Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Hasan Zyko Kamberi, gjyshe Rubia, Obama dhe Trump

Hasan Zyko Kamberin, me të drejtë, e kujtuam edhe sivjet (dmth vjet) në dimrin e ashpër 2017, dimër që, sipas klimatologëve, mund t’ia gjeje shokun para 149 vjetësh… “Paraja” dhe “Trahanaja” janë dy poezitë e paharruara të Hasanit, poetit të Starjes. Dhe shqiptarët e sotëm, të varfër edhe pas 149 vjetësh, e kujtuan Hasanin më shumë për “Trahananë”. Jo siç mund të mendohet, jo për “Paranë”.
Për Paranë, rëndom, përfliten si shumë të fëlliqur ca politikanë të kreut, dhe…dhe, ka, ca ditë, po përfliten ca gazetarë bosa të kazanit mediatik. Gazetarë- vëllezër siamezë me kazanin biznes-krim-politikë.
Hasani i Starjes, kolonjari sarkastik, na kujtoi se kjo skemë: para-krim-politikë vjen njëlloj që nga kohërat e kohëve, që nga dimërimi otoman aziatik.
I hollë e i mënçur ky Hasani i Starjes. Sa tallej me fukaranë, tallej me tyxharë të krimbur në para, me gjyqtarë të lartë, me kryeklerikë, me bejlurçina e nëpunës, me Padishahë perandorie që vinin makinën (tarapanë) që ditë e natë pa ndalur të prisnin monedhat… paranë. Lakmia e madhe e parasë e mbretërokej dhe e mbretëron këtë botë… kjo ishte/është ligjësia absolute e pushteteve të çdo kohe, sipas Hasanit tonë nga fshati Starje i Kolonjës.
Erdhi dita… qe jetësisht/privatisht kandili i jetës po fikej, Hasani ynë u mplak. Prandaj dhe hoqi dorë të qajë e të qeshë me hallet e botës. Po c’pati, përse? A mund ta rregullonte Hasani këtë botë? Çfarë kishte realizuar për veten e tij, çfarë kishte ndrequr e vënë në vije ai? Vitet kishin fluturuar. Nuk kishte rregulluar dot as veten, as të afërmit, si mund ta rregullonte botën e madhe? Si?
Tashmë Hasani i plakur, pa mjete jetese, pa fuqi, mbështetej te tjetërkush. Me ushqim, me veshmbathje, me ngrohje, me kujdesje për dimër e për verë e kishte në ngarkim i biri, Tarja. Hasani plak i drobitur, katandisej në nevojë për hyzmet. Tarja i riu, i forti, i kishte vënë shpatullat shtëpisë. Kujdesej dhe për të atin, Hasanin.
Poeti Hasan, i urti plak, shpesh jepte mend për punët, jepte këshilla, po Tarja kish mendjen e vet. Nuk e përfillte. E dëgjonte plakun sa per respekt. Kur plaku këmbëngulte në të tijën, Tarja ia bërtiste kundërshtimin fort e fort të atit. Se plaku… dhe nuk dëgjonte mirë nga veshët.
Ca nga ca, poeti, i urti Hasan, vuri mend: kur të lënë fuqia e katandia, bashkë me to, të ka lënë dhe mendja. Domethënë të varfrit e të plakurit nuk ia pëlqejnë mendjen. Dhe dhe…

Iku Koha, ndërroi zamani:
Tash flet Tarja… dhe dëgjon Hasani.

Studiuesit thonë se kjo është poezia e fundit e Hasan Zyko Kamberit.

Këto dy vargje të Hasanit më ndërmendin gjyshen time. E gjendur në një situatë të tillë, si kjo e Hasanit, situatë kur t’i jep mend e nuk të dëgjon njeri, ajo shpesh përsëriste:

Thuaj, thuaj
Merr briskun e ma rruaj.

Llafe farmak të hidhura këto të gjyshes sime, të cilat Hasani i Trahanasë dhe i Parasë, poeti i zhgënjmit nga kjo botë, nga kjo jetë, besoj … do t’i kish miratuar.

Poezitë “Trahanaja” dhe “Paraja” shkëlqejnë si dy kolona mitike. Sjellin dy boshtet rreth të cilëve është përsjellë e prapë vazhdon dhe sot të vërtitet bota. Trahanaja, mbijetesa modeste e të varfërve, simbolizon katandinë e vegjëlisë. Paraja simbolizon luksin e majave të shoqërisë, por dhe lakminë e lindur të njeriut për para. Lakmi e lindur se:

Dhe foshnja që është në djep,
Zgjat dorën e thotë: më nep.
E merr e fut në xhep.
Ia di kimetin parasë.

Thëniet e hidhura të pleqërisë (me vargje) të Hasan Zyko Kamberit dhe të gjyshes sime, kanë të bëjnë me atë që brezat e rinj, qoftë për mbijetesë apo për fitim (për Trahananë a për Paranë), veprojnë me mendjen dhe me sjelljet e tyre duke i injoruar përvojat a mençurinë e paraardhësve. Dhe ata kanë të drejtë. Kjo, prapsja apo mohimi i paraardhësve, duhet pranuar si fati, si rrethi i rrulit të kohëve që shtyp të shkuarën për të shtruar rrugët e së ardhmes.
Hasani mbeti simpatik se edhe në pafuqinë e tij, bënte autoironi, tallte vetveten. Tarja, biri i tij, njëherësh ishte dhe bir i një kohe tjetër, pra, ishte më i aftë të mbijetojë se njihte njerëzit, sjelljet, mënyrat e reja me të cilat nxirrej buka, jetesa, paraja. Tallja sa bie mbi Taren (jo shumë i mençëm, thonë) po aq bie dhe mbi atin: Iku koha ndërroi, zamani / flet Tarja, e dëgjon Hasani.

Ndryshe ndodh me thënien e gjyshes sime, të gjyshe Rubies.
Gjyshja ka në thelb protestën, zhgënjimiin, jo autoironinë zbutëse, nënshtrimin (qoftë dhe të hidhur) ndaj fatit, siç ndodh me Hasan Zyko Kamberin e Starjes. Ky poet jo njëherë është tallur me veprimet e tij, me fatin e tij. Autoironia e tij na thotë cilët jemi, na njeh me cenet e vetes sonë.
Gjyshja ime nuk e pranonte që fati e kishte anashkaluar. A kishte të drejtë? Po dhe jo. E thamë, brezat duhen lejuar të ecin me mendjen e tyre edhe kur atë nuk ua duam, edhe kur fare nuk ua pëlqejmë.
Në këto që paraqes më poshtë, -ndikuar nga konteksti politik- po guxoj ca si shumë, ndaj lutem të më falni. Ta zëmë se Presidenti tashme i dalë nga Shtëpia e Bardhë, Obama, do tentojë t’i japë mend pasardhësit, fitimtarit, Presidentit Trump, ky i fundit , si do të veprojë?Trump ka gjasë t’i përgjigjet:

“Thuaj thuaj… mer briskun e ma rruaj”.

Më duket se me këto që thashë, për Hasanin, për gjyshen, për presidentët e SHBA-së, në mos e teprova, prapë me përplasjen për mbijetesë të brezave,
… sikur e zgjata.
Ndaj… po pushoj pak.

Please follow and like us: