Video/Projeksion gjigant i Skënderbeut në kalanë e Ulqinit
Një projeksion gjigant i heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu është shfaqur në kalanë e Ulqinit. Kryetari i Komunës së Ulqinit, Naziv Cungu, ka shpërndarë një video ku shfaqet imazhi i Skënderbeut mbi kalë me anë të një spektakli dritash.
I pyetur nga Agjencia Telegrafike Shqiptare sesi lindi ideja për të realizuar këtë projeksion, Cungu theksoi se, “ne si partia kryesore shqiptare në Mal të Zi, donim të bënim diçka të veçantë për një ngjarje kaq të rëndësishme sikurse është 550 vjetori i ndarjes nga jeta të heroit tonë”.
“E nisëm ditën me të rinjtë e Forcës së Re Demokratike që nderonin statujën e Skënderbeut në shkollën fillore të fshatit Ostros në Krajë që mban të njëjtin emër. Mandej shkuan dhe vunë lule tek varri i Ymer Prizrenit që gjendet në Ulqin meqenëse ky vit është edhe 140 vjetori i Lidhjes së Prizrenit”, tha ai.
“Për në mbrëmje vendosëm të bënim këtë spektakël dritash për ta bërë atraktive në mënyrë të posaçme për të rinjtë. Projektimin e bëmë në muret shekullore të kalasë së Ulqinit jo vetëm sepse është pamja më e përshtatshme por edhe për domethënien që ka për historinë tonë kjo kala”, shprehet Cungu.
Cungu thekson se nga qytetarët e Ulqinit ky projeksion u prit fillimisht me çudi e më pas me kënaqësi e krenari.
“Për ta parë këtë shfaqje të organizuar nga partia jonë, dolën buzë detit qytetarë të të gjitha moshave, të cilët e vlerësuan të bukur dhe të denjë këtë aktivitet. Pati edhe qytetarë të komuniteteve të tjera etnike që e panë me kuriozitet e mundën të mësonin më shumë për heroin tonë kombëtar”.