Albspirit

Media/News/Publishing

Merkel-Macron: Europa ecën përpara vetëm e bashkuar

Emmanuel Macron shpreson për një “Po” të socialdemokratëve për koalicionin e madh. Kjo u la të kuptohej në takimin me Angela Merkel. Merkel e Macron kërkuan një ripunim të Marrëveshjes së Elysee-së.

Edhe nëse kancelarja Angela Merkel para vendimit të socialdemokratëve ka dridhje, asgjë nuk kuptohet në takimin me presidentin francez, Emmanuel Macron në Paris. Marrëdhënia e mirë me Macron ka muaj që funksionon, sidomos në politikën europiane, megjithëse Macron është shumë më ambicioz se kancelarja. “Bëhet fjalë jo për të theksuar dallimet, por të përbashkëtat”, thotë Macron.

Shpresa tek koalicioni i madh

Por përpara se të ndodhë diçka në politikën për Europën, duhet fillimisht që SPD-ja të vendosë për koalicion të ri me Angela Merkelin. Por çfarë do të ndodhë, nëse kjo nuk funksionon? A merr fund edhe Europa?, pyet një gazetar francez. “Entuziazmi im për Europën nuk varet nga partitë e tjera”, përgjigjet Merkel. Ajo dëshiron “dritë të gjelbër dhe që kjo të mos ndodhë.” Por Partia Socialdemokrate është ajo që vendos. Edhe presidenti francez, shpreson me kancelaren, megjithëse nuk bën parashikime. Por sipas tij “SPD ka treguar ambicie të madhe europiane”, edhe kancelarja ka ambicie të madhe europiane. “Këto shkojnë perfekt”. Macron nuk e fsheh se vazhdimi i koalicionit të madh për të është absolutisht i rëndësishëm.

Frankreich Merkel bei Macron (picture alliance/dpa/POOL EPA/C. P. Tesson)

Reformim i përbashkët i eurozonës

Pas takimit të ministrave të Financave, Bruno le Maire dhe Peter Altmeier (17.01) dhe një ujdie për reformën e eurozonës deri në fillim të verës janë vënë piketat për hapat e para për një fond europian të krizës dhe buxhet investimesh. Edhe unioni bankar pritet të bëjë hapa përpara.” Po të shohim se çfarë bën SHBA këtu, (ulje radikale taksash) atëherë koha nuk pret”, thotë Merkel. Edhe Macron shprehet se nuk duhet të grindemi për instrumentet, por të ecim hap pas hapi përpara. Si në çështjen e mbrojtjes, edhe atë të politikës ekonomike europiane- gjithkund duhet të flasim “për modalitetet, se si mund të çojmë përpara bashkëpunimin në plan afatshkurtër, afatmesëm e afatgjatë”, sipas Macron.

Një Marrëveshje e re Elysee?

Merkel dhe Macron premtuan një marrëveshje të re të Elysee-së. Sipas kancelares ajo i duhet përshtatur shekullit të ri. Por çfarë nënkupton kjo? Të hënën( 22.1.) në Asamblenë Kombëtare në Paris së bashku me përfaqësues nga Bundestagu festohet 55 vjetori i themelimit të Marrëveshjes së Elysee-së. Ajo vendosi gurthemelin e bashkëpunimit gjermano-francez pas lufte, me shkëmbimin e nxënësve, partneritetet. Kjo është histori, tani kërkohen impulse të reja – si një hapësirë ekonomike gjermano-franceze, bashkëpunim i ngushtë në çështjen e refugjatëve, në politikën e sigurisë dhe të klimës. Emmanuel Macron e kishte dhënë këtë ide, ai dëshiron të afrojë më shumë Berlinin dhe Parisin. Por idetë duhet të mbushen tani me përmbajtje.

Pas takimit, Merkel dhe Mcron vizituan një koncert të Debussy-së me dirigjentin e famshëm. Daniel Barenboim, një figurë, që sipas Merkelit i ka të gjitha dimensionet e marrëdhënieve gjermano-franceze. Barenboim ka jetuar gjatë në Paris, dhe tani drejton orkestrën shtetërore në Berlin. Merkel dhe Macron shijojnë kështu efektin lidhës të kulturës, pak pushim për Angela Merkelin, pa pyetje për SPD-në apo ambicien e saj në politikën europiane./DW/

Please follow and like us: