Albspirit

Media/News/Publishing

Ariel(at): fenomeni i vrasjes së grave e vajzave

Xheni Hatillari

 

Sot në vendin tonë me siguri asnjë bisede tavoline nuk kalon pa përmendur Ariela Muratin, edhe ata që s’e njihnin, edhe ata që e hasen një herë në jetë.
Të jemi realistë, të gjithë kemi njohur një Ariel në jetë, kemi dëgjuar për to edhe në kronikat e zeza të lajmeve por edhe përtej murit të komshies ku një grua qëllon të rrihet e në i ngrejmë zërin televizorit që mos të na prishet gjaku më tej në vend të një telefonate tek 129-a.

 

Është e trishtë që sipas statistikave të Policisë së Shtetit për vitin e shkuar, çdo ditë arrestohen 2 meshkuj për dhunën ndaj femrave dhe 1 në çdo 3 gra dhunohet nga partneri i saj.
Por këto janë statistika ku Arielën nuk do e perfshijë kurrkush sepse atë nuk e shpëtoi as ndonjë arrestim i mundshëm (sepse Rajoni nr.4 është shumë pranë vendngjarjes) e as nuk do të rehabilitohet dikund në ndonjë qëndër grash të dhunuara në të ardhmen sepse dreqi ta hajë, Ariela tha “JO!”.

Ne, aktivistët e shoqërise civile na duket dhe  besojmë sikur çdo ditë bëjmë diçka për të përmirësuar statusin e gruas në shoqëri: konferenca e tavolina të rrumbullakta, panele me zotërinj me këmisha e kollare, kuota pjesëmarrje në Parlamentin ku lëshohen këpucë firmato në ajër. Ama Ariel-at nuk i mbrojtëm dot as këtë herë, pak kohë pas vrasjes së gjyqtares Hafizi në mes të Tiranës e ku buja e madhe zgjati vetëm 3 ditë.

E kaluara ndikon natyrshëm mbi statusin dhe gjendjen e gruas dhe vajzës në shoqeri por ky sërish nuk ishte rasti i Arielës, e cila po shkollohej, po bëhej e aftë të thoshte “JO!” pa e ditur se pas kësaj 5 plumba do t”i lëshoheshin vrik ditën për diell.
Atëheeë, cili është problemi që gratë e vajzat vriten edhe pasi i fuqizojmë, edhe pasi vijnë nga familje që i mësojnë të arsimohen e mos të fejohen të reja, edhe pasi ato rriten të zonjat të zgjedhin sipas kushteve të tyre?

Del që shoqëria jonë e paska problemi tek djemtë atëherë që ne i edukojmë si superior, i mësojmë impotencën e fjalës dhe fuqinë e armës. Ne qëllojmë ende në ajër kur lind djalë e ashtu pa hedhur hapat e parë ende i mësojmë t’i japin urdhëra motrave qoftë edhe më të mëdha, pa thënë kurrë “Të lutem!” apo “Më fal!” ndërsa qeshim me bemën që thonë. A i mësojmë djemtë të pranojnë të shohin se jo gjithmonë mund të marrin atë që duan? Statistikat e vrasjeve mes burra e djemsh nuk kanë rezultuar ndonjëherë te jene për shkaqe që lidhen me gjininë e tyre, ama partnerët meshkuj kryejnë akte makabre mbi gratë e vajzat sigurisht bazuar mbi konceptin e lashtë “të pronësisë” apo “përkatësisë” vetëm sepse ti je femer biologjikisht.

Një shoqëri që gjenezën e problemit e kultivon nga sistemi parashkollor dhe ai shkollor, në ndasitë e edukimit jo formal nga familja, në kushtet e krijuara rishtazi nga shoqëria ku djali steriotipizohet si i fortë apo i aftë të mbrojë “femnën e tij”, ne vramë Arielën e cila vinte nga një background i ngjashëm me të gjitha ne.

Mund të ishte secila nga ne që i thotë “Jo!” një djali bezdisës në klub apo atij mikut në Facebook që e ndjek kudo, mund të ishte motra juaj e cila ndërron rrugë cdo ditë vetëm që mos të kalojë pranë llotos së lagjes e me siguri mund të ishte shoqja juaj e ngushtë e cila ka dalë për hesap të saj të shtunën mbrëma e frikësohet të kthehet në shtëpi vetëm se ky vend nuk i mbron dot gratë e vajzat ditën, e jo më natën.
Kaq e lehtë është të vrasësh një grua apo vajzë në Shqipëri, më lind pyetja natyrshëm.
Si ka mundësi që një 23 vjeçar, student, ka akses në blerjen e armës së krimit në nj vend ku armëmbajtja pa leje dënohet me ligj? Pse nuk flasim për këtë por gjykojmë nëse e shfajëson djalin fakti që “dashuroi”?
Këtë përgjigje mund ta marrësh lehtësisht në internet duke kërkuar për shitblerjen e këtyre armëve por duke shkuar përtej hipokrizisë kolektive, një i ri sot e ka fare të lehtë të kërkojë përmes miqve të tij për t’i aksesuar këto përkundrejt një shume parash që varion nga 5000 lekë deri në 15000 lekë të reja. Kaq do të kushtonte të vrasësh në vendin tonë për të qënë “burrë” e mos lejuar sedrën e sëmurë të preket nga një refuzim.

E ndërkohë, muajin e shkuar para përfundimit të vitit 2017, Parlamenti i kërkoi Qeverisë miratimin e një rezolute e cila do të ashpërsonte masat ligjore ndaj krimit kundër grave si në rastin e vështirësive të masave ligjore për amnisti apo lehtësimit të dënimit nga faktorë të tjerë por edhe për krijimin dhe angazhimin e strukturave shtetërore për ndryshimin e mentalitetit dhe mendësisë qytetare brenda muajit Janar të këtij viti.

E megjithatë, ende s’mund të themi se diçka po bëhet konkretisht. Ndërkohë ne të gjithë do të vazhdojmë të postojmë për Arielën edhe pak ditë, do të ligjërojmë e debatojmë gjithë zell në konferencën e radhës duke numëruar sa e sa gra e vajza të tjera që mund t’ua marrë jetën ditën për diell dikush që pretendon të drejta mbi ty vetëm sepse ka bole, por s’është BURRË!

Please follow and like us: