Vizita sekrete e Che Guevarës në Tiranë, takimi me Mehmet Shehun dhe dashuria për konjakun “Skënderbeu”
Ish-ambasadori shqiptar në Kubë rrëfen vizitën e fshehtë të Che Guevarës në Shqipëri dhe takimin me ish-Kryeministrin Mehmet Shehu. Ata dy u vranë në rrethana të mistershme dhe e vërteta për ta as sot nuk është ndriçuar.
Ata u vranë për ta jetësuar maksimën: “Revolucioni i ha bijtë e vet”. Ata dy janë ende figurat më misterioze të revolucionit komunist në botë. Dhe, që të dytë vazhdojnë të mbushin faqet e shtypit jo vetëm në Kubë dhe Shqipëri… Telegrafi risjell kujtimet e ish-ambasadorit shqiptar në Kubë, Mihallaq Gjinikasi, dhënë para më shumë se 10 vitesh. Askush nuk e di që miti i revolucionit kuban, Che Guevara ka shkelur tokën e shqiponjave.
Për herë të parë, ish-ambasadori shqiptar në Kubë, Mihallaq Gjinikasi, rrëfen ardhjen e mistershme të Guevarës në Tiranë dhe takimin e tij me Kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehun. Rrëfen itinerarin e çuditshëm, takimet super të fshehta si dhe strehimi i tij në siguri të lartë, në vilat e pushimit në bregdetin durrsak.
Ish-diplomati tregon se udhëtimi i Guevaras kishte qenë shumë i gjatë. Ndërkohë, për të mbërritur në Shqipëri, i ishte dashur të maskohej në mënyra të ndryshme, në mënyrë që edhe prezenca e tij të mos vihej re. Në Shqipëri ai ka pasur një takim me kryeministrin e asaj kohe, Mehmet Shehu, me të cilin kanë folur më shumë për idetë revolucionare dhe gatishmërinë për t’iu bashkuar revolucionit.
Pas bisedimeve, ai është drejtuar për në vilat e Durrësit, ku edhe ka kaluar natën. Ditën tjetër ai është drejtuar për në Kubë, pa bujë dhe salltanet të rastit, siç ndodh rëndom kur priten dhe përcillen emra të veçantë të qeverive. Në dëshminë e Gjinikasit mbetet enigmë fakti përse kreu i atëhershëm i shtetit, Hoxha, nuk e ka takuar revolucionarin e madh, të cilin ai shpesh e ka përdorur si model të idealeve të tij.
“Për Ernesto Guevaran nuk dija shumë gjëra. Kisha lexuar diçka nga shtypi i huaj, nga i cili informohesha në mënyra krejt të ndryshme. Shtypi perëndimor e paraqiste si një figurë terroristi, gati-gati të çmendur, ndërsa shtypi i disa prej vendeve të Lindjes e jepte krejt ndryshe: e paraqiste si një mjeshtër të guerilëve, si një ndezës i shkëndijave revolucionare, si një revolucion shëtitës!…
Kisha marrë detyrën ta prisja në Tiranë. Ashtu bëra. Vizita e tij bëhej e fshehtë, sepse kështu ishte kërkesa e tij. Aq sa dija ose më saktë, aq sa mund të dija në atë kohë, kujtoja se Che Guevara ishte vërtet një revolucionar, por si të thuash, revolucionar i një tipi të veçantë. Afërsisht i atij formimi ishte edhe Fidel Castro…
Teksa e takova, në çastin që sapo mbërriti, Che qëndronte i heshtur. Ndoshta ndihej i lodhur, ndoshta i vetmuar, në një vend krejt të panjohur për të. ‘Këtu, në Shqipëri, jeni si në shtëpinë tuaj’, ndërhyra unë kur vura re se tregohej gjysmë i hutuar. Ishte fillimi i viteve ‘60. Che nuk ishte më i madh se tridhjetedy vjeç, me një fytyrën plot qime e me sy të ndritshëm. Ai mundohej të fuste në dritën e vështrimit të tij sa më shumë hapësirë nga natyra e Tiranës.
Detyrën e kisha marrë tepër të përcaktuar: ta shpija në takim me kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehun. Me aq sa mund të nuhasja unë në atë kohë, por edhe me gjithçka ngjau më vonë, vizita ishte tepër konspirative. Ishte një vizitë që kryhej sa për mirësjellje, ngaqë nuk mund të refuzohej nga pala shqiptare. Ishte një vizitë, siç mund ta gjykoj tashti, për t’i dhënë mikut kuban një përvojë shqiptare, ndoshta për t’i korrigjuar ndonjë ide rreth mënyrës se si piqen e shpërthejnë natyrshëm revolucionet popullore.
Vetura na zbriti drejt e përpara dyerve të Kryeministrisë. Gjithçka ishte sajuar në atë mënyrë që mysafiri të paraqitej te kryeministri shqiptar si një mik i huaj i popullit tonë. Edhe shtypi, siç do të vihej re më vonë, do t’ia kalonte heshtjes këtë ngjarje politike. Madje, nuk do të kishte as koment zyrtar. Në ekspozenë e tij, Che Guevara paraqiti një pasqyrë të shkurtër të asaj që kishte çuar në përmbysjen e diktaturës së Batistës (Fulgencio Batista Zaldívar) dhe në fitoren e revolucionit. Ndërkohë, ai shfaqi disa nga pikëpamjet lidhur me ndezjen e revolucionit dhe hedhjen e popujve në flakët e luftës për liri dhe drejtësi shoqërore.
Në fund, kryeministri shqiptar kishte përgatitur një dhuratë – surprizë. Che Guevara e mori automatikun e dhuruar, u ul në gjunjë, e puthi armën dhe qetë-qetë u ngrit në këmbë. Gjithçka u krye me një solemnitet tepër të veçantë.
Edhe pse kanë kaluar plot 40 vjet nga ajo kohë, shpeshherë pyes veten: si mundet një njeri të vërë mbi supe detyra aq shumë të rënda, gjithsesi të papërballueshme në mënyrën se si ideoheshin dhe zbatoheshin! Sidoqoftë, ato që për një njeri të zakonshëm konsiderohen aventura, për idealistët janë thjesht misione që duhen përmbushur”, është rrëfimi i Gjinikasit.
Vajza e diplomatit është pagëzuar nga Che Guevara. Sot ajo është martuar, por harron se mes kujtimeve të saj zë vend edhe Che Guevara. Ishte ende kërthi, kur ministri i asokohe i Shëndetësisë kubane, pas një vizite që pati në rezidencën e Ambasadës shqiptare, mori vesh se ambasadorit i kishte lindur një vajzë. “Ç’emër i keni vënë?”, kishte pyetur ai. Mihallaqi kishte thënë se ende nuk i kishin zgjedhur një emër. Revolucionari kishte përfituar dhe u kishte kërkuar familjarëve të kishte nderin t’i vinte emrin vajzës. Që atëherë ajo mori emrin Susana, një emër tipik kuban. “Mbaj mend që derisa unë u bëra pesë vjeç, Che Guevara vinte në shtëpinë tonë gjithnjë. Zakonisht për datëlindje më sillte dhurata të bukura dhe dhurata më e bukur që më ka bërë është një kukull prej porcelani, shumë e kushtueshme”, tregon Susana.
Pasi kishin kaluar vitet, ajo kishte kuptuar se mysafiri i nderuar nuk kishte shkelur më në shtëpinë e tyre sepse kishte vdekur, megjithatë kur u rrit vazhdoi të mbante të fshehur në zemrën e saj një mit, një idhull. Ishte Che Guevara, të cilin ndryshe nga të rinjtë e asaj kohe, ajo e kishte takuar, madje kishte qëndruar për minuta të tëra në prehërin e tij.
Ish-ambasadori Gjinikasi tregon se, përveç ardhjes së revolucionarit në Tiranë, shtetarë të tjerë shqiptarë janë takuar me Guevaran, atëherë Ministër i shëndetësisë i Kubës.
“Një delegacioni qeveritar shqiptar arriti në Kubë në vitin 1964 dhe kryesohej nga Bilbil Klosi (babai i Fatos Klosit). Gjatë bisedës ai vlerësoi popullin shqiptar, duke theksuar se është një popull i vogël, por me një histori të madhe dhe qartësoi se për këtë qëllim ai ishte bërë mik i përhershëm me shqiptarët dhe vizitonte rregullisht Ambasadën shqiptare në Kubë”, tregon Gjinikasi.
Ambasadori rrëfen se ka bërë disa herë lidhje të historisë së ngjashme shqiptare me atë kubane dhe se si ata arritën të kthenin lagjet e pasura në shkolla, njëlloj si partizanët shqiptarë.
“Ndërsa biseda mes miqsh vazhdonte, në derë u duk një grua trupmadhe, elegante dhe me pamje fisnike. Ato pak thinja në flokët e saj të krehura me kujdes si në Buenos Aires, nuk ia fshihnin bukurinë e dikurshme të vajzërisë. Kur e pa, Che Guevara u habit dhe, duke shtrirë duart përpara, i drejtohet i habitur: ‘Po ti këtu?! Si na gjete’?! U ngrit dhe e përqafoi me shumë mall. ‘Sapo zbrita nga avioni i linjës. Miqtë gjenden kudo. Vij nga Argjentina’… Ishte nëna e Che Guevaras, Celia. Pas kësaj atmosfera u bë më intime dhe më e ngrohtë. Natyrisht, edhe konjaku ‘Skënderbeu’ bënte punën e tij. ‘Konjakun e keni mjaft të mirë… ndërsa ambalazhi… jo i bukur! Një ambalazh i tillë ua komprometon disi cilësinë”, kujton ai./Telegrafi.com/