Albspirit

Media/News/Publishing

Video/Kastriot Myftaraj: Dhjetë gënjeshtrat që thuhen për Skëndebeun

Në kuadër të vitit të Skëndërbeut, emisioni “Ju flet Moska” i Kastriot Myftaraj solli 10 gënjeshtra që thuhen për Heroin tonë Kombëtar.

Myftaraj: Ka 10 gënjeshtra të mëdha që thuhen për Skëndërbeun. Gënjeshtra e parë është se Skëndërbeu nuk ka qenë shqiptar dhe këtu thuhet se ka qenë  serb, bullgar, grek. Gënjeshtra se Skëndërbeu ka qe sllav mbështetet në ato që quhen aktet e Ilanderit, janë dy dokumenta të një manastiri serb në Greqinë e sotme ku thuhet se babai i Skëndërbeut ka bërë një dhuratë për këtë manastir në emër të djemve të vet dhe meqë ky ishte një manastir serb nënkuptohej se Skëndërbeu i përkiste ritit serb. Por dokumentat merren me rezervë dhe dyshim gjithmonë, mund të jenë sajuar që personi sipas metodologjisë historike të veprojë në përputhje me këto. Nëse Skëndërbeu do të kishte qenë serb dhe bullgar atëherë Skëndërbeu nuk do të kishte luftuar kundër turqve. Në kohën kur jetonte Skëndërbeu, Serbia dhe Bullgaria ishin në paqe me Turqinë, madje ishin vasalë të Turqisë. Në kohën e Skëndërbeut kisha serbe dhe kisha bullgare duke ndjekur politikën e nënshtrimit ndaj  Turqisë të sundimtarëve të këtyre vendeve i bëri thirrje popullit të mos luftonte ndaj turqve, ndaj osmanëve. Por nuk mund të realizohej në atë kohë luftë duke pasur kishën kundër, pa mbëshetjen e kishës. Skëndërbeu serb dhe bullgar nuk do të kishte luftuar. Skëndërbeu grek do ti ishte përgjigjur thirrjes së kishës greke, patriarkanes dhe perandorit të Bizantit për t’i ardhur në ndihmë Kostandinopulit kur u rrethua në 1453.Grek do të thoshte bizantin në atë kohë dhe e kundërta. E vetmja herë që Skëndërbeu i ka shkuar në ndihmë një vendi të huaj, një mbreti të huaj ka qenë në 1463 kur i shkoi në ndihmë Ferdinantit të Napolit në Itali, një mbreti katolik.Nëse Skëndërbeu do të kishte qenë bullgar, grek, serb, kishat e këtyre vendeve do ta kishin bërë shenjtor, se këto bëjnë shumë shenjtor.

Gënjeshtra e dytë, Skëndërbeu ka bërë luftë fetare dhe jo kombëtare. Kjo ishte e imponuar sepse Perandoria Osmane ishte shtet fetar, bënte luftë fetare, të xhihadit. Perandoria Osmane nuk kishte legjitimitet si shtet sepse kishte emrin e një familje. Ishte krijuar nga familja e Osmanëve si feud dhe u zgjerua si Perandori me emrin e një familje. I vetmi legjitimitet i saj ishte lufta e shenjtë islame, xhihadi. Detyrimisht edhe Skëndërbeu do ti kundërpërgjigjej me luftë fetare sepse ndaj Shqipërisë në atë kohë, ndaj Europës, Ballkanit bëhej një agresion fetar i xhihadit osman.

Skëndërbeu thonë ka bërë luftë jo kombëtare por kanunore. U prish me sulltanin për shkak se i vrau babanë, Gjonin. Këtë gënjeshtër e ka sajuar një historian zviceran, Olivet Shmid, në librin e tij për Skëndërbeun dhe është një gënjeshtër shumë e trashë. Ky mbështetet në dokumentin e dy diplomatëve të Milanos të cilët ishin në Romë në selinë e shenjtë dhe thonë se Skëndërbeu është rebeluar për shkak se ky i ka vrarë babanë, për hakmarrje. Por Milano ishte në luftë me Venedikun në 1454, lufta 20 vjeçare lombarde. Skëndërbeu mbajti anën e Venedikut, bëri paqe me Venedikun dhe kjo nuk i pëlqeu fare Milanos. Më vonë kur mbaroi lufta lombarde u bë mik me Dukën e Milanos. Nëse Skëndërbeu do ti kishte mbledhur princat shqiptarë në Lezhë dhe do tu thoshte të rebelohemi kundër sulltanit se më ka vrarë babanë, asnjë nuk do ta ndiqte pas. Gjakmarrja është detyrim kanunor i familjes, fisit, nuk është detyrim i të tjerëve. Kushdo që e njeh mirë Kanunin nuk mund ta quajë kryengritje kanunore por Oliver Shmid është një sharlatan që merrte paratë e shtetit zviceran për të bërë libra kundër Skëndërbeut se shteti shqiptar nuk e hedh në gjyq Zvicrën ti marrë nja 10 miliard euro dëmshpërblim për dëmtim të simboleve kushtetuese.

Skëndërbeu thonë nuk ka lidhje me jugun e Shqipërisë, ka qenë në veri dhe Shqipërinë e Mesme. Si është e mundur kjo kur vjehrrin Skëndërbeu e kishte nga jugu, Gjergj Aranitin, zotin e pjesës më të madh të Shqipërisë së jugut. Dhe shumë princa të Shqipërisë së jugut morën pjesë në aleancë. Nuk ka gojëdhëna për Skëndërbeun në jug thonë, janë vetëm në Shqipërinë e mesme dhe në veri. Unë e përgenjështroj nga eksperienca ime si korçar. Ka një klub me emrin Skëndërbeu dhe nuk është aspak rastësi kjo, ky klub është bërë që në vitet ’30.Ka pasur në malësitë afër Korçës një vend i quajtur Guri i Cjapit, kishte formën e brirëve të cjapit. Legjenda thoshte se “Skëndërbeu doli në gjueti, ndoqi një cjap dhe nuk e kapi dot dhe i ra me shpatë atyre gurëve dhe i dha formën e brirëve të cjapit si ajo që kishte në përkrenare. Legjendë por kjo tregon për gojëdhënë të Skëndërbeut. Zona e Korçës ka marrë pjesë në luftën e Skëndërbeut në principatën e Muzakajve, ka dhënë ushtarë.

Nuk ka pasur lidhje me Kosovën thonë dhe me ato që janë pjesa shqiptare e Maqedonisë, Presheva. Gënjeshtër e madhe, e para dukagjinët kanë qenë në aleancë me Skëndërbeun, kanë pasur ca luhatje, por gjithë princat e Europës kanë pasur luhatje. Por nga fillimi në fund e përfunduan si aleatë. Një pjesë e madhe e Kosovës sot është zona e Dukagjinit, pastaj Moisi Golemi, zot i dy Dibrave zotëron te një pjesë të madhe të territorit të Maqedonisë sot. Zotin e Pollogut e kishte gjysh Skëndërbeu, zona e Tetovës së sotme.

E helmoi Vatikani, Venediku. Këtë tezë e ka hedhur Aurel Plasari, për turpin e madh kërkon Edi Rama ta bëjë kryetar të Akademisë së Shkencave. Ky është drejtor i projektit për Enciklopedinë Shqiptare sot që flasim, ka zyrat në Akademinë e Shkencave ky sharlatan. Një gënjeshtër e trashë, antiperendimore që as Enver Hoxha nuk ka guxuar ta thotë. Ky e thotë sot, në vitin e Skëndërbeut, ta dëgjojë dhe kryeministri mirë. E ka shkruar në libër.

Europa e krishterë e braktisi thonë Skëndërbeun, si e braktisi Europa në atë kohë? Ishte në një moment të keq, bëri që turqit të favorizoheshin për të depërtuar thellë në Europë sepse Europa ishte e përçarë në atë moment nga shumë luftra dhe nuk ishte e aftë të bënte rezistencë. Kishte luftra të gjatë në Itali, lufta 100-vjeçare mes Anglisë dhe Francës përfundoi në periudhën e gjysmës së rezistencës së Skëndërbeut. Në Spanjë lufta kundër arabëve. Kjo Europë nuk mund ta ndihmonte shumë Skëndërbeun, duhet të jemi të vetëdijshëm.

Skëndërbeu nuk krijoi shtet, çfarë shteti të krijonte më shumë në shekullin e XV? Nëse ti arrin dhe nxjerr 15 mijë ushtarë në çdo kohë përballë një fuqie të madhe, i mban kështjellat, i mban me ushqim, siguron taksa, ke krijuar një shtet për kohën.

Nuk kishte komb në kohën e Skëndërbeut, po si nuk kishte komb? Kishte flamur, kishte gjuhë shqipe, kishte besëlidhje të princave shqiptarë që u bë në Lezhë, kishte një emblemë, kishte një formulë të pagëzimit në gjuhën shqipe. Ritualet fetare i ktheu në shqip. Të gjitha këto krijonin vetëdije kombëtare shumë të lartë për kohën.

Shqipëria e Skëndërbeut kishte në flamur një emblemë bizantine, shqiponjën me dy krerë. Por bizanti u nda nga perandoria romake, e kishte kjo e fundit. Roma e mori si emblemë administrative shqiponjën me dy krerë dhe e trashëguan edhe të tjerë. Shqiponja me dy krerë në të gjithë mbretërit dhe shtetet që e kanë përdorur si emblemë me Greqinë, Rusinë, Serbinë, nuk ka pasur kujtesë në popull. Vetëm tek shqiptarët ka pasur kujtesë në popull dhe kjo tregon që ka qenë një emblemë e vjetër ariane, para kristinane, ilire që u trashëgua dhe u ruajt nga shqiptarët. Shqiptarët kanë pasur kujtesë popullore për shqiponjën dy krenare, të tjerët kujtesë administrative. Ka një dallim shumë të madh këtu. Kjo e shpjegon faktin se një popull mysliman në 1913 e trashëgoi shqiponjën dy krenare dhe ruajti kujtesën e saj megjithëse ia kishin ndryshuar fenë me dhunë.

Please follow and like us: