Mirditorja që do luajë në filmin hollivudian
Në serinë e re të “Fast and Furious” interpreton dhe një vajzë nga Mirdita. Erigerta Deda është pjesë e filmit bashkë me dy aktorë të tjerë shqiptarë, Erand Hoxha dhe Marko Caka, të cilët interpretojnë në “Fate of the Furious”. “Report TV” ka realizuar një intervistë me Erigertën, e cila është lindur në Rrëshen, por jeton prej vitesh në Amerikë. Erigerta, fillimisht është larguar në Angli dhe më pas familja e saj ka fituar Lotarinë Amerikane. Ajo ka studiuar aktrim dhe shkrim skenaresh në Universitetin e Ohajos, ndërkohë që shqipen nuk e ka harruar. Edhe pse Erigerta, e cila ndodhet për një vizitë të shkurtër në Shqipëri, do të vendoset në Atlanta për të qenë sa më pranë industrisë amerikane të filmit, ajo ka thënë që do e priste me shumë kënaqësi një ofertë për të interpretuar në një film shqip. Erigerta ka realizuar disa role të vogla, por arritja më e madhe ka qenë pjesëmarrja në “Fate of the Furious”. Ajo ka treguar për atmosferën në sheshxhirim, për makinat luksoze që binin nga kati i shtatë, por dhe për mjedisin njerëzor dhe professional. Një vend me rregulla strikte është sheshxhirimi në Hollywood, por dhe me njerëz të komunikueshëm dhe të interesuar për tjetrin. Erigerta ka thënë që aktorët shfaqnin interes për të, e pyesnin ku ndodhej Shqipëria dhe donin të mësonin më shumë për vendin, gjuhën. “Po patjetër, njerëzit janë shumë të afërt. Janë të dashur të respektueshëm. Unë ndihem shumë e afërt me ata, sepse hamë bashkë, rrimë bashkë, flasim lirshëm”, ka treguar Erigerta për aktorët që ne i imagjinojmë të pakapshëm. Ndërkohë, pyetjes për pagesën për rolin e saj në këtë film, ajo i është përgjigjur me fjalë të mjaftueshme. Ka treguar që ka pasur një kontratë mujore dhe nuk i është dashur të punojë për një vit.