Albspirit

Media/News/Publishing

Stalini-liderit jugosllav: Gëlltiteni Shqipërinë, sa më parë, aq më mirë

 

Lind thirrja “Tiranë-Beograd!” “… Një vit më vonë, më 23 qershor, Enver Hoxha erdhi në Beograd për vizitë zyrtare. Ai u ndje fort i përkëdhelur kur pa se në aeroport kishte dalë vetë Tito për ta pritur. Nga ana e tij, Tito po bënte një sforcim shumë të madh – çka megjithatë dukej se ishte mirë që po ndodhte kështu – për t’i treguar se takimi ishte midis të barabartëve. Në thelb ajo ishte një vizitë e ngrohtë dhe miqësore, shkruan Panorama. Anëtarët e qeverisë u pritën prej funksionarëve jugosllavë në nivel barazie dhe përgjegjësie, të cilëve u ishte besuar detyra e stabilizimit të marrëdhënieve të punës dhe të mikpritjes. Me disa, besoj dy ose tre, u mora edhe unë.

Motra ime Milka, e cila kishte qenë në lidhje me shqiptarët në Kosovë gjatë luftës, bënte përkthyesen, e këtë, miqtë tanë do ta vlerësonin si një shenjë të veçantë afërsie. Marrëdhëniet midis dy vendeve në vitet e para të mbasluftës ishin të tilla, saqë të gjithë ishim të bindur se do të arrihej në një bashkim politik dhe ekonomik, por duke respektuar veçoritë kombëtare dhe etnike. Nuk mund të ushqenim iluzione të tilla me demokracitë e reja popullore, ndoshta – dhe vetëm disi spontanisht – me përjashtim të Bullgarisë.

Këto shtete nuk kishin përjetuar një revolucion; ato kishin qeveri koalicioni dhe më tepër shqetësoheshin për pavarësinë e tyre formale sesa të një “internacionalizmi”. Duke munguar, megjithatë, pengesat ideologjike dhe emocionale, çka shpesh i bënin të vështira marrëdhëniet me Bullgarinë dhe Shqipërinë, prapëseprapë marrëdhëniet tona me ta ishin më të qëndrueshme dhe më të hapura”, shkruan Milovan Gjilas. E vërteta është se pritja e delegacionit shqiptar ka përmasa gjigande në të gjitha kahet që ta marrësh. Në aeroport ka dalë vetë Tito me ushtrinë e krerëve të tjerë: nga të famshmit Mosha Pjade e deri te Koça Popoviç. Spektakolare është ndërkaq, pritja rrugëve të Beogradit, ku vargu i gjatë i veturave e shndërron kryeqytetin jugosllav në një festë madhështore të mijëra e mijëra njerëzve dy anëve të rrugës. Në makinën e parë Enveri dhe Tito, në të dytën apo të tretën e të tjerat “duetet” nuk ndalin njëri mbas tjetrit: Myslym Peza me Stanoje Simiçin, Bedri Spahiu me Koça Popoviçin, Manol Konomi me Frolin, Nako Spiro me Boris Kidriçin, Nesti Kerenxhi me Aleksandër Rankoviçin, Manush Myftiu me Vukmanoviç Tempon, Vasil Konomi me Velebitin, Hysni Kapo me Josip Gjergjën, Sadik Bekteshi me gjeneral Djuriçin! Si të ishin dyshe kampionësh olimpikë, që i presin po në vetura të hapura sot shtetet fitimtare të olimpiadave. Është një karusel i padëgjuar veturash rrugëve të Beogradit me këto dyshe që të duken vërtet fantastike për kah artificialitetit dhe pompozitetit të një miqësie në zenit, pa menduar askush se sa shpejt do të vinte rënia. Ky është çasti kur përveç parullave të njohura, shpërthen edhe ajo më “origjinalja”, që kurrë nuk është përmendur në Shqipëri: “Tiranë – Beograd!” Është një eufori e pafund.

Nga Serbia në Slloveni e Kroaci, kur për Zagrebin shkruhet se Enver Hoxha është pritur deri prej 150.000 qytetarësh kroatë! Çka do të kulmojë me ceremoninë pompoze të nënshkrimit të të ashtuquajturit “Paktit të miqësisë dhe ndihmës reciproke” dhe me kulminacionin e 26 qershorit 1946 të dhënies Enver Hoxhës të titullit “Hero i Popujve të Jugosllavisë”. Ndërkaq, në gjithë këtë eufori të pamat veçohen dy sensacione të tjera: që nuk përmendet askund Kosova, të cilën as që ia propozojnë Enver Hoxhës ta vizitojë. Dhe tjetra që ka të bëjë me historinë e gazetarisë shqiptare, kur më 2 korrik 1946, ditën e kthimit të delegacionit dhe të mitingut në Tiranë, gazeta “Bashkimi” boton dy numra: një të mëngjesit dhe një të mbrëmjes! Kjo nuk kishte ndodhur dhe nuk ka për të ndodhur asnjëherë më në historinë e Shqipërisë. NGA “BASHKIMI” JUGOSLLAVI – SHQIPËRI, TE PRAGU I KONFLIKTIT Shkruan Milovan Gjilas: “Konfliktin do ta nxisnin divergjencat midis politikës jugosllave dhe asaj sovjetike në lidhje me Shqipërinë. Ende edhe sot në Beograd dhe në Tiranë, këto marrëdhënie të Mbasluftës janë objekt i interpretimeve të ndryshme ose kundërshtuese, çka vjen prej qëndrimeve të ndryshme, simbas interesave po të ndryshme ideologjike kombëtare që mund të merren me mend.

Thuhej shpesh se Beogradi e trajtonte Tiranën ashtu siç trajtonte Moska Beogradin. Ishte një paralele shumë e thjeshtësuar dhe sipërfaqësore. Problemi ishte shumë më kompleks. Për aq sa di dhe për aq sa kam mundur të mësoj prej dokumenteve të botuara në Jugosllavi, marrëdhëniet ekonomike që ekzistonin midis dy vendeve përngjasonin vetëm në vija të trasha me ato që ekzistonin mes Bashkimin Sovjetik dhe vendeve të Europës Lindore. Për shembull, në të dyja rastet ishin krijuar shoqëri me kapitale të përbashkëta. Por, faktet tregojnë se Jugosllavia i jepte Shqipërisë më shumë nga çka përfitonte. Nëpërmjet shoqërisë së përbashkët, Jugosllavia ndërtoi hekurudhën Durrës – Peqin, po ashtu dhe disa fabrika të vogla, ndërkohë që kishte dhënë kredi deri në dy bilionë lekë (40 milionë dollarë).

Nga ana tjetër, Shqipëria ishte furnizuar me sasi të konsiderueshme gruri kur më 1946- n qe goditur nga thatësira, ndonëse edhe vendi ynë tepër i drobitur nga lufta, përjetonte mungesa të shumta të prodhimeve për nevojat më fillestare. Kjo marrëdhënie ekonomike e kushtueshme dhe e pabarabartë për ne, zhvillohej në këto kushte vetëm sepse, mbas mbarimit të luftës, drejtuesit kryesorë të Shqipërisë dhe të Jugosllavisë kishin nëpërmend bashkimin e dy vendeve në një Shqipëri, e cila do të bëhej republikë e shtatë jugosllave, një republikë që do të përfshinte edhe rajonin e Kosovë- Metohisë me shumicë shqiptare”. E ndërkaq, po papritmas shfaqet Gjilas, që vazhdon me shtjellimin e tij që deri më sot nuk e kishim hasur askund. Ai shkruan: “Kështu shpresohej se mund të zgjidheshin më mirë çështjet territoriale dhe të mbylleshin paragjykimet kombëtare (nacionale). Edhe pse shoqëritë e përbashkëta dhe tregtia bëheshin rregullisht falë marrëveshjeve kontraktuale, konteksti i përgjithshëm justifikohej nën dritën e këtij bashkimi politik. Për këtë arsye marrëdhëniet me Shqipërinë nxiteshin prej një altruizmi dhe bujarie. Në praktikë ne e konsideronim atë një republikë tonën të pazhvilluar. Por kjo ishte e papranueshme për popullin shqiptar, pavarësisht se shpirti i pavarësisë dhe ndenja e identitetit kombëtar për këtë popull nuk ishin kaq thelbësore”. Këtu Gjilas, duket se rrëshqet, ose është disi i paqartë a i nxituar, kur dihet se ai e kishte ngritur lart shpirtin kombëtar të shqiptarëve. E ngatërron koha, politika e udhëheqësve shqiptarë apo nxitimi?… Dhe nga nëna ai nuk është malazez. “Për hir të së vërtetës, – ka shkruar Gjilas fjalë për fjalë, – nëna ime nuk ishte malazeze… Gjyshi im nga nëna Gavro Radenovi?i ishte nga Plava, fshati Meteh, çka prej ku familja e tij quhej Meteshani (Metešani). Kur zemërohej babai im, afirmonte se fisi Radenovi?i – Meteshani ishin shqiptarë”. Shkruan Milovan Gjilas: “Asokohe marrëdhëniet jugosllavo – shqiptare nuk kishin mbërritur ende në trysninë e çështjes së Kosovë – Metohisë.

Udhëheqjet e të dyja vendeve e kishin marrë qëndrimin në favor të bashkimit, përderisa problemi i këtij rajoni kufitar do të zgjidhej në mënyrë natyrale me përfshirjen e tij në bashkimin federativ shqiptar. Në këtë vështrim, ne kërkonim të maskonim njëlloj kontradikte jo të ndryshme nga ajo e propozuar prej bullgarëve për formimin e Federatës bullgaro-jugosllave, me përfshirjen e rajonit të Pirinit si pjesë e Maqedonisë. Drejtuesit shqiptarë nuk përqendroheshin këtu, por problemi po tensionohej, ose të paktën ndihej disi në mënyrë të pavetëdijshme, sidomos më mbas, kur marrëdhëniet me ne nisën të prisheshin”.

GJILAS DHE RASTI TRAGJIK I NAKO SPIRUT

Shkruan Gjilas: “Më 1947, sidomos andej kah fundi i këtij viti, lidershipi sa vjen dhe e shton impenjimin e tij ndaj Shqipërisë në fushën ekonomike, politike e ushtarake. Çka ngjet falë iniciativës së Titos dhe në sajë të drejtimit mbikëqyrës të tij. Specialistët jugosllavë punonin për të transmetuar përvojat tona të partisë, si dhe për ushtrinë shqiptare e për të bashkuar në një dy ekonomitë. Nga ana e tyre, shqiptarët dukeshin se po u përshtateshin zhvillimeve të tilla. Federata me Jugosllavinë përfaqësonte trashëgiminë ende të gjallë të socializmit ballkanik, e përforcuar tejet nga përvoja më e fundit e luftës dhe rezistencës ndaj trysnive perëndimore. Por ndërkaq, qeveria sovjetike nuk tregonte asnjë entuziazëm për një bashkim të mundshëm të dy vendeve. Andej kah fundi i vitit 1946, ambasadori Sadchikov kishte shprehur rezerva për traktatet e aleancës jugosllavo – shqiptare dhe i kishte kërkuar Shqipërisë që të reflektonte mirë për çka po bënte. Ndërkaq, më 1947 kishin dalë në dritë kundërshti të forta për çështje të karakterit ekonomik. Nako Spiru, asokohe përgjegjës për politikën ekonomike, shfaq kundërshtime për marrëveshjet e ndihmës reciproke të firmosura më 1946. Një delegacion i kryesuar prej tij vjen në Beograd për ta diskutuar këtë problem.

Please follow and like us: