Albspirit

Media/News/Publishing

Qeveria e SHBA më 1954: Janë zhdukur 16 mijë shqiptarë, mes tyre ministra e deputetë

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit i ka kërkuar ambasadës amerikane dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Shqipëri raportet që mund të jenë përgatitur mbi kampet e punës së detyruar në vendin tonë gjatë diktaturës komuniste. Ditën e djeshme, stafi i ambasadës së SHBA-së ka dërguar një raport special që në vitin 1954 SHBA hartonte për situatën në Shqipëri.

Raporti mban numrin 13 dhe datën 30 dhjetor 1954. Duket të ketë qenë i gjatë, megjithatë për tri faqet e vëna në dispozicion, Autoriteti thotë se “Ambasada na dërgoi këtë raport të përgatitur nga qeveria e USA në vitin 1954, ku përfshihet edhe puna e detyruar dhe gjendja nëpër kampe. Kërkimi i tyre vazhdon”. Në dokumentin që po boton sot “Gazeta Shqiptare” fotografohet situata në kampe, në luftën e klasave, dënimin e shqiptarëve, jetën si skllevër, varfëria, burgjet, dënimet e kundërshtarëve dhe një informacion mbi politikën e jashtme të Shqipërisë.

PJESË TË RAPORTIT

Pjesa e raportit nis me një informacion mbi besimin dhe klerin. “Marrëdhëniet e Vatikanit me kishat kalojnë vetëm përmes qeverisë. Kisha katolike në Shqipëri i nënshtrohet ligjit kanonik vetëm nëse dispozitat e tij nuk bien në kundërshtim me ligjet e Republikës së Popullit Shqiptar, rendit publik dhe zakoneve të mira”, thotë raporti amerikan. Vihet në dukje se priftërinjtë po trajnohen në seminare “të krijuara e të administruara” me aprovimin e qeverisë. “Agresioni kundër kishave nuk do të ishte ligjëruar nëse komunistët nuk do të kishin eliminuar anëtarët më të spikatur të klerit. Të tria besimet kanë pasur viktimat e tyre, por më shumë kanë qenë katolikë. Në mënyrë që t’i mbajnë kishat nën kontroll, qeveria komuniste e Shqipërisë ka vënë në krye të tyre klerikë, të cilët janë të gatshëm të jenë vegla e saj. Disa prej tyre janë komunistë”, thotë raporti special i qeverisë amerikane.
Please follow and like us: