Përfundon takimi Bushati-Kotzias, MEPJ: Përparim drejt zgjidhjeve të qëndrueshme
Raundi i rradhës i bisedimeve shqiptaro-greke, që u zvillua për dy ditë me rradhë në Korçë, ka përfunduar sot.
Në përfundim të takimit, Ministria e Jashtme e Shqipërisë dhe ajo e Greqisë publikuan një njoftim ku thuhet se “të dyja ekipet bënë përparim thelbësor drejt arritjes së zgjidhjeve të qëndrueshme dhe afatgjata për çështjet e pazgjidhura”.
“Ministrat e Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe Greqisë, Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias, zhvilluan bisedime në Korçë më 19-21 janar 2018, duke u fokusuar në çështjet bilaterale”, thuhet në njoftim.
Të dyja palët lënë të kuptohet se bisedimet kanë avancuar më tej drejt arritjes së disa zgjidhjeve të rëndësishme në raportin bilateral.
“Në vijim të takimit që u zhvillua në Kretë nëntorin e kaluar, të dyja ekipet bënë përparim thelbësor drejt arritjes së zgjidhjeve të qëndrueshme dhe afatgjata për çështjet e pazgjidhura, në përfitim reciprok të të dy vendeve dhe qytetarëve të tyre, në përputhje me vlerat dhe normat evropiane”, nënvizohet në njoftim.
“Diskutimet u zhvilluan në një atmosferë miqësore dhe konstruktive. Të dyja palët përsëritën angazhimin e tyre për të ndjekur më tej dialogun në të gjitha nivelet në muajt në vijim”, shton njoftimi zyrtar.
Burime të besueshme treguan për Top Channel se tryeza e bisedimeve e kishte një axhendë të qartë. Sipas tyre, ditën e parë palët ishin fokusuar te çështjet shqiptare, siç janë ato për pronat e Kishës Ortodokse dhe statusi i tyre aktual.
Të shtunën është diskutuar për problematikat e minoritetit grek në jug të vendit, ndërsa pala shqiptare ka kërkuar heqjen e pengesave për lëvizjen në kufi drejt Greqisë të komunitetit çam.
Sërish është diskutuar për çështjen më të nxehtë të aktualitetit, për kufirin detar, për të cilin thuhet se mund të ketë një marrëveshje brenda muajit prill.
Marrëveshje e cila mund të jetë pjesë e axhendës së takimit të pritshëm Rama-Tsipras.