Skënderbeu, ai që zbriti nga podi i Legjendës dhe u ngjit në piedistalin e Heroit
NË 550-VJETORIN E VDEKJES SË HEROIT TONË KOMBËTAR
Nga Halil Teodori
“Skënderbeu, edhe sot megjithse kanë kaluar kaq vite nga vdekja e tij, vërshon stuhishëm në mermorjen e sejcilit, duke u përpjekur ta ndjek me ritmin e kohës hap pas hapi. Te çdonjëri nga ne që i vlon gjaku i shqipëtarit me kureshti, mediton dhe sërish rend për të marrë pjesë në çdo qelizë të asaj kohë, të asaj epoke, e cila ishte fillesa e lindjes së shtetit të Arbrit.
Prologu
Duke rikujtuar këtë epope të lavdishme të Heroit Tonë Kombëtar, elementi emocional është një rikthim në thelbin e kohës, në rimishërimin e çdo arbnori që ishte personazh i historisë më domethënëse të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Riardhja në trupin dhe mishin e njerëzve të kohës, të atyre që u kishte rënë barra e mbrojtjes së integritetit territorial dhe shpirtëror të Arbrit, dhe jo vetëm. Në vullnetin e këtij vigani liberator nuk ishin vetëm fatet e Arbrit, të bashkimit të kryezotëve, burrave dhe trimave, shpatarëve dhe kalorësve, në një përbetim, në një sfidë që do të ishte për gjithë Evropën e krishtere, për gjithë qytetërimin perëndimor që kërcënohej seriozisht nga hordhia e përbindshme otomane.
Skënderbeu, më e larta kreshtë e krenarisë
Heroi Ynë Kombëtar ka qenë, është dhe do të mbetet i përgjithmonshëm në memuarin e kohërave, në impulse e mëtimeve krijuese të gjeneratave. Emri dhe vepra e tij janë mishërim i bashkëjetesës sonë me historinë, me atributet më të epërme të gjenialitetit të një strategu lufte dhe vigani të bashkimit kombëtar. Skënderbeu, si emër, si etapë historike, si identitet mbijetese në rrebeshet e kohës, si kontributor i ruajtjes së vlerave të qytetërimit, kurr nuk shterroi përpjekjen për ta bashkuar vendin. Ishte pikërisht kjo përpjekje, kjo sfidë që arriti me vullnetin e tij unitetin, bashkimin, vëllazërimin, ndërgjegjësimin e gjithë asaj force liridashëse në një mburojë të paimagjinueshme ndaj një prej ushtrive më të rrezikshme të kohës, më gjakatare.
Epoka e Skënderbeut e shekullit XV dhe vetë figura e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut ndikoi fuqishëm në jetën shpirtërore të shqiptarëve dhe për rritjen e vetëdijes kombëtare të tyre. Të frymëzuar prej tyre, intelektualë të shquar shqiptarë, i pasqyruan e i përjetuan ato në vepra historike monumentale, në të cilat nisi jetën e vet historiografia shqiptare.
Nga jeta e heroit
Gjergj Kastrioti ishte djali më i vogël i Gjon Kastriotit dhe i princeshës Vojsava, fëmija i fundit midis 4 djemve dhe 5 vajzave. Mendohet se lindi më 6 maj 1405 në Dibër. E them këtë sepse gjashtë maj është festuar dhe vazhdon dhe sot e kësaj dite si ditë feste në Dibër dhe quhet Festa e Shën-Gjergjit ( gëzimi i dibranve për lindjen e djalit të tyre Gjergj ).U mor peng si nizam pas thyerjes së të atit nga Sulltan Murati më 1421 dhe u dërgua në oborrin e Sulltanit në Adrianopojë. Atje, zgjuarsia dhe shkathtësia e çuan Gjergjin në shkollën e sulltanit (içogllanëve) që përgatiste komandantë e nëpunës.
Skënderbeu nuk hoqi dorë nga ideja për t’u kthyer në Shqipëri në fronin e të atit, deri në vitin 1443 kur ai u nis kundër Janosh Huniadit nën komandën e bejlerbeut të Rumelisë.
Më 3 nëntor 1443 në afërsi të Nishit, u ndeshën dy ushtritë. Ushtria osmane u shpartallua dhe u tërhoq në panik. Skënderbeu filloi të zbatonte planin e kryengritjes, së bashku me 300 kalorës shqiptarë e me të nipin Hamza Kastrioti, u kthye në Dibër, ku populli e priti si çlirimtar. Mori masa për përforcimin e rrugëve nga mund të vinin osmanët, dhe prej andej iu drejtua Krujës. Me një ferman të rremë shtiu në dorë qytetin e garnizonin dhe kështu më 28 nëntor 1443 u shpall rimëkëmbja e principatës së Kastriotëve. Mbi kështjellën e Krujës u ngrit flamuri me shkabën e zezë dykrenare i Kastriotëve.
Në kushtet e pabarazisë së theksuar ndërmjet forcave osmane dhe atyre shqiptare, Skënderbeu përpunoi strategjinë dhe taktikën e tij luftarake, në bazë të së cilës qëndronte mendimi se fitorja nuk mund të varej nga numri i ushtarëve. Ai mbante armikun në alarm të përhershëm, i priste rrugën e fuqizimet dhe, pasi e kishte futur në kurth, e godiste me sulme të fuqishme e të befasishme.
Skënderbeu u shndërrua në simbol të luftës për liri e pavarësi. Ai mbeti një figurë e dashur për shqiptarët edhe pas vdekjes së tij. Kujtimi i tij mbeti gjithnjë i gjallë nëpër këngët, gojëdhënat e tregimet e shumta popullore që i dhanë atij tiparet e një figure legjendare.
Besëlidhja e Lezhës, fitorja e fitoreve
Ishte ky bashkim i gjithë princave. Besëlidhja e Lezhës u mbajt më 2 mars 1444, në katedralen e Shën Nikollës në Lezhë. Që këtu nisi historia e qëndresës dhe ekzistencës së Arbrit, e vendosjes në histori të namit të zëshëm të këtyre trimave që vërshejnë mes malesh dhe sheigjetojnë mes fushash si vetëtima.
Kjo beslidhje mori disa vendime. Vendimet e kuvendit ishin:Krijimi i një Beslidhje Arbërore në krye me Skënderbeun,formimi i një ushtrie të përbashkët të komanduar nga Skënderbeu si kapiten i përgjithshëm dhe krijimi i një arke të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës. Ushtria e besëlidhjes u krijua e përbërë nga repartet e bujarëve shqiptarë dhe garda personale e Skënderbeut. Të gjithë princërit u zotuan të përkrahnin me ushtri, me ushqime dhe para, kundër Sulltan Muratit II. Të ardhurat e ushtrisë së Besëlidhjes, në vit, vinin nga pagesat e princërve të Besëlidhjes, nga të ardhurat e principatës së Kastriotëve dhe nga shëllinat (minat e kripës) e Kampopeshkupit, afër Shën Kollit, në veri të Durrësit. Vlerën e një ushtrie të gatshme për luftë në cdo minutë Skënderbeu e kishte parë tek shërbimet e Jeniçerëve. Fitimet e Turqisë i detyroheshin këtij trupi ushtarak i cili ishte themeluar nga Sulltan Orhani.
Mirënjohja ndaj Heroit
Në të gjithë botën ka shesh me emrin dhe bustin e tij, ka rrugë e institucione arsimore që e kanë privilegj emrin e tij. Skënderbeu ka kalëruar gjithashtu nëpër kohëra duke tunduar jo vetëm historian e kronikanë, jo vetëm albanologë e qëmtues arkivash, por dhe artin ndërkombëtar.
Sot është detyra jonë kombëtare dhe në veçanti e Dibranve të ridimensionojmë këtë figurë që është më e rëndësishmja në historinë tonë kombëtaresi një shtyes e rëndësishme vlersimi dhe dimensioni universal që vetë Skënderbeu i dha kontributit të tij për paqe.
Kalemxhinjë, grafomanë dhe pseudohistorianë, të paguar dhe të ushqyer nga një urretje patologjike e interesave tona kombëtare nuk kanë reshtur së përpjekuri për të denigruar figurën dhe veprën e Skënderbeut. Sa më shumë që ata e kanë qëlluar, e kanë anatemuar, e kanë tjetërsuar, aq më shumë ai është ngritur, aq më lartë e ka hedhur shtatin kjo përmendore.
Heroi mes legjendës dhe debateve
Gjergja Kastrioti, bën pjesë padyshim në rangun e heronjve, fama dhe name i të cilëve duke udhëtuar në hapsirë dhe kohë, është mitizuar, duke e pasuruar veprën dhe kontributin e tij, me faktet dhe të dhënat dokumentare, duke e dehur me limfën e legjendës. Deri më sot ai ka ardhur i paprekur thelbësisht, i patjetërsuar, sikundër ka ndodhur me bashkëkohësit e tij, për shumë arsye. Megjithatë emri dhe historia e tij kanë ardhur të dyzuara. Janë përplasur dyzimet për shpërfaqur të gjithë komponentët që përplotësojnë Skënderbeun, që nga origjina, parametrat fizikë, tiparet e portretit, roli kushtrues, beslidhja, roli udhëheqës, aleancat dhe marrëveshjet. Gjithçka e tij është bërë objekt diskutimi dhe debate. Breza të tërë historianësh dhe hulumtuesish, shqiptarë dhe të huaj kanë sjellë argument dhe kundërargumente. Njëmendësia dhe dakordësia kanë kaluar nëpërmjet shtigjsh shumë të ngushta e terrenesh shumë të ashpër. Opinionet dhe debatet kanë mbajtur të ndëzur shtjellën e përzimllekut të konkludimeve të arritura prej individësh të ndryshëm. Mbase kjo ka bërë që Skënderbeu të jetë jo vetëm Heroi ynë Kombëtar, i padiskutueshëm, por njëherash një prej figurave emblematike të Historisë së Shqipërisë më të debatuarat në dimensionin kohor. Gjithsesi duket se pjesa më e madhe e dyzimeve janë rrëzuar, duke pranuar si përfundimtare faktet dhe argumentat, e cilësuara dhe pohuara si më bindëset. Ndonse Marin Barleti është në një farë mënyre biografi i zanafillës së Skënderbeut, kumtimi i tij si bashkëkohës, është pasuruar, rivlërësuar dhe shumë detaje të mbetur jashtë nga (Historia de vita et rebus gestis Scanderbegi, Romë midis 1508 dhe 1510) janë përftuar nga koha dhe përfshirë në galerinë e heroit, duke bërë që ai të zbresë nga podi i legjendës dhe të ngjitet në pjedestalin e heroit.
Epilogu
Në 550-vjetorin e vdekjes, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu më shumë se një detyrim për mirënjohje për aktin e tij të pashembullt të qëndresës dhe aspiratave për liri, është një apel që troket në portat e rënda të politikës shqiptare. Ajo duhet të kthejë sytë nga epopeja e këtij heroi legjendar dhe të lexojë paragraf pas paragrafi atë që është përmbledhurazi si historia më e lavdishme e arbrit. Sepse ishte ky emër, ishte kjo vepër, ishte kjo përpjekje që e nxori në dritë Arbrin, i dha bekim shqiptarëve, u futi tmerrin një ushtrie të frikshme që njihte bota, dhe i tha Evropës se unë jam “Kalorës i Krishtërimit”.