Kim Jong-un dërgon ish të dashurën për ‘spiunim’ në Korenë e Jugut
Hyon Song-wol ishte në krye të grupit vëzhgues të vendit komunist në Seul. Ajo është udhëheqësja e bandës muzikore “Moranbong”, që mikson popin me folklorin vendas dhe nga Koreja e Veriut është cilësuar si “kundërpërgjigje” e Spice Girls.
Ky delegacion paraprirës është pjesë e dakordësisë së rënë mes dy vendeve gjatë bisedimeve dypalëshe, që relaksuan situatën.
Veç kësaj, Hyon Song-wol njihet edhe si ish e dashura e udhëheqësit suprem, Kim Jong-un.
Koreja e Veriut dhe Koreja e Jugut kanë rënë dakord të formojnë një ekip të unifikuar femrash në hokej për Lojërat Olimpike të ardhshme dhe do të marshojnë nën një flamur të unifikuar në ceremoninë e hapjes, sipas një deklarate të përbashkët.
Koreja e Veriut do të dërgojë një delegacion që do të përbëhet nga rreth 550 anëtarë duke përfshirë 230 sportistë, 140 artistë dhe 30 luftëtarë Taekwondo, në kryeqytetin e Koresë së Jugut të Seul më 25 janar.