Albspirit

Media/News/Publishing

Agron Duka: Projekti “100 fshatrat”, po të tjerët?

Kohët e fundit po promovohet nga ana e qeverisë një nismë për mbështetjen e ekonomisë jobujqësore në të paktën 100 fshatra, kjo listë është përcaktuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Sipas qeverisë “Programi i 100 fshatrave” synon të ofroj një qasje të integruar për zhvillimin rural, dhe  kërkon të arrij objektiva të matshëm për zhvillimin e hapësirës rurale, nëpërmjet fokusit të investimeve publike, atyre të donatorëve dhe investimeve private, në hapësirën e  fshatrave, që sipas qeverisë janë me potenciale të larta zhvillimi ekonomiko-social, agroturizmit dhe turizmit rural, natyrës dhe mjedisit si dhe të trashëgimisë kulturore.

Sigurisht që çdo iniciativë që ka në fokusin e saj fshatin shqiptar është mëse e mirëpritur, dhe duhet inkurajuar. Rritja e vëmendjes ndaj zonave rurale është një detyrë morale jo vetëm e qeverisë, por e gjithë aktorëve institucional, ekonomik dhe social; rruga për një Shqipëri më të mirë kalon nëpërmjet përmirësimit të fshatrave, të cilët janë pikat nevralgjike për një zhvillim të qëndrueshëm të të gjithë vendit. Është koha që këto hapësira sociale të luajnë një rol të rëndësishëm në ofrimin e mundësive, në punësim dhe në krijimin e të ardhurave.

Deri më sot këto zona janë karakterizuar nga varfëria dhe shpopullim masiv. Zakonisht, varfëria rurale, është produkt i politikës dhe urisë së saj elektorale që shndërron në prioritet qendrat me përqendrim më të madh të votuesve, duke lënë jashtë vëmendjes fshatrat.

Ndonëse është në hapat e para, dhe pa dashur ta paragjykojë, Programi i Integruar për Zhvillimin Rural, sot rrezikon të jetë një tjetër gjetje elektorale. Një nga ato sajesat e marketingut politik me të cilat kjo mazhorancë është mësuar të influencojë opinionin publik nëpërmjet shifrave: 300 mijë vende punë, Projekti 1 miliard dollarë, dhe sot kemi arritur te “100 fshatrat”.

Shqipëria ka rreth 2962 fshatra, shumica e të cilëve janë kthyer në fantazma; me pak banorë, pa infrastrukturë, me nevoja bazike si uji dhe kanalizimi. Në pjesën dërrmuese ato janë të varfra; rrënimi i burimeve natyrore është i  madh; shkalla e erozionit të tokës dhe e shpyllëzimeve ka marrë përmasa shfarosëse, dhe më shumë se fjalë të bukura, lipset një strategji afatgjatë.

Programet ekonomike të qeverive, në këto 4 vite e gjysmë, kanë përmbysur njëri-tjetrin duke sjellë ndryshime radikale në politika dhe konfuzion në sektorët e ekonomisë. Mazhoranca e dalë pas zgjedhjeve të 25 qershorit ka prezantuar objektivat e reja dhe bujqësia është një ndër to.

Por, përtej programit shumë të ngushtë, gati një faqe A4, nuk kemi një analizë të mirëfilltë, një strategji afatgjatë që të kalojë limitet kohore të një legjislature. Pra, deri më sot, ajo që kemi përballë janë deklaratat propagandistike.

Faktori kohë është shumë i rëndësishëm për të kuptuar kredibilitetin e një nisme, dhe afatet për realizimin e këtij projekti brenda 3 viteve (2018-2020), fatkeqësisht, dëshmojnë se mund të ketë më shumë qëllime elektorale sesa një vullnet real për të ngjallur besimin se fshati është një vend ku mund të prodhohet dhe jetohet me dinjitet të lartë njerëzor.

Kjo iniciativë ngjason shumë me “Rilindjen urbane”, nga e cila mbajmë mend fasadat dhe palmat e thara në autostradën Tiranë-Durrës, investime që nuk sollën vlerë të shtuar në ekonomi, pasi edhe hapja e vendeve te reja të punës ishte e përkohshme.

Sigurisht që ky është vetëm fillimi, dhe të gjithë urojmë që, për të mirën e zonave rurale, qëllimet e mazhorancës të shkojnë drejt të mirës publike, dhe jo të përfitimeve politike dhe elektorale.

Pas gati tri dekadash, është momenti që politikbërësit të njohin rolin katalitik të fshatrave në ndërmjetësimin e lidhjes rurale-urbane, dhe t’u ofrojnë fermerëve të vegjël mundësi më të mëdha për të tregtuar prodhimet e tyre dhe për të ndarë përfitimet e rritjes ekonomike.

Për këtë arsye mbështetja ndaj politikave dhe investimeve në zonat rurale nuk duhet të mungojë; sidomos nuk duhet të mungojë serioziteti i mazhorancës jo vetëm ndaj 100 fshatrave të përzgjedhur, por sidomos ndaj 2862 të tjerëve që ende presin një zgjidhje.

Please follow and like us: