Vatikan 1968, kur meshohej shqip për Skënderbeun
Vatikan 1968, kur meshohej shqip për Skënderbeun. Kronika e plotë e aktiviteteve të përkujtimit të 500-vjetori të vdekjes së heroit tonë kombëtar në Romë
Nga Avni Dani
Katër ditë aktivitete përkujtimore. Nga 25 deri më 27 prill 1968, të gjithë shqiptarët e mërguar, pa mundësinë për të qenë në vendin e tyre, të mbyllur nga diktatura komuniste, kanë zgjedhur Romën për tu bërë bashkë, në përkujtim të 500 vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbej. Aktivitetet që do të kulmojnë me një audiencë që jep Papa Pali VI, kanë qenë një shfaqje bashkimi dhe dhimbjeje sigurisht.
Njerëzit më të shquar të mërgatës shqiptare duke filluar nga Dhimitër Beratti, firmëtar i Shpalljes së Pavarësisë, Ernest Koliqi, Antony Athanas e deri tek më i riu prej tyre Martin Camaj, do të marrin pjesë në aktivitetet e shumta të Romës.
Kronikën e hollësishme të këtyre ngjarjeve e ka sjellë historian i njohur Karl Gurakuqi me një shkrim të gjatë në Revistën Shejzat që botohej po në Romë.
Revista atë vit ka mbajtur një kopertinë të posaçme me shqiponjën e Skënderbeut, punuar nga at Vincens Malaj. Në vijim është i plotë shkrimi i zotit Gurakuqi për katër ditët e aktiviteteve në Romë e Vatikan.
PESËQINDVJETORI I SKANDERBEUT NË ROMË PAPA U FLET SHQIPTARVET
NGA KARL GURAKUQI
Mbas katër ditësh të qëndrimit t’onë në Romë, ku morëm pjesë në kremtimet e shkëlqyeshme qi u zhvilluan në nderim të 500 vjetorit të vdekjes së Fatosit t’one kombëtar, kthyem nëpër vendet t’ona të mërgimit me përshtypjet ma të bukura, të ngjalluna në shpirt, me mbresat ma’ të thella, të cilat vonë e vonë do të shlyhen nga mendja e nga zemra. Kapërcyem prej njij mallëngjimi në tjetrin, prej nji malli në tjetrin. Nuk asht turp të thomi se n’ato ditë i kemi pasë syt të rimë, të njomun prej lotësh, tue vrejtë shqiptarët e mërguem, pa plang e pa shtëpi, qi pa dallim partije e krahine, përpiqeshin, kush ma shum e kush ma pak, për të dhanë ndihmesën e vet në shkëlqimin e kremtimevet. Kishin ardhë Shqiptarët e Gjergj Kastriotit në Rome nga të gjitha anët e botës së lire, nga qytetet e ndryshme italjane, nga Franca, nga Gjermanija, nga Belgjika, edhe nga Amerika e largët. Arbreshët e Italis ishin të përfaqsuem me shumicë të madhe, me vajzat e veshuna me kostumet kombtare. Në këtë mori njerzishna ka lanë nji mbresë të pashlyeshme nji shqiptar i shtym në mot, i penguem në nji anë të trupit, i cili nuk kishte dashtë të ndahej shokësh. “Kam ardhë prej së largu, kam dishrue të marr pjesë në këto çfaqje — tha miku i ynë Tahir Zajmi, gadi si t’i mirrej goja — pse nuk e dij a thue do të kemë ndonji herë tjetër nji rasë kaq të gazmueshme si këtë të ditvet të sotme”!
Cili kje Ai qi i bashkoi kështu shqiptarët e shpërndamë në të katër anët? Kush i përmblodhi bijt e shqipes nën hijen e Flamurit? Kje Ai qi në kohët e shkueme, në ditët e vjetit 1444, pat bashkue princat shqiptarë për t’i ba ball anmikut qi ishte te dera e shtëpis; Ai qi dijti të bajë “Lidhjen e Krenvet” nën kryesin e vet, të pranueme nga të gjith pa përjashtim. Ai, n’emnin e të cilit, u mblodhën ushtarët arbnorë, në krye të cilvet korri fitoret e 25 vjetve kundra nji ushtrije 100.000 vetësh, nën komandën e vetë Sulltan Muratit. Ai qi dijti të përmbledhë 12.000 Shqiptarë, të zotët e armvet, për të mbrojtë kufijt e Atdheut kundra sulmevet t’ushtrivet otomane. E pra mjetet e tija ishin të vorfna, dhe ndihmat nga jashtë, të pakta!
Emni i Skandërbeut jetoi dhe jeton i gjallë pranë arbreshvet të Italis, të cilët, edhë pse shum prej tyne e kanë harrue gjuhën shqipe, Gjergj Kastriotin e kane në mend e në zemër, nuk gjindet shesh apo rrugë në fshatet arbreshe qi mos të jetë pagzue n’emnin e Tij. Kjo kje arsyeja qi edhë banorët e këtyne katundeve vrapuen të shoqnoheshin me shqiptarët e mërgimit për të kremtue bashkarisht në Romë Fatosin Kruetanë. Simbas programit të paracaktuem, kremtimet u zgjatën katër ditë të plota, me çfaqje të ndryshme.
24 PRILL 1968 – CEREMONIJA FETARE NË “SHËN PJETËR”
Kremtimet filluen n’orën 10 të ditës 24 prill. Grumbuj-grumbuj shifeshin kremtimtarët nëpër rrugat e Romës, qi synojshin Sheshin e Vatikanit, pranë Obeliskut, qi ishte shënue si pikëpjekje. Prej këndej, urtisht e në rregull, u drejtuen për në Kishën e Shën Pjetrit. Këtu, n’altarin e Kathedrës, stolisë e zbukurue posaçisht, u këndue Mesha Pontifikale në ritin bizantin, por në gjuhën shqipe, nga të tre Prelatët e Arbreshvet, Emzot Zef Perniciaro, epishkop i Arbreshvet të Sicilis, Emzot Gjon Stamati, epishkop i emnuem tash së voni, Administrator Apostolik i Ungrës (Lungro) se Kalabris, dhe Emzot Theodor Minishi, Arhimandrit Ordinar i Grottaferrata-s afër Rome. Jehona e kangvet kishtore bizantine, të këndueme nga nxansit e Kolegjës Papnore Greke, të përgatitun e të drejtuem nga Basilio Blaiotta, shperndahej me kumbime të kandeshme në hapsinën e madhe të Kryekishës së Krishtënimit. Asht e para herë qi në Kishën e Shën Pjetrit këndohet mesha në gjuhën shqipe. Rrethi “ItaloArbresh BESA” u kishte shpërnda besnikvet Iibërthin e Liturgjis së Shnjon Gojartit me përkthimin arbrisht dhe italisht, kështu qi patëm mundësin të ndjekim ceremonit fetare.
Në mes besnikvet, në vendet e para, kishin zanë vend Ndritësit e Tyne Kardinali Maksimiljan de Furstenberg, Prefekt i Kongregacjonit të Shejtë për Kishët Lindore Pietro Agagianian, Prefekt i Kongregacjonit të Shejtë për Unjillzimin e popujvet. Kemi mujtë me vrejtë, ndër sa e sa të tjerë, Principe Ferdinando Castriota-Scanderbeg më Zojën e Motrën, Shkëlq. e Tij Dhimitër Berattin, prof. Nexhat Peshkëpin si përfaqësues i Komitetit “Shqipnija e Lirë” në Neë York, on. dr. Rozolin Petrotën me Zojën e me të birin Turi, At Zef Valentinin, Prof. dr. Comm. Giovanni Lala-Comneno më Zojën, Gjen. Zef Serreqin, dr. Renato Marchiano, prof. Agostino Mattarello, prof. Giuseppe Schiro jr., prof. Ernest Koliqin me të shoqen, Zojën Dudush Këlcyra, prof. Namik Ressulin me të shoqen e të bijën, dr. Nicola d’Alena me Zojën, major Rrok Nallbanin dr. Vehbi Frashërin, dr. Ragip Frashërin, dr. Ismail Vërlacin, dr. Albino Greco, drejtor i Revistës “Zgjimi”, prof. Abaz Ermenin, Vasil Andonin, Zef Palin, Sulejman Meçon, Halil Maçin, Kap. Ndue Gjomarkaj me zojën, dr. Luigj Zangën, prof. Martin Camajn, z. Ahmet Bej Ressulin, Z. Nexhmedin Vrionin, z. Ekrem Telhajn, prof. Giuseppe Gradilonen, Comm. Omer Fortuzin, z. Asllan Zenelin. rag. Lin Shkrelin, At Eleuter Fortino-n, prof. Adele Salernon, piktorët Ibrahim Kodra e Lin Delija, z. Ismail Sefën, z. Seit Demneri me zojën nga Australija, z. Nikoll Shkozën, dr. Gaspër Serreqin, dr. Ismail Boçarin, dr. Petro Vuçanin, Z. Nos Qirjakun, Z. Albert Akshin, z. Lec ShIlakun nga Franca, dr. Tommaso Plescia me zojën, prof. Nino Guzetta nga Palerma. Nuk mungojshin priftnit dhe fretnit shqiptarë, qi jetojnë në mergim, Don Prenk Ndrevashaj, At Daniel Gjeçaj, At Jak Marlekaj, At Ambroz Martini, At Paulin Margjokaj, At Vinçens Malaj, etj. etj, qi nuk na kujtohen emnat. U Iypim prandej ndjesë. Nuk lipset vec; të harrohen Kryetari i Vatrës z. Anthoni Athanas me zojën Esther, Kryetari i Nderit z. Christo Thanas, manageri i Diellit z. Peter Chicos me zojën Nikolina, prof. Nelo Drizari, dr. Selahudin Velaj, dr. Hamdi Oruçi, z. Adem Hodo.
Gjysëmterri i Kishës, njollat e tvmit të kemit (thimjamës), melodit bizantine, na banë të tresim në mendime, mendja jonë fluturonte atj larg në Shqipni, na u përfytyrojshin kishat e rrënueme e të djeguna, shërbtorët e Perëndis të përndjekun, të vramë, të pushkatuem, kalbun nëpër burgje, të tallun e të nëpërkambun, të shamë e të pështymë, të dëbuem nga shtëpijat e kuvendet. Na dilshin përpara vuejtjet e të pafajshëmvet, lotët e nanavet të mbetuna pa djelm. Shifshim Atdhën në futa të zeza!
N’INSTITUTIN LINDUER PAPNUER LIGJËRATA E PROF. Z. VALENTINIT
N’orën 5 të mbasdrekës të ditës 24 prill, të ftuemit u mblodhën në Aula Magna t’Institutit Papnuer për të ndigjue konferencën e prof. Zef Valentinit. Salla e madhe ishte plot e përplot, shum vetë ishin të detyruem të rrijshin në kambë. Përpara se të fillonte konfe renca e At Valentinit, u përurue ekspozita ikonografike kastriotjane, organizue nga Insiituti i Studimevet Shqiptare t’Universitetit të Romës, përgatitun nga frati i ri At Vinçens Malaj, nën drejtimin e prof. Ernest Koliqit. Ekspozita përfshinte riprodhime fotografike botimesh mbi Gjergj Kastriotin, tituj të këtyne botimeve dhe kostumesh të kohës së Skanderbeut.
E kryesonte mbledhjen i ndritshmi dr. Rozolin Petrotta, kryetari i Oendrës Ndërkombtare për Studimet Shqiptare pranë Universitetit të Palermës: në tryezën e kryesis kishin zanë vend prof. Ernest Koliqi, dr. Antonio Cortese, përfaqsues i Komitetit për kremtimet e Romës, dhe prof. Karl Gurakuqi.
Ligjëratari përshkroi ma së pari gjendjen politike të Shqipnis në shekullin XV. Fjala e oratorit të shquem peshon shum, pse ky, gjith jetën e vet, qysh prej asaj kohe që vuni kamben në Shkodër, e deri sot, gadi 70 vjeçar, nuk ka ba tjetër veç të hulumtojë historin t’onë në dokumentat e arkivavet italjane të Romës, të Napolit e sidomos Venedikut. Janë të freskëta botimet e tija në gjashtë vëllime mbi ket argument me randësi. Valentini asht italjan por ka zgjedhë si atdhe të dytë Shqipnin, të cilën e ka shum për zemer. Shum prej atyne qi morën pjesë në çfaqjet e pesëqindvjetorit,shqiptarë edhe të huej, pyetshin në se ky kishte le në Shkodër, mbasi edhe të folmen e ka shkodrane. Binte në sy interesimi i tij qi çdo gja të zhvillohej mirë e mbarë, i kishin dalë kambë të reja, kudo ishte pranë me këshilla e me udhëzime. Vetë Shejnia e Tij Papa Pali i VI, n’audjencën qi më 25 prill u dha shqiptarvet, tue u sjellë drejt At Valentinit, pati fjalë lavdije përsa ban dhe ka ba për Shqipni: “Avete qui — tha Shejtnija e Tij — il Padre Valentini che io conosco da molto tempo, quando non aveva quella magni fica barba. Egli ha tanto lavorato per qttesto centenario e per tutte le cose albanesi e voi dovete volergli bene e ascoltare i consigli che egli nella sua saggezza vi da”. Po, na e duem Valentinin dhe i jemi mirënjoftës për shërbimet e çmueshme qi i ka ba Atdheut tonë. Valentini e don Shqipnin si t’ishte bir i tokës së saj; edhë na e duem atë, dhe e kundrojmë si nji të fisit t’onë. Valentini e vijoi konferencën dhe gjindja e ndigjonte me vëmendje. Ndërmjet të tjeravet përmendi gjendjen kulturore të Shqipnis në kohën e kalueme, tue thanë se “Shqipnija ka qënë pjesësisht latine me kulturë e me mënyrë jetese, pjesërisht greke, por me gjith këtë, qysh prej kohës së vjetër ka shkue me Patriarkatin e prendimit; nuk ka ba kurr pjesë me Patriarkatin e Stambollit…”. “Kërcnimi turk — vijoi At Valentini — e bani të nevojshme ndihmën prendimore dhe përkrahjen papnore. Qytetet bregdetare të Shqipnis, me përjashtim të Vlonës, kishin të gjitha kulturë latine; ishin të Iidhuna me Italin me anë shkëmbimesh tregtare. Nuk ndryshojshin nga qytetet italjane në frymën e n’organizimin fetar”.
Mbas kësaj parathanjeje, të cilën na e sollëm këtu shkurtimisht, oratori nisi të flasë për Gjergj Kastriotin: “ndërmjet faktevet historike, qi çdo shqiptar i njef clhe i din, lajmi se Skandërbeu kishte mohue fen katholike, tue rrokë atë muslimanen, asht i dyshimtë. Ky lajm ka rrjedhë, ndoshta, nga zakoni i atëhershëm të përdorej fjala “turk” në daç në pikëpamje politike, në daç edhë në pikëparnie fetare”.
“Thohet se nji tërheqje strategjike e ushtris turke kishte shkaktue thyemjen e Turqvet në Nish në vjetin 1443. Skanderbeu, tue përfitue nga kjo rrëmujë e ushtris otomane, i solli shpinën Sulltanit e me shpejti të rrufeshme ia behi në Krujë, shtini në dorë kështjellin e forcuem t’atij qyteti. Prej kësaj kohe fillon fushata epike, e palodhëshme, e mbrojtjes s’Atdheut, për të cilën meritoi titullin “Fatosi Kombëtar i Shqipnis”. Fitoret e tija të njimbasnjishme, pa pësue kurr thyemje, i hapën zanin në krejt Europën, e cila mrekullohei për guximin dhe trimnin e këtij Princi të vogël kundra kolosit turk. Sulltanat e asaj kohe synojshin pushtimin e Europës Qendrore nëpërmjet fushës hungareze, qi kundrohei “Porta e Europës”; luftimet patën përfundime herë të mira herë të këqija, por nuk ia dolën qëllimit, pse përbri asaj Porte gjindej nji rojë e fortë, e cila u priste rrugën nozullimevet : Skanderbeu me Shqipnin e vet.
“Skandërbeu u ba “Mbrojtësi i Europës”: Europa me ket titull e njofti dhe ia tejtoi historis. Prej kohës së Skandërbeut e deri në ditën e sotme — vijoi Valentini — botimet kushtue Kastriotit, gadi në të gjitha gjuhët e Europës, janë po thuej katërqind: fat i vetëm për cdo burr të madh lufte, dhe i rrallë për burrat ma të mëdhaj të cdo kohe”. Oratori i shquem foli plot nji orë. Do të na pëlqente me rreshtue gjitha sa tha, por, mjerisht, nuk mërrijtëm të marrim shënimet e duhuna. E mbylli konferencën tue vizatue gjanë e gjatë marrëdhaniet e Skandërbeut me Vatikanin. Për këto Fatosi kishte si ndërmjetës shum kishtarë të shquem, ndër të tjeret Priftin humanist Gjon Gazullin, abatin protonotar apostolik Gjergj Pelinjin, argjipeshkëvin Pal Engjellin e Durrsit, etj. prelatë plot urti. Papa Kaliksti i III pat mërrijtë me thanë se “meritimet e Skandërbeut kapërcejnë ato të të gjith princave të tjerë të krishtenë”. Shofim se ky Papë e nalton Fatosin shqiptar me titujt ma përkëdhelës, tue e quejte “Kalorës i Krishtit”, “Athlet i Perëndis”, “Athlet shum i forte”, “Kalorës i pathyeshëm”, tue folë për të e për fitoret e tija, e cilson “burr me nji madhni të pabesueshme shpirti”. Nuk asht pra për t’u habitë — përfundoi Valentini — se Skanderbeu radhitet në listën e princavet katolikë, të renduem gjatë ballit mbrojtës toksuer të krishtënimit, me mbretenit e Hungaris e të Bosnjes. Kaliksti i III dërgoi tek Skandërbeu Gjon Navarron, qi ishte nji ndër keshilltaret ma besnikë e ma të zotët, për të vendose bashkarisht planet e luftimit e të ndihmavet ushtarake”.
Mbas konferences qi u prit me duartrokitje të papreme, u radhitën në të dyja anët e Kryesis vajzat arbreshe, ato të Sicilis dhe ato të Kalabris. Këto i kënaqën të pranishmit me kangët e tyne arbrisht, shum të bukura e shum mallëngjyese. Grupi i Arbreshëvet të Sicilis drejtohej nga At Sofron Prençe, kurse ai i Kalabris kishte si udhëheqës Papas Emanuel Giordano-n. E nderuen këtë mbledhje kremtore Ndritsija e Tij KardinalI Ildebrando Antonioni, Shkëlqesa e tij Gaspare Ambrosini, ish kryetar i Oborrit Kushtetues, misa të Komitetit të nderit dhe të tjera personalitete civile e fetare. Ndritsija e Tij Kardinall A. Cicognani, Sekretar i Shtetit të Sh. se Tij Palit të VI kishte dërgue nji telegram pjesëmarrjeje, qi u lexue në sallën e Konferencës.
25 PRILL 1968: SHQIPTARËT PRITEN NYA PAPA PALI I VI
Dita e dytë e çfaqjevet Kastriotane qe ajo ma e shënueshmja. Qysh në mëngjes shqiptarët dhe arbreshët nisen të mblidhen në Sheshin e Shën Pjetrit, për t’u gjetë n’orën 10 gati për t’u paraqitë te Shejtnija e Tij Pali i VI. Në syt e të gjithvet shifej padurimi për të pa Shejtnin e Tij, për të marre bekimin apostolik e për të ndigjue fjalën atnore, qi na në përkthim po ua japim lexuesvet të Shejzave. Fjala e Papës u botue në fletorcn e Vatikanit “L’Osservatore Romatto” (Vjeti CVIII, Nr. 96, me 26 prill 1968, në faqen e parë) në tekstin italisht dhe shqip. Ky asht teksti:
“Bij fort të dashtun Shqiptarë!
Po ju sjellim nji mirëseardhje të veçantë në këtë ditë qi jenti mbledhun për të kujute Pesëqindvjetorin e Gjergj Kastriolit Skanderbeg, fatosit të kombit t’uej dhe t’emnit të krishtënë, pranë kësaj Selije Apostolike, të cilën mund t’a kundroni si shtëpin tuej atnore.
Na ju shofim me kënaqsi, pse e dijmë se shpirti me të cilin ju e kujtoni ketë ditë asht ai i gjithëmonshmi i fisit t’uej, i cili gjith herë mbi çdo interes ka vu vlerat e trashigueme të besës, te nderit e të burrnis (shënim : këto fjalë Sh. e Tij i tha në gjuhën shqipe).
Fatosi Skandërbeg ka qenë, personifikimi i gjallë i këtyne cilsivet, ai ju ka lanë si trashigim, bashkë me miqsin e miqvet të vjetër t’Atdheut t’uej, ndër të cilët kjo Seli Apostolike gëzohet se ban pjesë, mbasi e numron veten ndër ata qi kurr s’i dolën fjale. Këto virtyte Gjergj Kastrioti ju a ka Ianë në rojë e trashigim të shejtë n’Atdhe dhe në mërgim.
Dhe në qoftë se historija ju ka pa të shtypun e të shpërndamë, mirsija e Zotit ka premtue qi ju, me të gjith misat e gjakut t’uej të shprishun (shënim: Papa e tha shqip ketë frazë), me veprimtarin e gjallë qi e keni në shpirt, dhe me njohunit të fitueme, u batë urë miqsish e bashkëpunimesh, dhe në këtë mënyrë jeni ba parardhësit e ekumenizimit modern.
Urimi i Ynë në ketë rasë pra për ju e për lë gjith shqiptarët të jetë qi vuejtja të shoqnohet gjithmonë nga shpirti i juej kreshnik, qi keni trashigue nga të Parët. Uroj qi të japë mundësi dhe meritim qi të jeni element kuptimi dhe paqeje ndërmjet fisesh e gjuhësh të ndryshme.
Këso dore do të sendërtohet testamenti i Skanderbeut, dhe Atdheu i juej do të shkëlqejë me meritime të reja, Atdheu i juej të cilin Na e kemi aq fort për zemër dhe qi e bekojmë me dashuni atnore”.
Mbas kangës së “Besojmës” dhe mbas bekimit apostolik, Shejtnija e Tij u dha të pranishmëvet dorën për t’a puthë, tue pranue si dhuratë vëllimin e Kangvet popullore shqiptare të Zef Skiroit dhe nji botim mbi mostrën artistike bizantine, qi pat qenë ba në Pjanën e Arbreshvet të Sicilis. Fill mbas audjencës së Papës, shqiptarët u mblodhën n’oborrin e Pallatit të Kongregacjonit të Shejtë për Kishnat Lindore për t’i ba nji vizitë Kardinallit të ri Prefekt, i cili zbriti n’oborr i shoqnuem nga Shk. e Tij Mario Brini, sekretar i Kongregacjonit dhe nga Emzot Giampietro Pozzi. Shk. e Tij Emzot Zef Perniciaro i paraqiti Kardinallit grupet e shqiptarvet. Ndritësija e Tij Kardinali Maksimiljan de Frstenberg u drejtoi të pranishëmvet fjalë mirëseardhjeje. Grupet në kostumet kombtare kënduen kangë liturgjike dhe kangë popullore.
25 PRILL 1968: TE PËRMENDORJA E SKANDËRBEUT
Roma e Cezarvet dhe e Papvet ka ruejtë kujtimin e Gjergj Kastriotit, tue i kushtue nji rrugë dhe tue vu në kambët e Kvirinalit, nji përmendore, plot kuptim, po të mirret parasysh se sa gja e rrallë ishte atëherë në Romë të përjetsohej në ndonji shesh ndonji njeri qi mos t’ishte personalitet me emën, nji peranduer, nji Papë, nji Kardinall, nji burr shteti me meritime shum të nalta.
Në mbasdrekën e ditës 25 prill, rrugët e Sheshit “Albania”, ku naltohet përmendorja e Skanderbeut, vlojshin nga shqiptarë dhe arbreshë, qi grumbuj-grumbuj vrapojshin te kambët e kalit, mbi të cilin krenare ishte fytyra e Kastriotit me shpatë në dorë. Kur Sheshi u mbush me gjind, nënkryetari i Komitetit të Romës për kremtimet kastriotjane, prof. Giovanni Lala Comneno, vendosi te kambët e monumentit nji kunorë, qi e barshin dy djelm e dy vajza në kostumin shqiptar. N’emnin e Kryetarit të Bashkis së Romës, i dha gjindes përshëndetjen e qytetit, adv. Franco Rebecchini, Asesor i kulturës dhe i artevet të bukura, me nji ligjeratë plot zjarm e dashuni. Mbas këtij, u ba përkujtimi zyrtar nga ana e Kryetarit të Komitetit Qendruer për kremtimet në Romë, i përnderueshmi Gennaro Cassiani, arbresh nga Kalabrija. Ky u solli fjalën të pranishmëvet, tue i elektrizue me shprehjet e veta plot enthuzjazëm. Fjala e tij e rrjedhëshme, sikurse e ka zakon, vuni në dukje trimnit e Fatosit, Iuftat e tija për t’u ba‘ ball sulmevet të rrebta t’ushtris turke, qi kishte vendosë, jo vetëm të shtronte Shqipnin por të kalonte edhe ma përtej, në qendër t’Europës. Shkëlqesa Cassiani dijti të përkujtojë bukur e mirë periudhën e lumnueshme kur Shqipnija gëzonte lirin nën hijen e Kreshnikut të vet. Duertrokitjet ushtojshin Iarg e larg, shum vetve u rridhshin lotët. Skandërbeu, edhe mbas vdekjes, i bashkoi shqiptarët ku janë e ku nuk janë, të çdo krahine e të çdo rryme politike. N’emnin e Gjergj Kastriotit — tha ligjëratari i shquem — burrat e Rilindjes Kombtare, të krishtenë e muslimanë, u bashkuen dhe sendërtuen shtetin e ri shqiptar sot 58 vjet m’a parë. Menjiherë mbas ligjeratës së On. Cassiani-t, grupet folkloristike arbreshe ua thanë kangvet dhe vallevet, tue zgjue kudo admirim dhe enthuzjazëm.
MBASDREKË E DITËS 25 PRILL ÇFAQJA FOLKLORISTIKE N’ ANTONIANUM
Çfaqja madhështore folkloristike u ba n’Aula Magna të Antonianum në Viale Manzoni. Nji shumicë e madhe populli dhe autoritetesh e kishin mbushë sallën ku s’vete ma. Kjo çfaqje ka qënë ajo ndër ma simboliket; qëllimi i organizatorvet të kremtimevet ka pasë si synim: takimin vellaznuer në mes Arbreshvet të katundevet të ndryshme me ata të Romës, dhe ndërmjet italo-shqiptarvet dhe shqiptarve të mërguem. Atmosfera ishte e ngrohtë, fytyrat e të gjithvet ishin të gazmueshme dhe mezi c’pritshin me pa se shka kishte qënë përgatitë për atë rasë të jashtëzakonshme. U hap çfaqja me leximin e njij shkrese urimesh nga ana e Ndritësis së Tij Kardinali Sekretar i Shtetit i Shëjtnis së Tij Palit të VI.
E drejtonte çfaqjen prof. Nicola Mattino i Komitetit të Romës. Grupet folkloristike u paraqitën në palkun e madh të sallës simbasa kësaj radhe: Firmo (Kalabri), Ungër (Kalabri), Pjana e Arbreshvet (Sicili), Shën Sofija d’Epiro (Kalabri), Mbuzati (Kalabri), Frasnita-Ejanina (Kalabri), Shën Dhimitër Korone (Kalabri). Grupet ishin të përfaqsueme nga vajza e djelm të mveshun me kostumet e vendit të tyne.
Mbas secilës valle ase kangë, pjesëmarrsit kalojshin para zojavet Lala Comneno dhe Adele Salerno, të dyja të Komitetit të Romës, të cilat me njerzi u vejshin në krahnuer kokardën e Skanderbeut, nji shëjzë shum të bukur dhe artistike, qi paraqet kokën e Skandërbeut me përkrenaren e me mjekrrën valavitse, mbi sipërfaqen e së cilës janë shkrue këto tjalë: “GJ. K. SKANDERBEG – V QINDVJETORI, VDEKJES, ROME 1968”. Kjo kokardë prej metali iu shpërnda edhe publikut. N’emnin e Federatës VATRA, kryetari i saj Anthony Athanas, tha disa fjalë përgëzimi dhe falënderimi, tue u sjellë shqiptarvet t’Europës përshëndetjet e shqiptarvet t’Amerikës. Gjindja e duertrokiti vazhdimisht, si shej simpatije për Federatën VATRA. N’emnin e Komitetit Qendruer të Romës, prof. Nicola Mattino, tha pak fjalë falënderimi për të gjith të pranishmit, por sidomos për grupet e ardhuna nga Kalabrija e nga Sicilija; theksoi se mbarëvajtja e vërtetë e kremtimevet do t’i dihet ma së pari pjesëmarrjes së shumtë të shqiptarvet të mërgimit dhe t’arbreshvet nga kolonit e ndryshme.
26 PRILL 1968: NË GENAZZANO TE ZOJA E SHKODRËS
Organizatorët e çfaqjevet kastriotjane të Romës e të Palermës e kishin pa t’arsyeshme qi dita e mbrame e kremtimevet të mbyllej me nji ceremoni fetare në Genazzano, në Kishën e Zojës së Shkodrës, të cilën vendasit e quejnë edhe e Këshillit të Mirë. Zoja e Shkodrës nderohet nga të gjith shkodranët, pa përjashtim besimi; e kundrojnë si Pajtoren e qytetit qysh prej kohës së Skandërbeut, kur figurja e saj u shpërngul nga kisha bri Rozafatit e zuni vend në Genazzano, ku gjindet edhe sot. Qytetarët e Shkodres, gjithësaherë kalojnë nëpër Romë, nuk ikin pa e vizitue këtë Kishë, për me hjekë mallin e asaj të Shkodrës. Shqiptarët qi jetojnë në Romë, çdo vjet bajnë bashkarisht nji shtegtim deri te Fugurja e mrekullueshme e Bazilikës së Genazzano-s, para së cilës bijnë në gjuj për t’a lutë Nanën e Krishtit për Shqipni.
Simjet, ma fort se kurr, nji shumicë e madhe shqiptarësh dhe arbreshësh u gjetën pranë në Shejtnoren e Zojës së Shkodrës, të cilët u bashkuen n’emnin e Skandërbeut për të nxjerrë prej saj shpetimin e Atdhcut dhe mbarimin e vuejtjevet nëpër rrugët e hueja. Edhë këtu Shkëlqesit e Tyne, Emzot Perniciaro dhe Arhimandriti Theodor Minishi, i përcollën arbreshët e vet për të qënë pranë në meshën shqipe të thanun në ritin latin nga priftnit shqiptarë qi jetojnë në mërgim; ishte e para herë qi po thohej mesha në gjuhën shqipe, simbas përkthimit të “Mesharit”, ba nga Frati At Danjel Gjeçaj. Ky, gjatë meshës, iu suell popullit në gjuhen shqipe me nji fjalim të dalun nga nji zemër e djegun për Atdhë, tue iu Iutë Zojës qi të ketë mëshirë për të mjerin popullin shqiptar, mos t’a lëshojë dore në këto kohë të vështira. Fjala e At Danjelit la përshtypje të pashlyeshme, kaq sa nji zonjë shqiptare musulmane, ardhun nga Amerika për kremtimet e Skandërbeut, mbas meshe iu afrue Fratit e tue e urue për fjalët e bukura, i lëshoi në dorë nji dhuratë. Kemi vrejte Comm. Omer Fortuzin, qi fshinte lotët nga mallëngjimi; edhi ky dhe shum të tjerë e uruen Fratin shqiptar për fjalën e tij, qi kje si nji mjekim për zemrat e tyne të djeguna larg Atdheut e larg të vetvet. Me meshën shqipe në Genazzano morën fund kremtimet fetare dhe botore në nderim t’emnit të Kreshnikut kombtar, për t’ua Ianë vendin mbledhjevet shoqnore e miqsore.
Po me 26 prill, Kryetari i VATRËS s’Amerikës dha në Romë nji darkë miqsije në nji nga restaurantet ma të mirë të kryeqytetit, në te cilën ishin të ftuem ma se njiqind vetë shqiptarë dhe arbreshë. Nuk munguen fjalët e të grishunvet, plot enthuzjazëm, nuk munguen kangët kombtare prej të rijvet dhe prej pleqvet. Darka u mbyll me kangën e Hymnit të Flamurit.
ME 27 PRILL 1968: DARKA E PËRMBYLLJES
Në Grottaferrata. Në mbasdrekën e ditës 27 prill, Shoqata “Vatra e Arbreshvet” dhe shqiptarët e Romës organizuen nji shetitje në Liqenin Albano dhe nji vizite në Monasterin e Grottaferratas, ku Arhimandriti, i ndihmuem nga murgët e tjerë, pritën miqt, tue i gostitë me ambëlsina e me venë të zgjedhun, të bame me rrushin e Kuvendit.
Në restaurantin “La Foresta” u dha nji darkë për festarët e ardhun nga viset e hueja. Për këtë pritje u zgjodh nji restaurant tipik i rrethevet të Romës, në Rrugën e Liqejvet, restauranti “La Foresta”. Darka u zhvillue në nji atmosferë vëllaznore, me kangë e me fjalime të rasës. Folën At Valentini, Shkëlqesa Dhimitër Beratti, i cili, si i vetmi i tepruem nga ata qi morën pjese në shpalljen e Vetëqeverimit në Vlonë me 28 Nanduer të vjetit 1912, zhvilloi në gjuhën italishte, ngjarjet e atyne ditve qi i paraprijnë Ditës së Madhe. Janë sende qi shum shqiptarë i dijnë, por asht mirë qi të rijt t’i ndigjojnë nga goja e njij veterani të ndershëm. Përveç këtyne, foli edhë prof. Koliqi, i cili i drejtoi On. Petrotës miradin përsa ka ba qi kremtimet të dilshin me faqe të bardhë; prof. Giovanni Lala Conmeno, nënkryetar i Komitetit të kremtimevet, falënderoi të pranishmit për pjesemarrjen e tyne në çfaqjet e Romës.
Si përfundim, At Eleuterio Fortino, arbresh, sekretar i Komitetit të Romës, çfaqi mirënjoftësin kundrejt Komitetevet vendase, gjith atyne qi në ndonji farë mënyre kanë bashkëpunue për sendërtimin e kremtimevet, tue theksue se sidomos njerzit e kulturës në përgjithësi janë mbartësat kryesorë të shpirtit shqiptar. Me këndimin e Himnit të Flamurit u sosën kremtimet e Pesëqindvjetorit të Skanderbeut, qi do të mbesin të paharrueshme.
Përgatiti : Avni Dani, Tiranë – 22 Janar 2018
Burimi: Blogu Dars (Klos), Mat – Albania