Sonila Meço: Ky sistem po përze intelektualët dhe profesionistët
Nuk gjej lajm dorëheqjen e Blushit nga Libra, ky madje do qe akti më demokratik i çdo lideri, që me pjesmarrjen edhe pse në procese të njollta zgjedhorë nuk arrin të çojë forcën e vet drejt fitores, apo përmbushjes së objektivave elektoralë.
Lajm për mua është se ky sistem siç është montuar, po përze me çdo mënyrë intelektualë, profesionistë, mendje të lira prodhimtare e zëra të fortë. I degdis dhe me çdo përpjekje ndërton edhe alibinë: ikën kush nuk i mbijeton dot tregut, lojës, garës…ndërkohë që as treg nuk ka, as rregulla, as arbitër e madje me ç’duket as spektatorë.
Dhe që të mos ia faturojmë Blushit këtë ‘logjikë’ të sistemit konkurencial që duan të na bindin se funksionon, po sjell në vëmendje se ti nuk voton atë që do doje, ti nuk zgjedh atë që mendon, sepse nuk ta lejon kodi elektoral, ti nuk ke shanse të zgjidhesh e propozosh se i tillë është bërë ligji për të mbrojtur të mëdhenjtë, ty të blihet vota nga ata që kanë paratë e pushtetin. Pra Blushi me Librën e tij, që mblodhi 20.000 vota brenda 7 muajve nuk mundi të të përfaqësojë në kuvend, sepse as kodi elektoral e as ai zakonor i vjedhjes e masakrimit të votës nuk ia lejon. Dhe ky shembull më shumë se fakti historik se si Blushi mbeti jashtë parlamentit, është dëshmia më flagrante e dekurajimit të çdo nisme të lirë për të ndërtuar një lëvizje që përmbys sistemin: me ligj të shkruar e ‘kanun’ politik nuk ia del dot.
Blushi jashtë kuvendit qe një mungesë thelbësore e debatit cilësor, Blushi jashtë politikës është një varfërim i pluralizmit, por nëse sot pushteti nuk e pranon Blushin, është ai i pari që e neverit. Ndaj një fitore në xhep si njeri që zgjodhi të jetë i lirë e ka.
Dhe një Zot e di se çfarë është i aftë të bëjë një njeri i lirë…