Studiuesja kineze: Tjetri i Kadaresë që vjen nga bota shqiptare, Perëndimi, Lindja…
Me studimin monografik “Katër të tjerë në veprën e Kadaresë”, albanologia prof.dr. Ke Jing është vlerësuar nga juria e çmimeve shkencore kombëtare. Ky konsiderohet i pari studim i thelluar monografik kushtuar veprës letrare të Ismail Kadaresë nga pikëvështrimi i institucioneve akademike dhe universitare kineze. Pikërisht, referuar veprës së Kadaresë, studiuesja kineze ligjëron sot në mjediset e Akademisë së Shkencave me temën “Identiteti shqiptar përballë Tjetrit në veprën e Kadaresë” me disa vështrime si: Identiteti shqiptar përmes letërsisë së Kadaresë; Tjetri që vjen nga Perëndimi; Tjetri që vjen nga Lindja; Tjetri, brenda botës shqiptare; Tjetri, fqinjët në veprën e Kadaresë; From other, to Mother – Duke kapërcyer tjetërsinë. Vepra u kushtohet raporteve të vetes me tjetrin në historinë e popullit shqiptar, përmes një shqyrtimi në rrafsh antropologjik, letrar e kulturor. Studimi, duke iu referuar tipologjisë së identiteteve të pranishme në veprën e I. Kadaresë dhe stereotipeve tradicionale ballkanike, i përgjigjet pyetjes se cili është receptimi i autorit për të huajin; spikat ndërlikimet historike në procesin e formimit të identitetit shqiptar në kushtet e trysnive të shumëanshme të brendshme e të jashtme; rishqyrton në mënyrë kritike raportet midis përbërësve gjuhësore, historike, kulturore dhe fetare në procesin e vetidentifikimit kombëtar shqiptar, duke iu referuar edhe polemikave të dekadave të fundme dhe duke sjellë kontribute origjinale për një lexim ndryshe të veprës letrare të I. Kadaresë. Prof. Dr. Ke Jing (PhD) është studiuese albanologe dhe ballkanologe. Studimet universitare i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Në vitin 2013 mbrojti disertacionin në Universitetin e Louisville-it në SHBA, me studimin monografik The Four Others in I. Kadare’s Works, botuar nga shtëpia botuese universitare më 2014. Prof. Dr. Ke Jing ka drejtuar për disa vite me radhë katedrën e gjuhës shqipe në Universitetin e Studimeve Ndërkombëtare në Pekin (BFSU), e cila është qendra më e rëndësishme e albanofonëve në Kinë. Studimet e Prof. Dr. Ke Jing kanë karakter antropologjik dhe krahasimtar në rrafsh ndërballkanik dhe në rrafshe të tjerë. Artikujt e botuar prej saj kanë të bëjnë me identitetin historik dhe kulturor të shqiptarëve vështruar përmes veprës së I. Kadaresë. Në mënyrë të veçantë ajo është e interesuar për raportet midis vetes dhe tjetrit. Kjo çështje i ka dhënë mundësi asaj të bashkojë kompetencat në formim si albanologe e ballkanologe. Si shefe e katedrës së gjuhës shqipe dhe si drejtore e drejtorisë së marrëdhënieve me jashtë, detyrë që e ushtron prej tri vjetësh, Prof. Dr. Ke Jing ka inkurajuar fuqizimin e albanologjisë në BFSU. Nisma e fundme e saj njihet me emrin Shqip plus, që ka kuptimin përmes shqipes drejt gjuhëve të tjera të Ballkanit. Prof. Dr. Ke Jing drejton shkollën e doktoratës në studimet albanistike në BFSU dhe projektet themelore të saj: botimi e përkthimi i rreth 25 titujve nga letërsia shqipe në gjuhën kineze dhe botimi i një fjalori prej 45 mijë fjalësh shqip-kinezisht dhe kinezisht-shqip.