Albspirit

Media/News/Publishing

Ida Nurçe:  Rini e shthurur apo keq-prindërim?

 

Jo ore jo. Fëmijët po i dërgoni vetë në greminë! Jeni ju, ata që po shkatërroni sistemin e tyre mendor! Ju prindërit e pasur, që për libër edukimi keni lekun. Mos u ankoni, që rinia e sotme është dembele, e papunë, e varur nga teknologjia etj etj…

Hidhni një sy përtej mureve të pasurisë! Andej jashtë, ka edhe të rinj të cilët bëjnë punë nga më të ndryshmet, për t’i dalë vetë për zot jetës! Ka edhe të rinj të cilët kanë sakrifikuar çdo gjë për të përfunduar një universitet. Ka të rinj që kanë sakrifikuar edhe “qëndrimin me familjen” për të arritur objektivat që i kanë vënë vetes. Ka edhe të rinj të cilët punojnë pa pushim për të ngjitur shkallët e karrierës, që i kanë premtuar vetes dhe familjes! Ka edhe të rinj të cilët jeta i ka detyruar të mbajnë edhe familjen e tyre. Ka edhe ndryshe nga ajo që jeni mësuar ju të shihni.

Mos u ankoni për fëmijët tuaj të llastuar, të cilët dinë të bëjnë vetëm një gjë, të shesin mend në një shoqëri kaq të varfër sa e jona.

Po pse ore prindër të dashur, kjo është jeta?! Të hash para atyre që nuk kanë?!

Po kur vajzat tuaja ekspozojnë çdo gjë që munden, për t’u dukur sexy, për të qenë IN, për të ndjellur gjininë e kundërt në po të njëjtën gjendje, si ndjeheni ju?! Jeni krenarë?! Unë nuk e besoj. Nuk e besoj për faktin e vetëm, se ju vetë jeni rritur me frymë tjetër dhe nuk besoj që jeni bërë kaq mendjehapur meqë kohët kanë ndryshuar.

Jam kurioze të di, çfarë do bënin femijët tuaj nëse nuk do ishin nën hijen tuaj?! Provoni t’i lini një ditë vetëm, mes katër udhëve! Mos ju jepni asgjë! Dhe na tregoni cilën udhë do marrin! ? Kam dëgjuar plot raste fëmijësh të prindërve të pasur nëpër botë, por në asnjë moment asnjëri prej tyre nuk i kishte lënë të vegjetojnë me lekët e tyre. Ndodh e kundërta. I vënë të punojnë, të dinë vlerën e jetës dhe të punës. Por ne jemi shoqëri e keq-eduakuar, nga JU.

Ndaj boll ia drejtuat gishtin rinisë, në një kohë që jeni ju që me fëmijët tuaj jepni një shembull të keq!

Please follow and like us: