Albspirit

Media/News/Publishing

Skënderbeu në autorët e huaj në shekujt XV-XIX


 Dr. Marenglen Kasmi

Në historiografinë botërore ndër shekuj janë shkruar shumë monografi të veçanta për Skënderbeun, disa prej të cilave janë ndërthurur me vepra me natyrë tjetër dhe të tjera janë botuar si libra më vete. Figura e Kryetrimit shqiptar është trajtuar gjerësisht edhe në historitë e popujve të ndryshëm, si historia e perandorisë Osmane, historia e Italisë, Greqisë si edhe në histori të përgjithshme të shteteve të tjera europiane. Duke pasur parasysh përmasat mbarë europiane të kësaj figure, le të fokusohemi mbi disa ngjasime apo krahasime që janë bërë mes Skënderbeut dhe figurave të tjera të shquara evropiane. Me tej, do të bëjmë një përmbledhje të shkurtër të dy veprave mbi Skënderbeun dhe, përkatësisht mbi veprën e M. Camille Paganel, shkruar në Francë në vitin 1856 dhe të Julius Pisko, botuar në Vjenë në vitin 1894. Të dyja këto vepra referohen shumë pak në historiografinë tonë. Madje, Pisko pothuajse aspak.

 ***

Historiani gjerman Michael Schmidt-Neke, traditën Skënderberiane ndërshekullore të Europës e ndan në disa rryma apo drejtime: Së pari, në vepra të mirëfillta biografike dhe historike të fokusuara në personalitetin dhe epokën e Skënderbeut, ku duhet theksuar që deri në shekullin e XIX këto vepra bazoheshin mbi veprën e Marlin Barletit. Së dyti, në vepra letrare të formave të ndryshme si romane, drama, epika dhe poezi. Së treti, në vepra të cilat vetëm aludojnë për emrin e Skënderbeut si një lloj epiteti për një personalitet tjetër ose për luftën kundër osmanëve. Këto vepra quhen ndryshe edhe “pseudo-Scanderbegiana” dhe së katërti, në vepra në të cilat kombinohen tregimet mbi Skënderbeun me shprehje dhe ide të programeve politike dhe filozofike.

Gjithsesi, duhet vënë në dukje, që nga shekull i XVI deri në shekullin e XIX nuk kishte një ndarje ndërmjet gjinisë letrare dhe asaj së historisë, pra në kohën që ato u shkruan nuk ekzistonte një dilemë e tillë, as te autorët dhe aq më pak te lexuesit. Deri në shekullin e XIX historia nuk paraqitej si shkencë më vete, por ishte thuajse gati një gjini letrare edhe për vetë faktin që nuk ka pasur rreptësinë shkencore që ka sot dhe nuk mbështetej mbi dokumente apo burimet arkivale që në ditët e sotme krijojnë bazën e historiografisë moderne.

Cilat ishin shkaqet e interesimit për Skënderbeun në Evropë? Nga se ndikoheshin autorët e huaj të shkruanin monografi për kryetrimin shqiptar?

Interesi i këtyre autorëve të huaj përkon qysh herët dhe kishte lidhje me zhvillimet politike dhe ushtarake të Perandorisë Osmane në shekullin e XVI, kur perandoria Osmane ishte fuqia më e madhe ushtarake dhe politike e kohës. Kjo perandori përbënte deri në shekullin e XVIII një kërcënim serioz për Europën e krishterë. Fitorja që korri Lidhja e Shenjtë europiane ndaj Perandorisë Osmane në betejën detare të Lepantos në vitin 1571 pati një jehonë të madhe në Evropë dhe ushqeu shpresat për dëbimin përfundimtar të osmanëve nga Evropa. Pra, rreziku osman, fitorja e Lepantos, kryengritjet e shqiptarë pas vdekjes së Skënderbeut dhe sidomos fitoret e Skënderbeut dhe të shqiptarëve për 25 vjet me radhë ndaj kësaj fuqie të madhe ushtarake u përdorën nga autorë të ndryshëm për ngritjen e moralit dhe të frymës luftarake në Europë. Botimi i monografive të Skënderbeut duhej t’i kujtonte botës së krishterë se fitorja përfundimtare kundër rrezikut osman ishte e mundur. Nëse një popull i vogël me në krye Skënderbeun mundi që për një çerek shekulli të fitonte lirinë dhe të ndalte përparimin osman drejt perëndimit, atëherë përse këtë gjë nuk mund ta arrinte edhe Europa e bashkuar? J. de Lavardin, autor i një monografie mbi Skënderbeun shkruan mbi vizitën e Skënderbeut në Romë për të kërkuar ndihmë për zmbrapsjen e rrezikut osman si më poshtë: A nuk është për të ardhur keq dhe për t’u mëshiruar që një princ me kaq shumë merita në shërbim të Perëndisë dhe të Republikës së krishterë, zëri për fitoret e të cilit është përhapur në mbarë botën (…) të jetë, si një i arratisur i varfër, i shtrënguar në pleqëri të braktisë vendin e tij, të vërshuar nga të pafetë (…) të kërkojë ndihmë në vend të largët, dhe të lypë mbështetje dhe përkrahje? (…) Ku i kishit sytë, të krishterë? Ku e kishit mendjen? Cila ishte detyra juaj besimtarë? Kur perëndia ju paraqiti një prijës kaq fisnik, kaq besnik, kaq të zellshëm, a nuk duheshit ju, të paktën, ti linit në pushim mëritë dhe ndasitë tuaj të mallkuara dhe, ti shkonit pas, ndërsa nën fatin e virtytit të tij të pamposhtur ti bashkonit armët tuaja me të tijat, forcat tuaja me të tijat, që ta dëboni nga Evropa sektën muhamedane, këtë ujk që po e gëlltit kopenë e shenjtë, e jo të pritni që pasi tokat e tij të bukura të sulmohen, ai të vijë t´ju kërkojë në vatrat tuaja?“ (Shiko JAKA, Ymer: Skënderbeu në historiografinë frënge, Prishtinë 2001, f. 39).

Edhe në shekujt e mëvonshëm, pra kur rreziku otoman nuk ishte më relevant, Skënderbeu merrej si pikë referimi në situata kyçe kur përcaktohej fati i popujve në Evropë. Shembulli i tij duhej të shërbente si burim force për çdo popull i cili luftonte për lirinë e tij.

 Krahasimi i Skënderbeut me Charles Martel

 Studiuesi Ymer Jaka konstaton me të drejtë se një nga llojet apo gjinitë letrare që lexoheshin me ëndje nga lexuesit e shekullit të XVII dhe XVIII në Europë ishin edhe përmbledhjet e biografive të burrave të shquar. Kësisoj, autori francez Alexandre Campion(1610-1670), bën në veprën e tij “Burrat e shquar” të vitit 1657 një paralelizëm ndërmjet Skënderbeut dhe Sharl Martel, njërit nga figurat më të spikatura dhe më popullore të historisë mesjetare franceze. Ai në vitin 732 korri një fitore të madhe kundër invazionit arab në qytetin Poitiers dhe konsiderohet nga ky moment si shpëtimtari i qytetërimit të krishterë nga ekspansioni arab.

Campion e përshkuan vendimin e tij për të krahasuar Skënderbeun me Sharl Martel si më poshtë: “Midis të krishterëve kam gjetur vetëm Skënderbeun, të cilin mund ta krahasoj me të drejtë me Sharl Martelin; jo pse e pëlqej më shumë se Konstandinin, Karlin e madh, Teodosin, Belizierin dhe aq shumë kapedanë të tjerë të shkëlqyeshëm, për të cilët e le lexuesin të mendojë lirisht, por pranoj se po të shikohen rinia dhe vdekja e tij, ka diçka të posaçme në jetën e tij. (…) Tekefundit, pasi të shqyrtohen biografitë e të gjithë tyrëve, e gjeta vetëm Skënderbeun të përshtatshëm që të krahasohet me të (SharlMartelin)”.

Autori thekson në këtë krahasim se, këto dy figura të mëdha patën një rini fatkeqe dhe u bënë prijës të mëdhenj në sajë të virtyteve të tyre. Skënderbeu e çliroi vendin e tij nga robëria osmane, ndërsa Marteli e çliroi Europën nga arabët. Autori shkon edhe më tej kur thotë se, në rast se Skënderbeu do të ishte përkrahur në luftën e tij nga vendet e tjera të krishtere do të kishte tundur nga rrënjët sundimin osman në Europë. Campion bën edhe dallime të tjera te këto dy figura historike, ku ai thotë që Skënderbeu ka përparësi ndaj Sharl Martelit në fitoret e tij në dyluftime, ndërsa Martel është ngadhënjimtar i betejave të mëdha historike që përcaktuan fatin e Europës.

Ndër shekuj Skënderbeu është krahasuar edhe me personalitete të tjera të rëndësishme evropiane sipër shembull me perandorin e frankëve, Karlin e Madh. Interes të veçantë paraqet një botim i vitit 1816 i Thjulen Lorenzo Ignazio në veprën “Dialogë në mbretërinë e të vdekurve”. Janë 48 dialogë midis figurave të shquara. Vepra fillon me një dialog mes Skënderbeut dhe Karlit të Madh. Në këtë dialog paraqiten bëmat e këtyre dy personaliteteve me famë, ndonëse njëri jetoi në shekullin e VIII – IX dhe tjetri në shekullin e XV. Karli i Madh krijoi në fillim të shekullit të IX një perandori të madhe në një Europë të copëtuar, gjë që shënon edhe fillimin e një bashkimi politik të Europës, ndërsa vendosja e Skënderbeut si bashkëbisedues i tij tregon vlerësimin që i bëhej Skënderbeut si një princ që arriti të krijojë në Ballkanin e përçarë që po i nënshtrohej osmanëve një shtet të bashkuar dhe të aftë të përballonte kundërshtarë të mëdhenj.(Shiko MURZAKU, Thoma: Skënderbeu, si simbol i luftës për çlirim e bashkim të popujve, në: Skënderbeu dhe Evropa, f. 327-339).

Një kontribut të madh në gjetjen e biografive të shkruara për Skënderbeun ndër shekuj ka dhënë edhe Michael Schmidt-Neke, i cili ka publikuar një përmbledhje biografish të panjohur deri më sot, ku trajtohet edhe biografia e Skënderbeut. Kjo vepër është shkruar nga një prift puritan anglez me emrin Samuel Clark dhe mban titullin “Palca e historisë kishtare”. Botimi i parë në dy vëllime u bë në vitin 1650 dhe dy botime të zgjeruara dolën në vitet 1654 dhe 1675. Clark kishte studiuar për teologji në Cambrigde dhe ishte mik i ngushtë dhe nxënës i Isak Njutonit. Biografia e Skënderbeut, e cila trajtohet në 45 faqe përbën trajtimin më të gjatë biografik në këtë vepër. Clark nuk trajton shumë raportet politike të Skënderbeut si brenda dhe jashtë vendit, por shquhet për disa krahasime anësore. Ai krahason qëndrimin e sulltan Muratit ndaj Skënderbeut të ri me xhelozinë e mbretit hebre Saul ndaj Davidit dhe gjithashtu e krahason luftën e Skënderbeut kundër sulltanit më luftën midis Davidit dhe Goliatit. Trajtimi i figurës së Skënderbeut në këtë rast bëhet për qëllime fetare. Clark duke qenë përfaqësues i rrymës fetare puritane nuk e shikon luftën si përballime kombesh, por fesh, ku historia e fesë është sinonim për historinë e botës. Pra perandorët romakë e bizantinë luftonin kundër paganëve dhe heretikëve, ndërsa Skënderbeu; Huniadi dhe Korvini luftonin për krishterimin kundër turqve. Kështu që Clarku e shndërroi Skënderbeun nga një “Athleta Christi” në një pararendës të puritanizmit anglez.

Më sipër u theksua disa herë që interesi për Skënderbeun në Evropë ngjallej sidomos në periudha të caktuara të historisë. Kësisoj, edhe në kohën e luftës së Krimesë 1853-1854 ndërmjet Turqisë dhe Rusisë u rikthye në vëmendje figura e Skënderbeut. Përkrah ribotimeve të tjera franceze u shfaq në Francë në vitin 1855 dhe një monografi e re mbi Skënderbeun që kishte për autor Camille Paganel.

Kush ishte Paganel dhe pse ka rëndësi për ne ky autor?

Camille Paganel (1797-1859) ishte një historian, karriera e të cilit karakterizohet nga ambiciet politike dhe pretendimet për t’u afirmuar si historian. Përkrah detyrave të tij si avokat, politikan, deputet dhe së fundmi këshilltar shteti ai shkroi edhe vepra historike, ku vepra e fundit dhe më e rëndësishme e tij është monografia për heroin tonë kombëtar me titull “Historia e Skënderbeut ose turqit dhe të krishterët në shekullin e XV”. Vepra e Paganel-it është e rëndësishme sepse autori u mundua të shkruante një histori mbi baza shkencore për Skënderbeun. Kjo është jo vetëm përpjekja e parë e këtij lloji në Francë, por edhe në historikun e studimeve Skënderbejane deri në shekullin e XX në tërësi.

Për të shkruar këtë monografi Paganeli lexoi jo vetëm thuajse të gjitha veprat e botuara deri në atë kohë mbi Skënderbeun, gjë që vërtetohet në bibliografinë e tij të gjatë, por ai lexoi edhe veprat e tjera që nuk kishin të bënin drejtpërdrejtë me Skënderbeun, por me armiqtë, aleatët dhe fqinjët e heroit, si edhe histori të përgjithshme.

Paganeli nuk bën vetëm një përshkrim të thjeshtë të jetës dhe veprës së Skënderbeut, por ai bën një trajtim më të thellë të historisë në përgjithësi dhe të historisë së lashtë të Shqipërisë në veçanti. Për ta bërë figurën e Skënderbeut sa më të kuptueshme, Paganeli përshkuan si fillim prejardhjen e shqiptarëve, Shqipërinë e Ballkanin si edhe portretizon shqiptarët. Gjithashtu ai flet edhe për karakterin e popullit shqiptar, për këngët mbi Skënderbeun, për dashurinë e paepur për liri dhe për pozitën strategjike të Shqipërisë. Këto përshkrime Paganeli i bën duke ju referuar udhë përshkrimeve mbi Shqipërinë.

Paganeli ka shfrytëzuar si burim kryesor të monografisë së tij Barletin. Gjithashtu ai është edhe ndër të parët autorë që merr në mbrojtje Barletin, ndërkohë që biografia e tij e Skënderbeut sulmohej nga autorët e tjerë të huaj, ashtu siç sulmohet pjesërisht edhe në ditët tona, me argumentin, se biografia e Barletit është një trillim. Kjo nuk do të thotë që Paganeli në momente të caktuara nuk mban një qëndrim kritik ndaj Barletit. Monografia e Paganelit ka rëndësi edhe për faktin se, ajo nuk është një përkthim i mirëfilltë i Barletit, gjë që në monografitë e Skënderbeut të shekujve të kaluar haset shpesh, por ai ka marrë nga vepra e Barletit faktet kryesore mbi jetën dhe luftërat e Skënderbeut dhe i ka përshtatur ato në një mënyrë sa më interesante dhe të kuptueshme për lexuesin. Gjithashtu edhe për vetë faktin se Paganeli kishte lexuar edhe shumë vepra të tjera mbi Skënderbeun dhe shqiptarët, prezanton në veprën e vet edhe shumë të dhëna të tjera të cilat nuk i gjejmë te Barleti.

Historia e Skënderbeut e Paganelit është trajtuar në kontekstin e ngjarjeve të kohës që u shkrua. Barleti kufizohet në veprën e vet vetëm mbi rrëfimin e jetës së Skënderbeut, ndërsa Paganeli, edhe për faktin që është shkruar shekuj me vonë, pra në një kohë tjetër, e përshkruan epopenë e shqiptarëve në një aspekt më të gjerë. Ai i kushton rëndësi edhe ngjarjeve jashtë Shqipërisë. Vepra është ndarë në shtatë libra, ku jo në të gjithë librat është në qendër të vëmendjes Skënderbeu. Pra qëllimi i Paganelit nuk ishte shkrimi i një monografie të thjeshtë të Skënderbeut, por ashtu siç theksohet edhe në nëntitullin e veprës, të bënte një përfshirje sa më të gjerë të epokës kur jetoi dhe luftoi kryetrimi shqiptar.

Çfarë vihet re te Paganeli si historian i Skënderbeut?

Të kërkojmë nga Paganeli një histori origjinale të Skënderbeut do të ishte e padrejtë për vetë faktin që, kur u shkrua ky libër, nuk ekzistonin ende mundësitë e shfrytëzimit të burimeve arkivore, por kishte vetëm libra të shkruar, ku autorët në pjesën më të madhe kopjonin njëri-tjetrin duke bërë korrigjime që i quanin të arsyeshme.

Paganeli nuk e mohon lëvizjen çlirimtare të shqiptarëve në shekullin e XV por i ka dhënë kësaj lufte edhe një karakter më të fortë fetar sesa Barleti. Ai e prezanton Skënderbeun në hyrje të veprës si “një mbrojtës i patundshëm i krishtërimit të kërcënuar”. Fakti që ky autor vë në vijë të parë karakterin fetar të luftës skënderberiane është pak i çuditshëm sepse, vetë Paganeli thekson se populli shqiptar e çmonte shumë lirinë. Ndër të tjera ai shkruan në parathënien e librit të tij: “Gjithmonë grekët me këmbëngulje kanë kundërshtuar të ndërrojnë fenë, sllavët, vllehtë e kanë ndjekur këtë shembull fisnik. Te shqiptarët puna nuk ka qëndruar kështu. Aq shumë e kanë urryer shtypjen, saqë për lirinë kanë flijuar fenë: për të mos qenë skllevër, janë bërë myslimanë”.

Paganeli ka vënë në dukje karakterin europian të luftës shqiptare ndaj pushtuesit osman. Kjo qëndresë nuk kishte si qëllim vetëm lirinë e popullit shqiptar por edhe që ta çlironte Europën nga një zgjedhë gjithnjë e me kërcënuese. Gjithashtu Paganeli kritikon edhe qëndrimin e sundimtarëve të tjerë europiane, të cilët i lanë vetëm shqiptarët në luftën përballë perandorisë osmane. Paganeli nuk i kursen kritikat edhe ndaj Papatit, duke e kritikuar Vatikanin për hipokrizi ndaj Skënderbeut.

Përfundimisht mund të thuhet që vepra e Paganelit është një vepër e cila është shkruar ndryshe nga monografitë e tjera të vjetra mbi Skënderbeun. Ai ka shfletuar gati tërë literaturën që mund të gjendej në atë kohë mbi Skënderbeun dhe ka mbajtur një qëndrim kritik ndaj burimeve të përdorura prej tij. Kjo vepër shënon edhe orvatjen e parë për hartimin e një monografie kritike për Skënderbeun. Gjithashtu kjo vepër ka edhe rëndësi bibliografike sepse informon për një sërë veprash të tjera të cilat flasin direkt ose tërthorazi për heroin tonë kombëtar.

Le të ndalemi pak edhe te autori i dytë, Julius Pisko.

Në kohën kur Pisko shkroi monografinë “Skënderbeu. Një studim historik”, botuar në Vjenë në vitin 1894, ai ishte zv./ Konsull dhe drejtues i konsullatës austro-hungareze në Janinë.  Qysh në hyrjen e veprës së tij ai shkruan: “Gjergj Kastrioti Skënderbeu, heroi kombëtar shqiptar, është padyshim një nga figurat më të spikatura të mesjetës. Duket e pabesueshme që, një njeri i cili nën komandën e tij nuk kishte më tepër se disa mijëra ushtarë, edhe ata jo të ushtruar për luftë, të ketë mundur të përballojë 24 vite me radhë ushtrinë osmane dhe të triumfojë mbi të, ndonëse ajo ishte dhjetë a njëzet herë më e madhe në numër. E gjithë Evropa dridhej nga ecuria e fitoreve të pandalshme të Kalifëve Otomanë, ndërkohë që në një vend idilik të veçuar thërrmoheshin të gjitha përpjekjet e kësaj perandorie nga vendosmëria e hekurt e një personi, i cili ishte në gjendje që me një vështrim ti kthente ushtarët e tij në heronj. Talenti strategjik i shkëlqyeshëm i Skënderbeut, gojëtaria entuziaste, e gjithë magjia që dilte nga personaliteti i tij, e vendosin atë denjësisht në anën e heronjve më të rëndësishëm të gjitha kohërave”.

Me keqardhje Pisko vlerëson mungesën e literaturës dhe thekson që“nuk përbën ndonjë çudi që jeta dhe vepra heroike e Skënderbeut, me gjithë entuziazmin e jashtëzakonshëm të kohës në të cilën jetonte, janë të rrethuara nga një rreth mitologjik, ku historianët kanë mundur vetëm me përpjekje të mundimshme të bëjnë dallimin mes të vërtetës dhe trillimit.” Në këtë kuadër, autori kërkon që në fillim falje mbi ndonjë pasaktësi të tijën që vjen si pasojë e mungesës së literaturës.

Ndër të tjera, përveçse Barletit, Pisko shfrytëzon si burim informacioni edhe një vepër që përkon me vitin 1742 të shkruar nga italiani Giammaria Biemmi me titull “Istoria die Giorgio Castrista, detto Scanner-Begh”, botuar në Brescia. Biemi tregon se e kishte gjetur një libër të vitit 1480 në gjuhën latine shumë të dëmtuar, të cilit i mungonin fillimi dhe mbarimi. Ndonëse Biemmi është një autor shumë i diskutuar në histiografinë moderne për këndvështrimin dhe saktësinë e tij, Pisko mundohet që të bëjë krahasime ndërmjet Barletit dhe këtij të fundit. Gjithashtu Pisko ka edhe meritën e vlerësimit të dokumenteve dhe librave të vjetër me vlerë që gjendeshin në Shqipëri në atë kohë, të cilat ju vunë atij në dispozicion nga priftërinjtë jezuitë të Shkodrës duke bërë të mundur që ai të ishte në gjendje të korrigjonte gabimet e një numri të madh të shumë biografëve të Skënderbeut.

Përsa i përket trajtimit të jetës dhe veprës së Skënderbeut Pisko nuk ka ndonjë ndryshim në metodikën e aplikuar nga biografë të tjerë të Skënderbeut. Por ajo që duhet përmendur dhe e bën këtë vepër me vlera është që ky autor, njësoj si Paganel,është munduar të shkruajë mbi baza shkencore. Pra, përveç bibliografisë së detajuar dhe sqarimeve përkatëse sjell në fund të librit të tij edhe një sërë faksimilesh të dokumenteve origjinale të Skënderbeut. Këto dokumente janë tepër të rëndësishme për të kuptuar dhe interpretuar drejt rolin dhe rëndësinë që kishte Skënderbeu në arenën evropiane.

***

Skënderbeu u kthye përkrah rolit të tij si Hero Kombëtar i shqiptarëve edhe në një pjesë përbërëse të ndërgjegjes kolektive historike të Evropës. Historiani gjerman Michael Schmidt-Neke shkruan, se deri në fillim të shekullit të XX çdo evropian i arsimuar e dinte medoemos se kush ishte Skënderbeu. Sot për fat të keq vetëm njerëzit e interesuar për historinë e Ballkanit e njohin atë. Përvoja evropiane letrare Skënderberiane dallon rrënjësisht nga ajo e luftëtarëve të tjerë që luftuan kundër osmanëve. Kështu tradita letrare për princin e Moldavisë Stefanin e Madh njihet vetëm në Rumani, ajo e JanoshHuniadit ka lënë gjurmë të pakta jashtë Hungarisë dhe Rumanisë. Princi i Vllahisë Vlad Drakula i cili kishte një nam të tmerrshëm sa ishte gjallë u bë i njohur në shekullin e XIX nga autori irlandez Bram Stokeri cili e kombinoi atë me mitin popullor të vampirit. Krejt ndryshe ndodhi me figurën e Skënderbeut. Ai u përkufizua si figurë qendrore e historisë gjithë europiane dhe tërhoqi vëmendjen e shkrimtarëve në pesë shekuj me radhë duke bërë të mundur mbajtjen gjallë të traditës europiane për Skënderbeun.

Please follow and like us: