Mbyti gruan e pronarit, zbardhet dëshmia e personit të prangosur 2 vjet pas ngjarjes
Fatjon Karmeshtna, është i arrestuari i djeshëm, për vrasjen e Suela Sulës gati dy vjet me parë në Shkodër në mobilerinë e familjes së saj. 35-vjeçari punonjës i mobilerisë, sipas Prokurorisë, ka mbytur gruan e pronarit Sadedin Sula, me urdhër të këtij të fundit.
Provë e pakundërshtueshme është analiza e ADN-së. Viktima para se të mbytej është përleshur me autorin dhe në thonjtë e saj janë gjetur mbetje. Ato janë krahasuar me mbetjet që 35-vjeçari ka lënë në grykën e një shisheje uji dhe përputhen plotësisht.Burime nga Prokuroria konfirmuan për Televizionin Klan se Karmeshtna ka mohuar akuzat. Ai ka sqaruar se nuk lidhje me këtë histori dhe është larguar nga puna në mobilerinë e familjes Sula. Por për Prokurorinë, përfshirja e Fatjon Karmeshtnës në këtë ngjarje është e provuar shkencërisht.
Një provë tjetër që implikon të arrestuarin janë dhe disa regjistrime audio të gjetura në telefonin e viktimës, ku Sadedin Sula flet me Fatjon Karmeshtën, me të cilin rezulton se ka një raport të ngushtë. Ata bisedojnë për marrëdhëniet e Sulës me bashkëshorten dhe dyshimet e tij se ajo e tradhtonte.
35-vjeçari pritet të dalë të mërkurën para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë dhe Prokuroria do të kërkojë arrest me burg për të. Në Gjykatën e Krimeve të Rënda është duke u zhvilluar procesi në ngarkim të Sadedin Sulës për akuzën e vrasjes në familje.