Përjashtohet nga LIBRA edhe Mimoza Hafizi
Partia Libra në mbledhjen e Komisionit të Etikës, ka marrë vendim për të përjashtuar anëtaren Mimoza Hafizi, një vendim që është marrë para një jave dhe u ndaq më pas edhe nga largimi i kryetarit të kësaj partie Ben Blushi.
Sipas këtij vendimi që është botuar në faqen zyrtare të Partisë LIBRA, Mimoza Hafizi, numri 2 i partisë Libra, ka kryer veprime të cilat përbëjnë shkelje të rënda të statutit duke cënuar seriozisht funksionimin e Organizatës Politike “Lista e Barabartë”, krijuar me vullnetin e lirë të të gjithë anëtarëve të saj.
“Kështu, znj. Hafizi, më datë 08.01.2018, në rrugë paralele dhe pa asnjë konsultim me strukturat e tjera të Partisë si dhe në mungesë të kuorumit të nevojshëm (1/3 e Bërthamës) parashikuar në nenin 11/4 të Statutit Libra, ka thirrur mbledhjen e Bërthamës. Kjo për shkak se kërkesa për mbledhje Bërthame rezulton të jetë firmosur dhe nënshkruar nga persona të cilët në këtë datë nuk kanë qënë anëtarë të Bërthamës Libra pasi ishin dorehequr me vullnetin e tyre te lire e te pa vesuar nga të qënit anëtarë Bërthame. Për rrjedhojë kërkesa e tyre është e pa mbështetur në vështrim të normave statutore në fuqi (11/4)”, shkruhet ndër të tjera në vendimin e LIBRA-s.