Albspirit

Media/News/Publishing

Prokurorë dhe deputetë, zbulohen kandidatët për Komitetin Ekzekutiv në FSHF

Ish-kryeprokurori i Shqipërisë, Theodhori Sollaku, dhe ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, aktualisht deputet i Partisë Demokratike, kërkojnë një vend në qeverinë e futbollit. Ata janë zyrtarisht kandidatë për të qenë anëtarë të Komitetit Ekzekutiv në FSHF pas zgjedhjeve të 7 shkurtit.

“Panorama Sport” mëson nga burime të sigurta në institucionin e futbollit, se klubi i Partizanit ka propozuar avokatin Sollaku, ndërsa Bylisi i Ballshit, deputetin Alibeaj.

Emri i këtij të fundit nuk është një surprizë, për më tepër që shpesh është parë me drejtuesit e Bylisit duke ndjekur nga tribuna VIP ndeshje të skuadrës ballshiote. Risi mund të konsiderohet kandidimi i Sollakut nga klubi i kuq. Emrin e tij e paralajmëroi pak ditë më parë vetë kandidati për kreun e FSHF-së, Bashkim Fino.

Gjithashtu konfirmohet edhe garimi i ish-sekretarit të përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Prodani, për një vend në Komitetin Ekzekutiv. Gazeta mëson se ai është propozuar nga klubi i Tepelenës, që militon në Kategorinë e Dytë. Mes klubeve që nuk kanë preferuar të merren me emrat që kandidojnë për president të FSHF-së është edhe Luftëtari.

Interesant është fakti se klubi gjirokastrit ka propozuar zv.presidentin Artur Dadaj për ekzekutivin e FSHF-së. Ditët e fundit është përfolur edhe emri i ishtrajnerit të Kombëtares Shpresa, Redi Jupi, por në FSHF mohojnë diçka të tillë pas shqyrtimit të propozimeve, që kanë ardhur nga 54 klube. Këto të fundit, deri më 18 janar, kanë pasur mundësinë të dërgojnë në FSHF vetëm një propozim, duke zgjedhur mes kreut të institucionit ose anëtarit të Komitetit.

Artan Shytaj (ishzv.ministër i Sporteve) dhe Gëzim Podgorica (ish-kreu i ATSH-së) janë dy emra të tjerë, që do të garojnë më 7 shkurt. Risi është edhe propozimi i një prej klubeve për gazetarin dhe njëkohësisht pedagogun Erald Kapri.

Një sfidë më vete për pogradecarin, i cili tashmë kërkon të votohet nga anëtarët e Asamblesë së FSHF-së. Sa u përket anëtarëve që mbyllën këtë mandat, të vetmit që nuk do të rikandidojnë janë Muhedin Targaj dhe Artan Hajdari. Ish-lojtari dhe ishavokati i njohur kanë kërkuar vetë të heqin dorë, duke mos lobuar në klube për t’u propozuar./panorama/

Please follow and like us: