Artikulli i “The Guardian”: Misteri i vrasjes së shqiptares Silvana Beqiraj
Fatmir Treziu
Historia e Silvana Beqiraj, shqiptares që u gjet e vrarë 4 vjet më parë në Francë, është rikthyer sërish në vëmendjen e shtypit britanik. “The Guardian”, i ka kushtuar një artikull të plotë vrasjes së mbuluar me mister, e ende e pa zbardhur, teksa familja e saj kërkon të dijë të vërtetën.
SHKRIMI I PLOTE
“Silvana Beqiraj u largua nga Shqipëria rurale për në Francë dhe pas katër vitesh u gjet e vdekur në një kanal. Familja e saj kërkon përgjigje. Një mëngjes vjeshte në shtator të 2014, trupi i një gruaje u nxor nga kanali Lunel në zonën Montpellier. Policia franceze në fillim mendoi se gruaja ishte mbytur.
Nuk kishte shenja plagësh por fakti që ajo ishte lakuriq ishte shkak për t’u shqetësuar”, shkruan ‘The Guardian’.
Trupi i pajetë ishte i një gruaje shqiptare, Silvana Beqiraj, me origjinë nga Ndërmenas, një fshat në qarkun e Fierit. Silvana ishte një nënë e divorcuar me dy fëmijë dhe kishte emigruar në Francë 4 vite më parë, duke lënë fëmijët e saj me prindërit. Një grua tjetër shqiptare, Bukurie Elmazi, gjithashtu nga Fieri, kishte emigruar në Francë me Silvanën në 2011, pasi e kishte bindur të emigronte për ‘mundësi më të mira’, sipas familjes së Silvanës. Elmazi ishte personi që identifikoi trupin e Silvanës. Babai i saj, Mehmet Beqiraj thotë se Silvana ju kishte thënë se në Francë kujdesej për një grua të moshuar, por gjithsesi familja e saj ishin të gjithë dyshues.
Sapo u zbulua që Silvana kishte qenë e përfshirë në prostitucion në Montpellier, autoritetet franceze nisën një hetim për vrasjen e saj por familja e Silvanës akoma edhe sot nuk e dinë se çfarë i ka ndodhur. Shkaku i saktë i vdekjes së saj nuk është përcaktuar asnjëherë nga policia apo mjeko-ligjorët, dhe anjë nuk është arrestuar apo akuzuar për vrasjen e saj deri tani.
Familja e Silvanës nuk e pranon që ajo ishte trafikuar, duke preferuar të besojnë se nëse ishte e përfshirë, ishte me dëshirën e saj.
Vëllai i saj është shprehur se ‘nëse ka një tutor ose një trafikant, një grua nuk mund të dërgojë para, ndërsa Silvana na dërgonte shuma të mëdha parash’.
Sidoqoftë provat sugjerojnë të kundërtën.
Vëllai i saj thotë se burrat që e morën Silvanën në Francë akoma jetojnë në fshat, ndërsa babai i saj thotë se Silvana dërgonte nganjëherë një sasi të vogël parash, kur kishte mundësi.
Disa ditë pas vdekjes së vajzës së tij, Mehmeti udhëtoi për në Montpellier për t’u takuar me policinë. “Konsullata shqiptare më siguroi një përkthyes dhe asgjë tjetër. Më trajtuan keq, ishin arrogantë dhe më injoruan,’ thotë ai.
Trupi i Silvanës u mbajt në morgun e Francës për shtatë muaj dhe familja u njoftua që duhet të paguanin të paktën €6,000 për ta transportuar në Shqipëri.
Për Silvanën nuk kishte qenë e lehtë jeta në fshat. Ashtu si shumica e grave në komunitetet tradicionale shqiptare, ajo ishte martuar me mblesëri kur ishte 20 vjeçe. Pas pesë vitesh martesë, ajo u divorcua dhe u kthye në familjen e saj bashkë me fëmijët. Brenda vitit, Silvana u takua me Nuri Çelën, një burrë nga një fshat fqinj. Jo shumë kohë pasi çifti u zhvendos në një shtëpi së bashku, Çela u qëllua për vdekje për një çështje borxhi. Sipas mediave vendase, Silvana ju kishte dhënë paratë një bande trafikantësh për transportin e saj dhe që ta fusnin në një rrjet prostitucioni në Francë. Megjithatë ajo ndryshoi mendje dhe më pas ju kërkoi paratë. Është e pamundur të thuhet shkaku se pse Silvana ra dakord të shkonte në Francë por ndoshta premtimi për një jetë më të mirë ishte një nga arsyet e vendimit të saj.
Në fundin e viteve ’90, qeveria shqiptare filloi të pranonte se trafikimi i femrave ishte një problem i rëndë. Ekspertë të huaj u sollën në Shqipëri për të këshilluar se si të identifikonin viktimat dhe të ndiqnin penalisht trafikantët. Pavarësisht përpjekjeve dhe punës së agjensive ligjzbatuese, trafikimi i femrave mbetet një problem serioz në rajonin e Ballkanit dhe sidomos në Shqipëri.
Sipas statistikave të Agjensisë Kombëtare të Krimit në Britani, në tre mujorin e tretë të 2017, shumica e vajzave dhe grave të trafikuara në Britaninë e Madhe ishin nga Shqipëria.
Udhëtimi nga qyteti i Vlorës për në Bridisi është rreth 90 minuta me gomone, një nga arsyet që Vlora është e njohur si qendra e trafikimit në Shqipëri.
Ndërkohë, katër vite pasi trupi i Silvanës u zbulua, policia nuk ka bërë asnjë progres për çështjen e saj. Gazetarë në Tiranë dhe Fier thonë se nuk ka asnjë lajm nga Franca në lidhje me hetimin e saj. Policia në Montpellier gjithashtu nuk ka dhënë asnjë informacion.
Varri i Silvanës është i vendosur në një copë toke të thatë mbi fermën e familjes së saj ndërsa nëna e saj Yllka thotë se policisë nuk i intereson se çfarë i ka ndodhur vajzës së saj. ‘Këtu të gjithë mendojnë se të gjitha vajzat janë prostituta por dikush duhet jetë fajtor’, thotë nëna e saj.
Ndërkohë mbi varrin e Silvanës është thjesht një pllakë me foton e saj, emrin, datën e lindjes dhe të varrimit. Nuk ka datën e vdekjes, sikur familja refuzon ta pranojë, deri sa të marrin një përgjigje sesi ka vdekur vajza e tyre.