Albspirit

Media/News/Publishing

Bislim Ahmetaj: E mbaj mend…

 

E mbaj mend veten time duke ndenjur me orë radhëve të gjata
Për të marrë një bukë gruni
Që herë e merrja e herë jo
Dhe në të dyja rastet
Rezultati mbetej i njëjtë
Ishim të uritur.
Sic e mbaj mend vetën time të ulur nëpër tryeza të rënda
Duke ngënë e pirë gjithfarëlloj pijesh dhe gjellësh
Që emrin kurrë s’jua mësova
Ku herë perfundonim të dehur
E herë të gërditur.

E mbaj mend vetën time me duar të futura thellë në xhepat bosh
Duke numëruar gishtat nga njëshi te pesa
E pastaj nga pesa te njëshi
E përfund gishti i madh
Kryengritës
Sic e mbaj mend veten time me një kartë kredit ngjyrë floriri
Që i dridhej bankomati kur ia lexonte kodin
Hungërinte si kalë i egër
Kur m’i dorëzonte
Kartëmonedhat.

E mbaj mend vetën time duke ecur në këmbë me orë
Për të mbërritur te puna që kurrë
S’na e siguronte bukën e
Përditshme.
Siç e mbaj mend vetën time në makina luksoze me shofer personal
Në aviona ndërkontinentalë me biletë “first classe”
Duke e soditur botën
Nga lartë.

E mbaj mend vetën time
Të rritur dhe fëmi
Në borë e në shi
Në kalë e poshtë tij
Dhe… përgjatë këtij gati gjysëm shekulli
Jam munduar me mish e me shpirt me mbetë si ai Bislimi i Ri.
Me gjasë NJERI.

Tiranë, 15 Janar 2017

Please follow and like us: