Albspirit

Media/News/Publishing

SHBA intercepton dhe shkatërron objektivin në testin antiraketor

 

Teksa Koreja e Veriut ka intensifikuar kohëve të fundit testet e raketave me rreze të gjatë veprimi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë testuar sistemin e mbrojtjes kundër raketave balistike. Ushtria amerikane ka kryer këtë të martë të parin test të mbrojtjes antiraketore duke reaguar kështu ndaj kërcënimeve të Koresë së Veriut. “Në test është simuluar një sulm me raketë balistike ndërkontinentale (ICBM) duke lëshuar një të tillë pa mbushje luftarake që prej Qendrës Testuese ‘Reagan’ në ishujt Marshall të Paqësorit, kurse nga baza e Forcave Ajrore në Vandenberg të Kalifornisë është lëshuar një kundërraketë pas interceptimit të raketës balistike ndërkontinentale të parë. Testi ka përfunduar me sukses”, ka bërë të ditur Pentagoni përmes një komunikate me shkrim. Pasi ka theksuar se kjo ishte prova e parë reale e sistemit amerikan të mbrojtjes kundër raketave balistike, Departamenti i Mbrojtjes ka sqaruar se sistemi i mbrojtjes identifikoi gjurmët e flurudhës së raketës objektivë përmes shumë interceptorëve dhe radarëve “X-Band”, të cilët janë të dislokuar në Paqësor, ndërsa më pas këto të dhëna ia dërgoi mekanizmit të kontrollit të qitjes për të realizuar lëshimin e kundërraketës. Nënadmirali Jim Syring, drejtor i Agjencisë së Mbrojtjes nga Raketat, e ka cilësuar këtë test si “një sukses i pabesueshëm” dhe ka nënvizuar se sistemi në fjalë është me rëndësi të jashtëzakonshme për mbrojtjen e territoreve të SHBA-së. “Ky sistem interceptimi është i domosdoshëm për mbrojtjen e vendit tonë dhe ky test tregon se ne kemi mjetet efikase dhe të besueshme kundër një kërcënimi shumë real”, ka shtuar ai. Testi amerikan ka ardhur mes shqetësimit në rritje lidhur me programin e avancuar të Koresë së Veriut për të zhvilluar aftësitë e lëshimit të raketave balistike ndërkontinentale.

Please follow and like us: