Albspirit

Media/News/Publishing

“Flamuri i Izraelit ka një tjetër domethënie në Gjermani”

Bundestagu votoi për angazhimin e një të ngarkuari për antisemitizmin. Edhe partia e ekstremit të djathtë AfD është pro këtij posti. Vetëm partia E Majta abstenon, por për të tjera arsye.

Kjo temë është e madhe dhe në kuptimin e vërtetë të fjalës mjaft aktuale: në dhjetor gjatë demonstratave në Berlin në disa vende u dogjën flamuj izraelitë, ndër të tjera edhe para portës së Brandeburgut. Shkak për protestat ishte presidenti i SHBA-së, Donald Trump, me deklarimin, se do ta njohë si kryeqytet të Izraelit Jeruzalemin e pandarë. Trazirat shkaktuan indinjatë në mbarë botën dhe ndezën në Gjermani një debat të zjarrtë, që të enjten (18.01) arriti deri në Bundestag.

“Të luftojmë me vendosmëri antisemitizmin” kështu u titullua kërkesa, që parashtruan bashkarisht katër grupe parlamentare: konservatorët CDU/CSU, socialdemokratët, Demokratët e Lirë – FDP- dhe ekologjistët. Plot një gjysmë ore folën deputetët për incidentet e fundit në veçanti dhe për antisemitizmin në përgjithësi. Për secilin nga shtatë referuesit e gjashtë grupeve parlamentare koha e referimit ishte afërsisht pesë minuta. Shumë pak kohë, për t’u futur në detaje.

Esktremistë të djathtë dhe antisemitizëm “i imigruar”

Volker Kauder, kryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU-së megjithatë u përpoq të futet në detaje si i pari referues. Ai kujtoi një pronar hebre restoranti në Berlin, që është kërcënuar me vrasje. Hebrejtë nuk guxojnë më që të dallohen në rrugë si të tillë. Sipas një studimi gjithnjë e më shumë hebrej luajnë me mendimin për “t’u larguar sërish nga Gjermania”.

Një numër në rritje i veprimeve antisemitiste është “i imigruar”, thotë kryetari i grupit parlamentar të konservatorëve Volker Kauder. Më pas ai i referohet raportit për antisemitizmin të një komisioni ekspertësh të angazhuar prej Bundestagut, që në prill 2017 paraqiti rezultatet dhe rekomandimet. Në bazë të këtij raporti një pjesë e madhe e sulmeve dhe krimeve me sfond antisemitizmin vijnë nga ekstremizmi i djathtë. Por ka edhe një numër në rritje të veprimeve antisemitiste të “imigruara”. Me njerëzit, që vijnë nga rajone, “ku nxitet urrejtja ndaj Izraelit dhe antisemitizmit”. Asnjëra prej këtyre nuk duhet lejuar, bëri thirrje kryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU.

Deutschland Bundestag Debatte zu Antisemitismus | Volker Kauder CDU (picture-alliance/dpa/B. von Jutrczenka)Volker Kauder

Edhe AfD duartroket për Volker Kauder

Në sfondin e djegies së flamujve me yllin e Davidit ai thotë: “Ky flamur ka këtu tek ne në Gjermani një tjetër peshë.” Me këtë Kauder le të nënkuptohet përgjegjësinë gjermane për Holokaustin dhe angazhimin për të drejtën e ekzistencës së shtetit të Izraelit, që në Gjermani është një maksimë politike. Kush shprehet me tone antisemitiste, duhet të përgjigjet edhe publikisht, thotë Kauder, duke u mbështetur me duartrokitje edhe nga deputetët e partisë Alternativa për Gjermaninë  (AfD).

Deputetja e kësaj partie, Beatrix von Storch, bën fjalë për impulse të mira në kërkesën e parlamentarëve për antisemitizmin. Me këtë ajo ka parasysh në radhë të parë propozimin e unionit koservator për ashpërsimin e së drejtës së qëndrimit. Me këtë propozim synohet, që të huajt, të cilët kryejnë vepra antisemitiste, mund të dëbohen më lehtë. Gjermania nisur nga historia e saj ka një përgjegjësi të veçantë “dhe ne e pranojmë atë”, theksoi parlamentarja e AfD.

Për çfarë do të luftojë Beatrix von Storch

Por, vazhdoi ajo, ne “nuk duhet të mbyllim sytë ndaj zhvillimeve në Europën Perëndimore”. Që nga viti 2006 janë larguar 40.000 hebrej nga Franca drejt Izraelit. Ata janë refugjatë, për të cilët askush nuk flet, “sepse ata largohen prej myslimanëve”. AfD do të luftojë me të gjithë forcën, “që kjo të mos jetë e ardhmja në Gjermani”.

Me asnjë fjalë nuk përmendi von Storch akuzat e ngritura ndaj partisë së saj, se në radhët e veta ajo nuk reagon kundër antisemitizmit. Në debatin në Bundestag deputetja socialdemokrate Kerstin Griese dhe kryetarja e grupit parlamentar të ekologjistëve Katrin Göring-Eckardt iu referuan rastit të kryetarit të AfD në Tyringji, Björn Höcke. Pretendimi i tij, se monumenti i Holokaustit në Berlin “është një turp”, ka shkaktuar në vitin 2017 një valë indinjate.

Deutschland Bundestag Debatte zu Antisemitismus | Beatrix von Storch AfD (picture-alliance/dpa/B. von Jutrczenka)Beatrix von Storch

“Ju keni një problem të rëndë me antisemitizmin”

Që Höcke vazhdon të jetë anëtar i AfD-së, ky është një “turp”, tha Griese. Göring-Eckardt e akuzoi von Storch, se ka një problem “të madh me antisemitizmin”. Populistja e djathtë nga ana e saj thekson, se jeta hebreje është një “pjesë e rëndësishme e trashëgimisë gjermane”. E për këtë nuk ka dy qendrime.

Edhe deputeti i FDP-së, Stefan Ruppert e kritikoi von Storch. Sipas tij, ajo lidhur me temën e antisemitizmit ushtron kritikë të njëanshme, duke “i mbyllur sytë” brenda radhëve të veta. Liberali lëvdoi njëkohësisht angazhimin prej shumë vitesh të ekologjistes Göring-Eckardt dhe të deputetes së partisë E Majta  Petra Pau kundër antisemitizmit. Zëvendëspresidentja e Bundestagut Petra Pau në fjalimin e saj të shkurtër, tha, se urrejtja kundër hebrejve është “një problem i vazhdueshëm”. Ajo kujtoi deputetët për vetëdetyrimin e të gjithë grupeve parlamentare për t’iu përkushtuar “pa mëdyshje” punës ndaj rekomandimeve të komisionit të ekspertëve.

Partia “E Majta” kundër një të drejte të posaçme për të huajt

E Majta është kundër angazhimit të një të ngarkuari për antisemitizmin. Po ashtu shprehimisht Pau e hedh poshtë kërkesën e grupeve të tjera parlamentare për dëbimin e të huajve, që “kryejnë vepra antisemitiste”. E Majta e refuzon një të drejtë të tillë të posaçme. Kjo parti abstenoi gjatë votimit.

Arsyeja është, se E Majta do të kishte preferuar, që kjo çështje të shqyrtohej në komisionet përkatëse të Bundestagut, për t’u marrë më intensivisht me këtë temë, duke preferuar kësisoj një debat parlamentar dhe jo miratim të rekomandimeve nga një komision ekspertësh, që u diskutua të enjten (18.01) për 35 minuta në Bundestag.

Please follow and like us: