpati për punën time.” Kjo dashuri e ndarje me dhunë, thuajse i ka ndryshuar jetën Shpresa Lekës. Edhe atëherë kur mori drejtim e u ndërtua një rrugë e re, kujtimi i Edisonit ka qenë gjithnjë aty, në të gjitha bisedat a heshtjet e saj. Megjithatë, shqetësimi i saj sot, është një tjetër. Ku janë pikturat e njeriut, me të cilin ajo ndante kohën dhe zemrën? Shumë prej tyre mungojnë, nuk gjenden as ato, as sendet personale të vetë Shpresës, që dikur i mbante në studion e Gjergos, e as procesverbalet ku presupozohet të jenë shënuar gjithë ç’u gjet në momentin e tij të arrestimit. E nxitur nga ky shqetësim, këtë herë, Shpresa flet më gjatë për historinë e saj të shkuar, sado që nuk e lë asnjëherë mënjanë mërinë e vazhdueshme për atë çka ngjet mbrapsht në qytet, nga pikëpamja urbanistike.

Ajo vetë, megjithëse në moshë pensioni, ndihet e aftë të kontribuojë me ide e me fuqi në përmirësimin urbanistik të Tiranës. Syri i një arkitekteje nuk mund të qëndrojë asnjëherë indiferent sa herë që has ngjarje, ulje-ngritje katesh, rrëmujë, gjelbërime e gjithfarë parregullsish që nuk mungojnë në qytet. Duke e lënë shqetësimin profesional në një kolonë të posaçme, po mësojmë më gjerësisht për historinë e zhdukjes së pikturave të Edison Gjergos dhe disa detaje nga marrëdhënia që nuk përfundoi kurrë. “Ai njeri ishte fatkeq edhe ndaj njerëzve që i ndenjën pranë. Po të ishin njerëz për të qenë, nuk do kishte pasur të njëjtin fund”, nis të rrëfejë Shpresa…

Cilët njerëz? Shokët, të afërmit?

Kishte disa shokë ai, që ishin vërtet të mirë, por pjesa më e madhe e tyre ishin pranë tij vetëm për ta vëzhguar e spiunuar. Njëri nga ata, Islam Spahiu, ka qenë bashkë me të, i prekur njësoj. Në një shkrim, ai më pas, ka shkruar ‘In memoriam’ për të kujtuar vlerat e këtij njeriu. Ai donte të thoshte që unë nuk isha pjesë e atyre, por e kam vlerësuar duke e quajtur si fenomen të kohës së tij. Arti sot nuk ka kritizer të mirëfilltë, ende artistët sot janë të ndikuar nga xhelozitë profesionale sepse vetëm me tablonë “Epika e yjeve të mëngjesit”, ai nuk ka konkurrentë. Në kohën që e ka bërë këtë pikturë, ka qenë totalisht i izoluar, nuk kishte asnjë lloj informacioni, asnjë material, që të shihte apo të ndikohej. Në kohën e mundësive të sotme, ai do të ishte një gjeni botëror..

Po pjesa tjetër, ata që e survejonin?

Ai i dinte shok, ata ishin të gjithë spiunë dhe përndjekja ndaj tij ka qenë për vite më radhë, ka zgjatur për më shumë se 15 vite, që kur ka mbaruar studimet. Ai ishte edhe natyrë e shkujdesur, nuk para ua vinte veshin gjërave, të ishte i vëmendshëm për të kuptuar se ç’ndodhte vërtet përreth tij, ashtu siç është një artist i vërtetë. Nuk kishte asnjëherë frikë, ishte i çkompleksuar, thoshte ky jam unë dhe kaq! Asnjëherë nuk ka jetuar me frikë. Për shembull, më kujtohen disa momente, sepse edhe koha ka bërë të vetën e shumë gjëra janë fshirë nga kujtesa…

Ty çfarë të kujtohet?

Ajo që më kujtohet mirë mua, është fakti që të gjitha episodet e njohjes e të shoqërimit tim me të, kanë qenë të survejuara. Bashkë me mënyrën se si funksiononte asokohe Sigurimi i Shtetit, unë i pashë të pasqyruara te Muzeu i gjetheve. Ishte e gjithë ecuria, pra, gjatë gjithë kohës që kemi qenë bashkë, ne kemi qenë të vëzhguar. Mua kjo më ngacmoi që të reagoja e të bëja një shënim aty.

 

Arrin të shquash lëvizje konkrete?

Po, arrita të zbuloj lëvizjet kur unë shkoja në studion e tij për ta takuar, për të biseduar e për të ndenjur me të dhe spiuni ka ardhur aty, teorikisht ka qenë shoku i tij që rrinte me ne dhe nga ana tjetër, kthehej të bënte informimin. Kjo ishte shumë e ulët dhe të rikujtoje të gjitha këto dhe mënyrat si kanë funksionuar, ishte vërtet e rëndë. T’i mund ta kërkosh apo mbash nën vëzhgim tjetrin në momente të caktuara nëse dyshon, por jo të futesh brenda shtëpisë së tij edhe në marrëdhëniet e ngushta në çift. Këto nuk ishin të shpeshta, sigurisht, por ishin aty.

Ti arrin t’i kujtosh këto vizita që pe nga skema e lëvizjeve në muze?

Pak, vetëm si vegime sepse koha është shumë e largët, por disa personazhe që kanë ndikuar, arrij t’i kujtoj. Genc Hajdari, që ka dalë edhe dëshmitar në gjyq, ai ka bërë jetë normale, por ka qenë varrmihësi i Edit duke dëshmuar të kundërtën. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe Ladi Stamo, Kujtim Buza etj. Më kujtohet, ajo ditë që e pashë këtë të fundit pas shumë vitesh, rastësisht në një kafene, dhe isha gati të përplasesha me të. Mbaj mend që ditën që u arrestua Edi, unë isha në studio dhe Kujtimi erdhi më tha, ‘dorëzo çelësat e studios sepse ai është armik i popullit dhe nuk do të vish më këtu’. Këtë po, që e kujtoj qartë nga Kujtimi. Mendoni si është ta shohësh pas 30 vjetësh atë që bëri dikë tjetër të vdesë e vetë jetoi e punoi si deshi. Kushedi sa njerëz kanë marrë në qafë!

Si jeni njohur?

Rastësisht, mua më ishte caktuar të bëja një punë në Librazhd dhe shkoja në studion e një skulptori ku vinte edhe Edi. Unë as që e njihja, por ai me sa duket, kishte kohë që më shite. Më ndalon disa herë në rrugë derisa unë ndalova sepse për një kohë të gjatë as që e mendoja. Ka qenë një njohje graduale, e panxituar…mendoj që vetëm kështu marrëdhënia mund të arrijë në një pikë të kënaqshme që i bën palët të lumtura. Kështu u afruam, nga pak çdo ditë. Është një ndjenjë që duhet ta provojë çdo femër, pavarësisht fundit që pati.

Me pikturat e tij që nuk gjenden, çfarë ka ndodhur? Cilat janë konkretisht?

‘Kënga e reaksioneve’, një tablo shumë e bukur, që ka qenë në Galeri, është zhdukur. Edhe në kohën që kemi qenë bashkë, ai bëri “Tezgjahisten’, edhe ajo është zhdukur. Ku janë? Nuk gjenden sepse i kanë marrë… Kur u arrestua Edi, i hoqën nga ekspozimi dhe nuk dihet më ku janë. Ato që morrin në studio, gjithashtu. U sekuestruan të gjitha pikturat, madje edhe librat e gjërat e mia, që i kisha aty. Nuk gjendet ai procesverbal, që është bërë aty. Ai kishte pasuri librash, Komedinë Hyjnore të gjithën e gjithfarë veprash që e bënë atë artistin e papërsëritshëm. Ai interpretonte, ishte mjeshtër i ngjyrës dhe interpretimit. I bënte pikturat aty për aty… Më kujtohet një rast kur do shkonim në një dasmë dhe pasi e pyeta se çfarë do çonim, më tha që mos të shqetësohesha sepse do bënte diçka vetë. Deri në momentin e fundit, unë e pyesja e shqetësuar sepse nuk kishte bërë asgjë… e ka bërë në momentet e fundit. Kur e çuam te mikesha ime e shkollës, boja ishte ende e patharë dhe Magda e ka ende të varur në mur sot atë pikturë.

***

Më lëndon mungesa e mundësive për të kontribuar në profesion

Nëse do të lexonit CV-në e Shpresa Lekës, do shihnit se ka qenë për një kohë të gjatë pjesë e administratës, si Drejtore Drejtorie në Ministrinë e Rregullimit të Territorit, Sekretare e KRRTRSHsë, Sekretare e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Shqipërisë, por askund të jetë marrë ndonjëherë me politikë.

“Mund të isha marrë edhe me politikë, por më mirë që nuk e kam bërë sepse do të isha transformuar. E kam ndierë veten të mbushur me profesion, nuk e kam parë të nevojshme. Që mos të themi, që kam qenë përherë e zhgënjyer nga politika sepse për shkak të saj, unë ndihem e pakonsumuar, kam dëshirë të punoj për vendin tim dhe nuk kam mundësi ku ta bëj. Që nuk e di se pse më druhen, e evitojnë kontributin që mund të jap. Si duket, provat që kam dhënë në të kaluarën, në 2-3 momente kyçe kur politika ka dashur të më përdorë si vegël, i bën të stepen.

Duhet të dish si të ruhesh për të mbrojtur dinjitetin. Dëshira për të bërë diçka të bukur, sepse vetë profesioni i arkitektit i tillë është, më mban gjithnjë të karikuar. Unë e kam filluar jetën me optimizëm. Kam bërë karrierë në kushtet e një izolimi total dhe puna e vazhdueshme më ka mbajtur gjithmonë. Isha me fat që u caktova në institucionet më të mira në kohë të ndryshme. Unë e shihja botën vetëm bardhë dikur, dhe pas dramës që jetova, të gjithë energjinë e fokusova te profesioni. Ndoshta, nëse gjërat nuk do të kishin shkuar ashtu siç shkuan, nuk do të isha sfilitur aq shumë. Megjithatë, të tilla ishin kushtet, atëherë shiheshe me sy tjetër.

Unë, në fakt, nuk jam ndierë ndonjëherë e rrezikuar, por në mendje e kisha dhe kjo m’u bë rutinë më pas dhe e kam dhe sot. Vuaj sot kur mendoj që s’jam në gjendje të shkarkoj energjitë. Pra, historia po përsëritet. Atëherë ishte marrëdhënia me Edin, tani është mungesa e hapë- sirës. Edhe sikur të duash të punosh privatisht, nuk mundesh, s’ke me kë, sepse nuk të lënë mundësi. Janë krijuar struktura të tilla përjashtuese, që nuk të lejojnë përmes pengesave financiare. Nuk vlerësohet kapaciteti, ana profesionale, prandaj gjërat nuk shkojnë siç duhet”, ka thënë Leka, e cila ka dy fëmijë, që kanë marrë profesionet e të dy prindërve. Vajza ka kryer studimet për arkitekturë, ndërsa djali ka marrë profesionin e pasionin e të atit. Sado që ai nuk donte, i rritur mes skulpturash, s’kishte si të shpëtonte. “Ndonjëherë mendojmë mos nuk i kemi lënë të lirë sa duhet…”, përfundon ajo./Panorama/

Please follow and like us: