Frikë nga shtimi i antisemitizmit në Francë
Gjithnjë e më shumë hebrenj ndihen të braktisur nga shteti francez dhe po emigrojnë në Izrael. Vetëm në vitin 2016 nga Franca u larguan rreth 5000 hebrenj.
Këtu Azizi shiste deri para pak ditësh ushqim kosher për komunitetin hebre në periferi të Parisit në Creteil. Tani pas zjarrit në rafte nuk ka mbetur më asgjë. Azizit i ishin dashur vite për ta ngritur dyqanin e tij. “Ky ishte fëmija im, këtu punoja 12 deri në 15 orë në ditë. Tani gjithçka është bërë shkrumb e hi.” -thotë Azizi duke treguar drejt dyqanit të shkatërruar.
Ai ka frikë prej sulmesh të tjera, sepse prej disa javësh, muret e dyqaneve të hebrejve po mbushen me kryqe të thyer. Kështu edhe dyqani i Azizit, megjithë se ai sikurse thotë nuk është çifut, por mysliman dhe berber nga Algjeria.
“Më duket sikur ma kanë pikturuar kryqin e thyer në shpinë. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me dëmtimin e pronës, unë ndihem i kërcënuar personalisht. Dhe tani e di edhe më mirë si ndjehen hebrenjtë.”
Sulme të përsëritura ndaj hebrenjve
Në Creteil jetojnë rreth 15,000 hebrenj si dhe një bashkësi shumë më e madhe muslimanesh. Gjatë viteve të fundit ka pasur sulme të përsëritura ndaj hebrenjve. Autorët ishin më së shumti muslimanë të rinj. Por askush nuk dëshiron të flasë hapur për këtë, as tregtari hebre, Ilan Fitoussi, me të cilin Azizi ka miqësi.
“Nuk dua të akuzoj askënd këtu, kam marrëdhënie të mira me si me ata nga Afrika e Veriut dhe me afrikanët me ngjyrë. Unë dua vetëm të them se konflikti midis izraelitëve dhe palestinezëve duhet të zhvillohet në Lindjen e Mesme dhe jo këtu te ne.” – thotë Ilan Fitoussi.
Propagandë anti-hebreje
Mënjanimi i konflikteve – po bëhet gjithnjë e më i vështirë. Sepse vitet e fundit në Francë po përhapet gjithnjë e më e fortë një propagandë anti-hebreje, thotë historiani Rudy Reichstatt, i cili ka themeluar për këtë arsye shoqatën “Watch Conspiracy”.
“Çdo gjë e keqe që ndodh në botë shpjegohet me ndonjë komplot hebre. Për shembull, sulmet në Francë dhe gjetkë në Evropë, apo edhe krizat ekonomike apo kryengritjet popullore. Madje edhe kur vdes ndonjë njeri i famshëm, lindin dyshime. Pas të gjithave duhet të ketë ndonjë hebre, nga ata që kanë në dorë fijet e historisë.” – thotë historiani Rudy Reichstatt.
Një nga zjarrvënësit shpirtërorë më të rrezikshëm në Francë është Alain Soral. Publicist dhe botues që e quan veten “nacional-socialist” dhe ka ribotuar s fundi librin e Hitlerit Mein Kampf. Faqen e tij të internetit e vizitojnë çdo muaj pesë milionë vetë. Fare hapur, Sorali përpiqet të joshë edhe muslimanët e rinj me parrulla si: “Çifutët janë sundimtarët e fshehtë të botës. Ata janë në krye dhe ne jemi në fund. Ata janë si një sekt dhe kujdesen vetëm për njerëzit e tyre.”
Parulla antisemitike me pasoja vdekjeprurëse
Prillin e kaluar, një musliman i ri i droguar hyri me dhunë në këtë rrugë të Parisit në shtëpinë e mjekes hebreje, Sarah Halimi. Ai e torturoi atë brutalisht, e hodhi pastaj prej dritares duke e quajtur “Satan”.
Avokati i familjes ka bërë gjithçka të mundshme që ky krim të klasifikohet si “krim antisemitik”. “Nëse nuk do të kisha kërkuar ndihmë nga shtypi dy muaj pas krimit, ndoshta mund të mos nisej as edhe ndonjë gjykim. Sepse do të thoshin se djali ishte në delir dhe nuk ia vlen ta dënosh dhe pas kësaj askush nuk do të fliste më për këtë.” – thotë avokati.
Frikë nga shtimi i antisemitizmit
Është pikërisht ky kthim i kokës mënjanë që i fut sidomos frikën bashkësisë hebraike.
Eva Tangier e njihte mirë Sarah Halimin. Ashtu si shumë nga të njohurit e saj, edhe ajo e ndjen se për hebrenjtë po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme në Francë: “Unë personalisht ndihem e kërcënuar. Sepse në Francë sot ekziston një klimë e përgjithshme naiviteti dhe indiference. Për të mos rrezikuar paqen sociale disa veprime të caktuara thjesht harrohen.
Kthehemi në Creteil. Myslimani Aziz dhe miku i tij hebre janë të një mendjeje se indiferenca nuk mund të jetë zgjidhje. Të gjithë francezët duhet të përballen me këtë problem me guxim dhe mbi të gjitha së bashku./DW/