Albspirit

Media/News/Publishing

Provat e reja për Saimir Tahirin

Gazetari investigativ, Artan Hoxha ka zbardhur vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda që zgjati hetimet me tre muaj për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, pas kërkesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

I ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24, Hoxha tha se vendimi për zgjatjen e hetimit është marrë që më 17 janar, por publikohet sot, bën me dije “BalkanWeb”.

Gazetari sqaroi se: “Hetimet janë zgjatur për shkak se prokuroria i ka kërkuar material shtesë prokurorisë së Katanias në Itali dhe autoriteteve policore greke për lëvizjet e Tahirit dhe personave të rrethit të ngushtë të tij, të cilët kanë hyrë dhe kanë dalë në territorin grek”, në një kohë që as mbrojtja e Tahirit nuk e ka ankimuar vendimin në gjykatë, duke i lënë mundësi prokurorisë të hetojë edhe për tre muaj.

Sipas tij, hetimet për ish-ministrin Tahiri, i dyshuar për lidhjet me të akuzuarit Habilaj për trafik ndërkombëtar droge do zgjasin deri më 17 prill, ndërsa Prokuroria do të duhet t’i drejtohet sërish gjykatës nëse do të zgjasë hetimet përtej këtij afati.

Sipas Hoxhës, “Prokuroria ka kërkuar ndër të tjera ekspertizë vendase dhe të huaj, për të siguruar informacione të rëndësishme në lidhje me komunikimet elektronike dhe telefonike që Tahiri dhe personat e dyshuar kanë kryer me njëri-tjetrin duke përdorur edhe programe elektronike të vështira për tu gjurmuar”,- sqaroi ai.

Mes të tjerash, siç bëri të ditur gazetari, policia ka përpiluar një listë të re të dëshmitarëve të cilët do të merren në pyetje për të dhënë informacion në lidhje me veprimet e kryera nga Tahiri dhe personat e dyshuar për trafik ndërkombëtar narkotikësh.

“Po ashtu, në zgjatjen e hetimeve prokuroria ka deklaruar se është duke hetuar dhe duke kryer verifikime në lidhje me pasuritë e fshehura apo të kaluara në emër të personave të tjerë, të cilat janë përfituar nga trafiku ndërkombëtar i narkotikëve”,- sqaroi gazetari për “BalkanWeb”.

VENDIMI
1-Dërgimi i kërkesave për ndihmë juridike në Republikën e Italisë dhe Greqisë
2-Kryerja e ekspertimeve kompjuterike për disa mjete komunikimi
3-Analizimi i të dhënave të përfituara nga komunikimet telefonike
4-Marrje deklarime personave, dëshmitarë të rinj
5-Kryerja e verifikimeve pasurore dhe veprimeve të tjera që mund të dalin nga dinamika e hetimeve
(Për këtë shkak zgjatet me tre muaj afati i hetimit për procedimin nr. 134)

Please follow and like us: