Spartak Ngjela: Shqiptarët sot janë në aleancë historike me SHBA
“Hyni nga porta e ngushtë; se porta e gjerë dhe e hapur ju çon në shkatërrim”.
Kështu ka thënë Jezusi si porosi mbi 2000 vjet përpara.
Këta të korruptuarit e Shqipërisë që hynë nga porta e gjerë dhe e hapur… kërkonin të gjenin lumturinë me paratë e popullit dhe gjetën shkatërrimin. Kjo ka ndodhur, dhe tani kanë hyrë në rrugën që vetë hapën pasi poshtëruan shqiptarët.
E pra, pse shqiptarët iu thanë që të shqyenin portat; domethënë drejtësinë shqiptare?
Nuk mund të vijojnë dot, sepse nuk i pranon në partnership politika amerikane.
Nuk i pranon në partnership as politika gjermane, që flet në emër të Bashkimit Europian.
Atëherë, përse duhet t’i pranojnë shqiptarët?
E pra ekuacioni është shumë i thjeshtë: Askush nuk po i rrëzone me dhunën e një revolucioni; dhe për komedinë e tyre, ata vetë, me frikë, sistemuan ligjet që do t’iu konfiskonin pasurinë abuzive dhe do t’i penalizojnë.
Gjithçka do shkojë në një proces gjyqësor. Atëherë pse tremben këta kryeministra e ministra?
Në fakt kjo është një Tallje e madhe e mjeranëve që e menduan jetën politike në pushtet si vjedhje dhe gënjeshtër.
Si ka mundësi që ekspertiza perëndimore dhe gjykatat e pavarura, që janë subjekte vetëm të ligjit, të dënojnë apo të shpronësojnë të pasurit e ndershëm në një vend kapitalist?
Këta qesharakë tani janë brenda kësaj tirade:
Nëse kanë pallate; të gjithë e dinë që i kanë ndërtuar me para të vjedhura.
Nëse kanë mijra hektarë tokë; kush është ai që nuk e kupton që i kanë të grabitura me forcën ose më hilenë e shtetit që kanë drejtuar?
Nëse kanë miliona nëpër banka të huaja; do t’ua konfiskojnë se nuk ka mundësi praktike që kjo pasuri të jetë e vënë nga fitimet e kapitalit të tyre; kur dihet se të gjithë këta ishin njerëz që nuk kishin asgjë që mund të quhej e shtrenjtë, kur hipën në posin e lartë.
Ku qëndron arbitrarizmi këtu?
Pyetja bëhet që, një reformë si kjo, e dobëson apo i jep shëndet shoqërisë shqiptare?
Sigurisht që i jep shëndet. Në fakt kjo reformë drastike do t’iu kthejë shqiptarëve shëndetin që iu kanë marrë me përdhunë.
Por këta kryeministra e ministra të korruptuar; deputetë dhe drejtorë të mëdhenj gjithashtu , janë kaq në hall sa iu shkon mendja që me një turmë njerëzish të blerë apo të gënjyer të shkatërrojnë Shqipërinë e vetë t’ia mbathin për në vendet e terrorit dhe të dinastive kriminale.
Po si nuk menduat një minutë për fatin tuaj por vetëm për paratë dhe gjënë e vjedhur nga shqiptarët, o mjeranë!
Të gjithë bashkë kanë rënë në iluzionizëm, se i gënjen mendja që me Rusinë apo Beogradin do destabilizojnë Shqipërinë që të mbyllet procesi shqiptar në Ballkan; edhe për Kosovën edhe për të gjithë shqiptarët që po kërkojnë të drejtat në tokat e pushtuara. Dhe këta të bëjnë festa makabre me paratë e grabitura nga shqiptarët.
Më të liq se këta që janë sot në abuzim, nuk janë parë në Shqipëri. Në fakt këta janë rrjedhojë direkte e ligësisë Hoxha; por deri në lartësi që kurrë nuk u arritën nga aradha historike e korrupsionit njëqind vjeçar shqiptar.
Por janë të humbur.
Shqiptarët sot janë në aleancë historike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila në këtë kohë që korrupsioni shqiptar kërkon destabilizimin e Shqipërisë; e ka mbyllur kapitullin e krimit në Shqipëri.
Pse, vërtet mendojnë se do të mundin Amerikën në Shqipëri këtë lapaculë, në kohën kur ajo është në forcën maksimale të saj në këtë qytetërim; të cilit dihet se ajo vetë i jep frymën moderne të lirisë?