Vjosa, lumë i shenjtë…
Lumi Vjosa, ashtu si Nili e lumenj të tjerë, janë të mitizuar. Nga tërë lumenjtë e Shqipërisë, vetëm Vjosa është quajtur Lumë i Shenjtë. Për Vjosën janë thurur mjaft legjenda. Gryka e Vjosës ishte, jo vetëm një strehim i sigurt për anijet, të cilat mund të hynin deri afër mureve rrethuese të Apolonisë, por edhe për t’u mbrojtur nga armiqtë. Me të drejtë shumë historianë e kanë quajtur “jetëdhënëse”.
Ndërmjet skulpturave të shumta, të ekspozuara në Pavijonin e Lashtësisë në Muzeun Historik Kombëtar, të bën përshtypje ajo që i kushtohet lumit Vjosa. Vjosa është personifikuar në skulpturë nëpërmjet figurës së një plaku të shtrirë e të mbështetur në krahun e djathtë, me flokë deri te supet, me mjekër të dendur.
Sipas një njoftimi të Muzeut, skulptura është në gur të bardhë, 49 cm e lartë, 70 cm e gjerë dhe i përket shek. III para Krishtit, zbuluar në Apoloni. Paraqitja antropomorfe e Vjosës tregon se ky lumë ka qenë i begatë dhe luginat pranë tij, pjellore. Ajo personifikohet me një perëndi. Gjymtyrët e zgjatura në formë valëzimi të kësaj perëndie, ku skulptori nuk ka qartësuar detajet anatomike, simbolizojnë dallgët e lumit Vjosa.