Albspirit

Media/News/Publishing

Petrit Ruka: Poezi të lashta (Botuar në socializëm)

 

Po botoj këtu një cikël poezish të lashta për të ndarë me ju pyetjen e mundimshme ne se gjatë socializmit, me gjithë kërkesat e diktuara për një art të angazhuar, cezurën e fortë që dihet, arritëm të shkruajmë dot poezi të mira apo jo, dhe që vetvetiu nuk morën ngarkesën e rënduar ideologjike të kohës? Një pyetje e vështirë për të patur një përgjigje gjithashtu të vështirë. Vetë besoj (dhe kjo kuptohet që unë jam subjektiv) se edhe gjatë asaj periudhe pati letërsi të mirë, mund t’i rezistoj kohës dhe mund të lexohet me kënaqësi edhe sot. Interesant është gjykimi i kësaj gjenerate që nuk e jetoi atë kohë. Ajo mund te jetë më afër të vërtetës në gjykim.

Të gjitha poezitë janë të botuara së paku para 35 vjetëve në vëllimin “Atdheu fillon tek zemra” botuar në vitin 1983 dhe i shpallur atij viti si libri më i mirë poetik i vitit.

CIKLI I PARË.

ATDHEU FILON TEK ZEMRAT…

Ka nje toke qe quhet e shtrenjte,
qe quhet dheu i nenes
qe quhet dheu i atit
kufinjte e tij kalojne tek zemra jone
pagezuar shekujve
me lumin e gjakut

Atdheu nuk është harta e murit,
Me madhësinë e saj,
Gradët, kilometrat,
Hartës i mungojnë shokët, të rënët, babai,
Këngët dhe legjendat.

Atdheu fillon tek zemrat tona,
Kufijtë e tij kalojnë tek shpirti ynë,
Ja, shtri në një një vijë të drejtë kapilarët,
Venat, aortat,
Dhe ke matur të gjithë kufijtë.

Atdheu është tek këngat tona,
Hap ato si harta të gjesh malet, fushat,
Të gjesh çdo pëllëmbë të dheut e të qiellit,…i

Atdheu është më i madh
i gjere, i papeshueshem si ererat,
ate dine ta masin e ta peshojne
vetem zemrat.

Ja shumëzo rruazat e gjakut tënd
Me kokrrizat e dheut,
Dhe trupi të bëhet,
Harta e Atdheut.

Atdheu fillon tek zemrat…
____________________________
Nga libri ” Atdheu fillon tek zemrat”, 1983

FËMIJËT E FSHATIT TIM.

Si zogj të bukur kallzat i mblodhën,
Mesdita i ndali,
Dielli i korrikut syrin ua shkel
Andej nga kanali.

E nisën vrapin, vapën ta shuajnë,
Ç’freski i pret,
Eh, ky kanali i fushave tona
I madh si det.

Në trillet ujore hidhen, përdridhen,
Këlthasin me gaz,
Në muskujt e tyre fle koha e madhe
Ajo që vjen pas.

Ka nisur “lufta” – lodra e tyre,
Për pushkë një shkop
Dhe kushedi ç’betejë “e përgjakshme”
Do ndizet sot.

Po ja, një çast bie heshtja e paanë,
Hartohet një listë,
Oh, sa e vështirë të bëhesh gjerman,
Pa le ballist.

Sulmi u ndez, erdhi çasti kritik,
“Para partizanë!”
Nga gazi i tyre dhe vala nazike
Hidhet matanë.

I shoh nga larg e sytë s’më ngopen,
Me nxënësit e mi,
Një mall i thekshëm gjoksin ma shpoi-
Ah, të isha fëmijë !…
_____________________________
Nga libri ” Atdheu fillon tek zemrat”, 1983

SE Ç’DO NJERI E KA NJË GËRMË.

Zh.
E fundit gërmë në alfabet,
Kjo Zh-ëja jote në fund fare,
Po ja që ardhka një moshë malli
Dhe radhën prish në abetare…(!)

Se çdo njeri e ka një gërmë,
Që pak me hatër ia mban zemra,
Ja, unë tek buzët e vë Zh-ën
Një bletë e tërë më mjalton brenda.

Zhuit ajo në një bajame,
Që e çelka malli i shpirtit tim,
Dhe që nga vend- i tridhjetë e gjashtë
Ti hidhesh befas në fillim.

E fundit gërmë në alfabet,
Më qesh në buzë e ndrin tek sytë,
Zhë- zhë, zhë- zhë, punon një bletë
Dhe mu në borë tek emri yt.

1980
_____________________________
Nga libri ” Atdheu fillon tek zemrat”, 1983

PËRRALLAT TONA.
– Tim eti –

-Dikur tregoheshin përralla pranë zjarrit-

Përjashta bora shtron me valle
Të bardhat flokë palë-palë,
Tani një plak i zbardhur fare-
Do nxjerr nga llulla një përrallë.

Si me magji nja njëzet shekuj,
Do mënjanoj si goglat e tespive,
Të thotë se si ndër kohra, popujt
S’iu trembën putrave të lubive.

Tani do flasin pemët, zogjtë,
Do flasin kuajt, do flas Arapi,
Do fluturojnë koka kuçedrash
Në pellgje gjaku rënë së prapi.

Do thahet prej urisë si bari,-jeta,
Nga mbreti, shtriga dhe bajlozi,
Po nga kasollet do të niset,
Shpëtimtar-hero-Qerozi.

Do dalë e Bukura e Dheut,
E rritur me një krodhë të thatë,
Që dhe në cikmën e shëndreut,
T’i çelin lulet në çdo hap

Do fluturohet mbi qilima,
do çahen detrat me një peshk,
(Ngadalë nëndetse mëndjemadhe,
Avionë komodë turipërpjetë!)

Dhe pikë e pikë filozofia,
Nga strehë përrallash do pikojë,
Dhe zjarri si ekran i lashtë
Dëshmon për botën që kaloi…

1978
_____________________________
Nga libri ” Atdheu fillon tek zemrat”, 1983

NË KËNGË JANË VARRET E TË RËNËVE.

Kur duart të zëna patëm luftës,
Tek bënim për lirinë epoka,
Të rënëve s’patëm kohë të gjithëve
T’u gdhendnim thjesht një gur tek koka.

Dhe ja, ashtu, në këmbë mes tymit,
Me tridhjetë fjalë a më pak,
Ish gati varri i shqiptarit,
Mermeri kishte tjetër fat.

Mermeri shfaqej tek llogoret,
Të priste plumba kish detyrë,
Ndërsa i rëni me tetërrokësh
Në gji të këngës kishte hyrë.

Nga gjoksi i shqipes hapur gjerë
Do zgjidhej ajkë e gjuhës sonë,
Jastëk tek koka fjala Nënë,
Dhe trupi mbledhur me jehonë.

Atje në gryka do t’ju derdhnim,
Në shtatë – tetë fjalë gjithë biografinë,
I kini parë ca epitete,
Se si zëvendësojnë fotografinë?!

Një xhufkë mbari nuk iu mbiu,
(A mbin dot bari përmbi rimat?!)
Harresa mbi ta mund të mbillet
Sa ç’mund të mbillen vetëtimat.
_____________________________
Nga libri ” Atdheu fillon tek zemrat”, 1983
PAK DHEMBJE ZEMRA LE TA KETË.

– Kujtimit të Motrës –

Pa bie një mall më dredh në zemër,
Se paç një Motër që më iku,
Sa zë me të e luaj në ëndërr,
Më zë një vesë, laget qerpiku.

Si në një lojë me mbyllje sysh,
Diku u fsheh dhe më s’u gjet…
Oh, sa herë shoh shoqet e saj
Një dhëmbje çan si thikë e mprehtë.

Më mori malli, Motër xhani,
Ti ç’bën akoma, eja pak,
Të shohësh se si çeli mani,
Se si qershia u përflak.

Të shkojmë atje mes malesh tutje,
Ku ti më thoshje se është deti,
Ku është një peshk i madh, i kuq,
Sa një pallat i madh qyteti.

Çe doje detin aq shumë, Motër,
Ç’ia kishje kaltërsinë në sy,
Dhe unë sa herë tek deti shkoj
Pak det me vete marr për ty.

Po ti më ike, shoqe e bukur,
Moj leshraverdha, dritë e hënës,
Ti jetëshkurtra sa një flutur,
U bëre rrudhë në ballë të nënë

Ka zënë kjo dhëmbja të më meket,-
Tretet, shuhet…po a ka fund,
Se malli ende trazon degët,
Si bli i gjelbër degët tund.

Po ndoshta unë vetë nuk dua,…
Pak dhembje zemra le ta ketë,
Se pa atë, Motër moj,
Çdo ishim vallë në këtë jetë?!..

Tepelenë, 1979

_____________________________
Nga libri ” Atdheu fillon tek zemrat”, 1983

Please follow and like us: