8 vite pa legjendën Panajot Pano, Partizani e kujton me një videomesazh prekës
8 vjet pa të madhin Panajot Pano.
Klubi i Partizanit ka kujtuar nëpërmjet një videomesazhi prekës, 8 vjetorin e ndarjes nga jeta të futbollistit më të madh shqiptar të të gjitha kohërave.
Legjenda e futbollit shqiptar, ikonë e futbollit tonë dhe në veçanti Partizanit ku kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij të shkëlqyer, mbetet si një ndër futbollistët më të dashur për publikun shqiptar, etalon i spektaklit dhe Mbret i Golave.
Panajot Pano ka realizuar plot 136 gola në 210 ndeshje me fanellën e Partizanit, duke fituar gjithçka që mund të fitohej në futbollin shqiptar në ato vite, 4 kampionate dhe 5 Kupa, ndërsa me Kombëtaren kuqezi ka shënuar 4 gola në 24 prezenca.
Të panumërta nderimet për Mbretin Shqiptar të golit nga institucionet shqiptare dhe të huaja.
Panajot Pano është “Mjeshtër i Madh i Sportit”, FSHF në vitin 2008 e njohu institucionalisht me çmimin “Lojtari më i mirë i të gjitha kohërave”, Ndërsa Uefa dhe Fifa i kanë akorduar çmimin “Lojtari Shqiptar i Shekullit”.
Të tjera nderime ndërkohë janë dhe titulli “Nderi i Kombit”, si dhe Simboli i Qytetit të Tiranës.
Panajot Pano mbetet simbol i futbollit mjeshtëror dhe lojtarit të dashur nga të gjithë në vend, si një virtuoz i madh i futbollit që dhuroi emocione të paharrueshme ndër vite për tifozët shqiptarë.