Amnesty akuzon Iranin për dënimin e fundit me prerje dore
NCRI – Regjimi iranian përdori një gijotinë për t’i prerë dorën një njeriu të martën, sipas një njoftimi në gazetën e sponsorizuar Khorasan News.
34-vjeçarit, që përmendet vetëm si A. K., iu pre dora në një burg në qytetin e dytë më të madh të Iranit, Mashhad, pasi u dënua për vjedhje gjashtë vjet më parë. Dënimi i tij u mbështet nga Gjykata Penale e Apelit e Khorasanit.
Magdalena Mughrabi, drejtore e Zyrës për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në Amnesty International, tha: “Dhënia e dënimeve të tilla skajshmërisht mizore nuk është drejtësi dhe shërben për të nxjerrë në pah se autoritetet iraniane e shpërfillin plotësisht dinjitetin njerëzor. Nuk ka vend për një brutalitet të tillë në një sistem solid të drejtësisë penale. Prerja është thjesht torturë, dhe ushtrimi i torturës është krim sipas së drejtës ndërkombëtare. Si palë në Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike, Irani është ligjërisht i detyruar ta ndalojë torturën në çfarëdolloj rrethane dhe pa përjashtim. Ata që janë përgjegjës për urdhërimin dhe ekzekutimin e praktikave të tilla duhet ta dinë se janë përgjegjës ndaj ndjekjes penale sipas së drejtës ndërkombëtare”.
Mughrabi tha: “Është e tmerrshme që autoritetet iraniane vazhdojnë të imponojnë dhe të ekzskutojnë dënime me prerje dhe ta justifikojnë këtë brutalitet të legalizuar në emër të fesë, kulturës dhe parandalimit të krimit. Autoritetet iraniane duhet t’i heqin urgjentisht të gjitha format e ndëshkimit trupor dhe të lëvizin drejt një sistemi drejtësie penale të përqendruar në rehabilitimin dhe që i trajton të burgosurit në mënyrë humane”.