Vuçiq: Të zgjidhen mospajtimet shumëshekullore me shqiptarët
Presidenti serb Aleksandër Vuçiq kërkon në Kosovë luftimin e kriminalitetit e korrupsionit edhe në radhët e serbëve. Duhet bërë gjithçka e mundur që mospajtimet shumëshekullore me shqiptarët të zgjidhen ka thënë Vuçiq.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq i shoqëruar edhe nga shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq vizitojnë Kosovës. Kjo vizitë realizohet pak ditë pas vrasjes në veri të Mitrovicës të politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq. Pas vizitës në manastirin e Banjskës, Vuçiq zhvilloi bisedime me dyer të mbyllura me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës dhe vendosi lule në vendin ku u vra Oliver Ivanoviq.
Presidenti serb u shpreh se “vjen në Kosovë për të biseduar me serbët e Kosovës për t’u thënë atyre se shtetin e Serbisë do ta kenë gjithmonë pranë”.
Vuçiq: Serbia do të shkëmbejë informacione
Ai u shpreh edhe lidhur me hetimet për vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq. “Të shohim se si dhe në cilën mënyrë autoritetet e Kosovës do t’i zhvillojnë hetimet për vrasjen e Ivanoviqit. Serbia do të shkëmbejë informacione, sepse këtu po flitet për shkëmbim të informacioneve. Ne do ta bëjmë këtë edhe pse kemi kërkuar që të marrim pjesë në hetimet për zbardhjen e vrasjes së Ivanoviqit. Por, sidoqoftë, do të presim rezultatet përfundimtare të hetimeve dhe të shohim se a do të sjellin hetimet deri tek autorët e krimit të neveritshëm që ndodhi në Mitrovicë”, tha Aleksandër Vuçiq.
Serbia ka kërkuar që të përfshihet në hetimet e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, por, këtë nuk e ka lejuar qeveria e Kosovës. Ministri i Drejtësisë në qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se “Serbia mund të ndihmojë me informacione rreth vrasjes së Ivanoviqit, por, hetimet i kryejnë institucionet kosovare të sigurisë”. Serbia ndërpreu dialogun me Kosovën pas vrasjes së zotit Ivanoviq dhe “dialogu nuk do të vazhdojë deri sa të ketë një përgjigje rreth kësaj vrasje” ka thënë Marko Gjuriq, i cili udhëheq delegacionin e Serbisë për bisedime teknike me Kosovën.
Zgjidhje e mospajtimeve me shqiptarët
Vuçiq u shpreh për zgjidhjen e mospajtimeve me shqiptarët dhe se vendi i tij do të punojë për paqen. “Serbia do të japë gjithçka nga vetja për ta ruajtur paqen, ndërsa, do të bëjë gjithçka që është e mundur që mospajtimet shumëshekullore me shqiptarët të zgjidhen.” Vuçiq i porositi serbët e Kosovës “të mbijetojnë në vatrat e tyre”. “Nuk guxohet që të jemi më pak në territorin, në vendin ku kemi jetuar gjithmonë dhe për këtë arsye si shtet do të luftojmë në të gjitha mënyrat.”
Presidenti serb kërkoi qartë luftimin e kriminalitetit edhe në radhët e serbëve. “Është e rëndësishme edhe gjetja e mekanizmave të rinj në luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit në radhët e serbëve”, tha Aleksandër Vuçiq. Vizita e presidentit serb zhvillohet nën masa të shtuara të sigurisë, të pjesëtarëve të policisë së Kosovës, atyre të misionit EULEX dhe forcave paqeruajtëse.
Rezultatet e ekzaminimit të kamerave të hënën
Hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviqit akoma vazhdojnë. Të hënën pritet të publikohen rezultatet e ekzaminimit të kamerave të sigurisë në vendin e vrasjes së politikanit serb. Shyqeri Syla, prokuror nga Mitrovica ka thënë se policia po punon me intensitet të shtuar për ta zbuluar këtë rast. “Jemi duke punuar intensivisht në hetimin e rastit të vrasjes së Oliver Ivanoviq. Të hënën presim rezultatet e ekzaminimit të kamerave të sigurisë, ekzaminimit të veturës dhe raportin e mjekësisë ligjore. Janë intervistuar disa dëshmitarë”, ka thënë për mediet lokale Shyqri Syla.
Vizita e parë si president i Serbisë
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq e viziton Kosovën për herë të parë në cilësinë e Presidentit të Serbisë, ndërsa, kjo është vizita e shtatë në radhë e Vuçiqit në Kosovë në pesë vjetët e fundit. Para se të vijë në Kosovë Vuçiq ka kërkuar leje, ndërsa, autoritetet e Prishtinës e kanë lejuar këtë vizitë, gjithnjë për sa kohë që Vuçiq siç thotë Ministria e Jashtme e Kosovës “respekton rregullat e lejes”.